Imamët xhihadistë, pa lekë në llogari

Dita

Hetimet e prokurorisë për të zbardhur transaksionet apo llogaritë bankare të të dyshuarve të grupit të xhihadistëve të arrestuar për terrorizëm në fillim të këtij viti, nuk kanë bërë dot të mundur zbulimin e ndonjë shume parash. Genc Balla, i njohur si imami i vetëshpallur i xhamisë së Unazës së Re dhe Bujar Hysa, imam i xhamisë së fshatit Mëzez në Tiranë, rezulton se nuk kanë lekë në llogaritë e tyre bankare. Duke menduar se lekët mund të ishin kaluar në emër të familjarëve, përsëri nuk rezultoi kërkim pozitiv.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë përgjigje mohuese nga bankat e nivelit të dytë, pas kërkesës së saj për të dhënat bankare për të arrestuarit e akuzuar për “terrorizëm” dhe pjesëtarëve të ngushte të familjeve së tyre. Burimet pranë organit qendror të akuzës, thanë se të gjitha bankat e nivelit të dytë në vend, kanë kthyer përgjigje në mënyrë analitike për llogaritë bankare të të gjithë të arrestuarve, 2 imamëve dhe ndihmësve që rekrutonin luftëtarë për në Siri.

Por hetimi zbuloi diçka tjetër interesante. Genc Balla dhe Bujar Hysa, kanë lëvizur shuma të mëdha në llogaritë e tyre bankare vetëm gjatë vitit 2010. Këto para që varionin nga 1-5 mijë euro, mësohet se vinin në formë ndihme nga individë të ndryshëm nga shteti turk. Por hetuesit thonë se në asnjë rast nuk është provuar që këto para të kenë ardhur nga individë, shoqata apo vende të cilat Organizata e Kombeve të Bashkuara i ka shpallur si të dyshuara për financimin e terrorizmit. Këto lëvizje, të pandehurit i kanë justifikuar si ndihma të ardhura për të ndërtuar xhamitë në Unazën e Re të Tiranës dhe atë të fshatit Mëzez. Por, ne prokurori nuk ka ndonjë shkresë, që provon se kjo është edhe periudha e ndërtimit të këtyre dy xhamive.
Ndërkohë, sipas të dhënave të bankave, pas vitit 2010, të dyshuarve përsëri iu vinin transferta të ndryshme nga Turqia, por në shuma të vogla, që varionin nga 100-300 euro. Edhe këto transferta, sipas dosjes hetimore, kishin burim individë të ndryshëm dhe jo organizata të tjera. Sipas prokurorisë, hetimet për të arrestuarit e dyshuar si rekrutues të personave që i bashkoheshin grupeve terroriste, janë drejt fundit dhe dosja mund të dërgohet shume shpejt në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Bashkë me 2 imamët u arrestuan edhe 7 ndihmësit e tyre, financues apo rekrutues. Ndërsa në kërkim janë shpallur një imam dhe 5 persona të tjerë si bashkëpunëtorë në këtë rrjet rekrutimi të shqiptarëve si luftëtarë xhihadistë për grupe të “Al Nusras” në fillim gjatë vitit 2013 dhe ISIS më pas gjatë këtij viti.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *