Anxhelo Xhaçka
E shoh çdo mëngjes duke ngjitur sërish shkallët e Televizionit. Pastaj tek futet në korridorin e gjatë, për të përfunduar nëpër ato studiot që mbartin kujtimet e shumë viteve më parë. E ndjek gjithashtu në ritualin e përditshëm, nga kafja në veshjen e kostumit në garderobë, qëndrimin te grimi, nga aty teksa kalon në news room e më pas duke zbritur në studion prej nga merr jetë përcjellja e lajmit drejt teleshikuesve.
Kështu kanë kaluar ditët, muajt dhe vitet e tij, nga mikrofoni në ekranet televizive. Dhe t’i mbledhësh bashkë, nuk janë pak, por mbi katër dekada. Përherë mes ekipesh të suksesshëm gazetarësh e moderatorësh, me një përkushtim në çdo çast të ditës apo të natës, duke punuar me veten për t’u rritur profesionalisht, duke i falur asaj kohë nga koha e tij e lirë, në respekt të punës së gazetarëve e mbi të gjitha në respekt të mikrofonit apo kamerës që ajo të të përcjellë më së miri te dëgjuesi e teleshikuesi.
Pa u zgjatur më tej, është fjala për Dhimitër Gjokën.
***
Nuk do ta bëja këtë hyrje për kolegun e RTSH-së, nëse nuk do të kisha në duar librin e shkruar prej tij “Udhëtim mes yjesh”, një botim i sapo publikuar në këto ditë të nxehta vere, ku me një gjuhë të pasur dhe me një stil të veçantë gazetaresk, ai sjell kujtime dhe për më tepër vlerësime për shokët, miqtë, kolegët, bashkëpunëtorët e drejtuesit me të cilët lidhet ngushtë karriera e tij.
Ky libër, nuk është thjesht një autobiografi e shkruar me art, dashuri dhe emocion, apo një rrëfim i sinqertë e modest për veten. Mbi të gjitha ky libër është një mirënjohje ndaj bashkëpunëtorëve në rrugëtimin e tij të gjatë artistik të dyzet e pesë viteve. Për më tepër, kur sivjet Radiotelevizioni Shqiptar feston 60-vjetorin e krijimit të tij, “Udhëtim mes yjesh” sjell ndërkohë edhe një udhëtim në historinë e jetës sonë.
E kush më mirë mund ta përcillte këtë për ne, si Dhimitër Gjoka? Vërtet ai u shfaq në ekran si një djalë i ri simpatik dhe me një të folur të bukur në vitin 1975, por me kalimin e viteve ai u rrit profesionalisht dhe yjet mes të cilëve punoi e formatuan atë që të mbetet një yll mes tyre. Ndaj kemi të drejtë ta themi, se zëri dhe përvoja profesionale e Dhimitrit bashkudhëton rigorozisht me jetëgjatësinë e ekranit shqiptar në epokën e themelimit dhe zhvillimit të medias audiovizive shqiptare.
Por nuk janë vetëm cilësitë dhe sidomos talenti i artikulimit nëpërmjet ekranit ato që i kanë dhënë atij imazhin e ikonës televizive të një profesionisti.
Dhimitër Gjoka është ndërkohë vijuesi i praktikës më të mirë të moderacionit televiziv në ekranin publik dhe atë privat të tridhjetë viteve të fundit, si dhe edukues i gjeneratës së re të gazetarëve dhe moderatorëve televizivë të kësaj periudhe. E them këtë, duke iu rikthyer edhe një herë publicistikës së tij.
***
Para se të merrte dritën e botimit “Udhëtim me yjet”, më herët kisha lexuar “Unë e dashurova Saudinë”, një libër interesant me mbresa e shënime udhëtimi. Kisha shfletuar ndërkohë dy libra të tjerë me karakter profesional: “Televizioni për vete dhe për ju” dhe “Ekran TV: Refleksione estetike për imazhin”. Njëri më interesant nga tjetri, ku do të vësh re se Dhimitër Gjoka punën e vet të përditshme e ka transferuar në një lëndë e substancë reference për brezat e rinj të gazetarisë televizive dhe çështjeve teorike të saj. Ndaj do të rekomandoja, sidomos për studentët e degës së gazetarisë, që refleksionet estetike për imazhin, të cilat nuk i gjen të trajtuara në asnjë libër tjetër, të studiohen me kujdes, pasi shërbejnë si një pasqyrë ku mund të zbulojnë anët e imta të profesionit të gazetarit, të regjisë dhe jo vetëm. “Televizioni për vete dhe për ju” dhe “Ekran TV: Refleksione estetike për imazhin”, janë dy udhërrëfyes, si një mënyrë për t’u njohur me televizionin dhe për të qenë pjesë e tij.
Pikërisht botimet që përmendëm më sipër të realizuara në vite, si dhe puna e pandërprerë ditore në ekran dhe përmes ekranit, për Dhimitrin kanë vlerën dhe peshën e një ndikimi të dallueshëm që realizon një mjeshtër dhe profesionist i llojit të tillë. E them këtë, pasi kam parasysh se ai numëron gjatë karrierës televizive mbi 40 dokumentarë me regji dhe skenar të tij. Mijëra orë pune në regji të shumë emisioneve të drejtpërdrejta ose të regjistruara të departamenteve të kulturës, ekonomisë, informacionit, sportit dhe të fëmijëve. Regjisor i më shumë se 300 ndeshjeve të futbollit, basketbollit, volejbollit… kombëtare dhe ndërkombëtare. Gazetar i qindra kronikave informative, si dhe mjaft shkrimeve në shtypin e përditshëm.
Ja pra, pse jeta e Dhimitrit është pasqyrë e Televizionit Publik Shqiptar në katër dekada e gjysëm, brenda 60-viteve të krijimit të tij, e vlerësuar me medalje dhe çmime kombëtarë e ndërkombëtare. Në pamundësi t’i përmendja ato, lista do të ishte e gjatë, po e mbyll me një perifrazim të shkurtër nga motivacioni i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë, teksa dy vite më parë i jepte Çmimin e Karrierës: “Dhimitër Gjoka është përfaqësuesi pasues i gjeneratës që themeloi ekranin e parë në Shqipëri, si dhe një prej të parëve profesionistë në ekranet private që thyen tabutë dhe sollën modernitetin në mediat audiovizive shqiptare të viteve post-2000”.
Për të kuptuar esencën e kësaj shprehje, do të mjaftonte edhe një lexim i këndshëm i “Udhëtim me yjet”.

Shume mire beni qe nderoni gazetaret profesioniste.Te mesojne keta vemjet e televizioneve private se kush eshte modeli i gazetarise.Vijne nga kanalet,nga pakultura,nga passarelat dhe fryhen si palloshe.Kur u bie silikoni,mbeten si muti ne shi.
Prandaj beni mire qe nderoni Dhimiter Gjoken,Tefta Radin,Ikonat e Ekranit.