Ministri i Mbrojtjes dhe njëkohësisht drejtuesi i fushatës së demokratëve në Elbasan, Arben Imami, beson se pas 23 qershorit në pushtet do të jetë koalicioni qeverisës 2009-2013. Pavarësisht problemeve dhe pakënaqësive që mund të jenë shfaqur, bashkëqeverisja me LSI për këto katër vite, sipas Arben Imamit ka qenë funksionuese.
“Sa i përket këtyre që thoni, pakënaqësi, këto janë normale. Por ajo që është e rëndësishme është se koalicioni ka funksionuar. Kemi ecur përpara pa asnjë problem në këto katër vite dhe shpresojmë të ecim po kështu përpara dhe katër vitet e ardhshme. Ende nuk janë përfiguruar koalicionet përfundimtare elektorale, por unë jam i sigurtë që ky konstelacion aktual në tërësinë e tij do të jetë ai që do të përbëjë dhe koalicionin qeverisës. Ne do të luftojmë për të marrin maksimumin e votave dhe maksimumin e vendeve në Parlament. Kjo që po them është që ne me partitë që qeverisim do fitojmë në Elbasan”, tha Imami.
Arben Imami mendon se demokratët kanë qenë të suksesshëm në tetë vite qeverisje dhe për këtë arsye po shkojnë drejt një mandati të tretë. Ai thotë se krahas programit për fitoren e zgjedhjeve nevojitet dhe organizimi i partisë.
“Në të gjithë këtë lëvizje shumë e rëndësishme është se si do të përballohet organizativisht nga partia dita e zgjedhjeve dhe gjithë fushata. Ne po punojmë me organizimin. Organizimi i partisë për zgjedhje është kushti konkret që këto suksese, arritje, fitore, rezultate të jenë të prekshme “, tha ai.
Ai vlerëson pozitivisht rikthimin e Eduard Selamit dhe është pro hapjes së Partisë Demokratike. “Partia është e hapur dhe fakti është që hapja e PD ka ndikuar vetëm pozitivisht dhe ka çuar në dy fitore, do çojë dhe në një të tretë”, vijon Imami.
Ndërsa pjesë e rëndësishme e garës elektorale janë listat e kandidatëve, Arben Imami thotë se nuk do të ketë revolucion brenda grupit parlamentar aktual. Përsa i përket kundërshtarit politik, ai vlerëson se Edi rama po hyn në këto zgjedhje pa program./As