Nuk mund të ndodhte ndryshe veçse të thurte lavde për kundërshtarin, por pa u trembur dhe duke theksuar edhe pretendimet e skuadrës së Skënderbeut në këtë fazë kaq të rëndësishme të ecurisë në Europë.
Pikërisht në këto linja ishte deklarata e trajnerit të skuadrës korçare, Ilir Daja, para përballjes me ekipin kroat të Dinamo Zagreb. Vetëm pak para seancës së fundit stërvitore të zhvilluar në stadiumin “Maksimir”, trajneri Daja ka qenë përballë mediave të pranishme në konferencën zyrtare.
“Dinamo është një nga ekipet më të mira në këtë pjesë të Europës, ne të gjithë e dimë se si janë lojtarët në “Maksimir”. Por ne nuk kemi ardhur këtu për të humbur, ne do të bëjmë maksimumin tonë për t’u kthyer në Shqipëri me një rezultat pozitiv.
Atje, në fushën e tonë, ne mund të jemi të rrezikshëm ndaj kujtdo”, ka dekluaruar trajneri i skuadrës së Skënderbeut, Ilir Daja në konferencën për mediat, të dhënë sot, në prag të përballjes së të enjtes ndaj Dinamo Zagreb, e vlefshme për fazën Play-Off të Europa League.
