Pse disa i bën të druhen “të qenurit shqiptar”?!

Elena Tase

Nga Fatos Tarifa

Si shumica e shqiptarëve, unë e dua vendin tim. Është vendlindja e prindërve të mi dhe e prindërve të tyre; vendlindja ime dhe e fëmijëve të mi. Ky vend më jep emrin shqiptar, të cilin e shqiptoj me krenari kudo që udhëtoj dhe kurdo që ndodhem jashtë Shqipërisë, me këdo që takohem ose njihem rishtas. Kurdoherë dhe kujtdo që më pyet nga jam, i them “I am Albanian”. Më ka rastisur të dëgjoj shqiptarë në Greqi, dikur madje edhe një të afërmin tim, që u thonë grekëve se janë “vorioepirotë”—pra jo shqiptarë—si edhe emigrantë apo udhëtarë shqiptarë që e fshehin identitetin e tyre etnik kur i pyesin në Francë, në Gjermani apo në Hollandë se nga ç’vend janë.

Pse ndodh kështu? Pse disa njerëz i “tremb”, ose i bën të druhen para të huajve të “qenurit shqiptar”, ose të pohojnë se janë nga Shqipëria?! Nuk janë të sigurt se si do ta presë një europian—të themi një qytetar francez, gjerman ose hollandez—“përballjen” me një shqiptar? Është ky një kompleks “inferioriteti”, ose një  “kompleks faji”, që një pjesë e bashkëkombësëve tanë kanë krijuar në këta 30 vitet e fundit, apo një “masë mbrojtëse” nga vlerësime dhe sjellje paragjykuese të të huajve ndaj nesh, si shqiptarë? Nëse është ndonjëra prej këtyre arsyeve, përse ndodh kështu? Çfarë e legjitimon “inferioritetin”, “fajin” apo “frikën” e shqiptarit në marrëdhënie me Europën dhe me europianët?

Unë vetë nuk kam një përgjigje të mbështetur në studime empirike, ose në analiza të mirëfillta sociologjike për këtë dukuri dhe, prandaj, nuk marr përsipër t’u jap pyetjeve që bëra më lart një shpjegim të mirinformuar. Por, si një perspektivë e veçantë e të vështruarit dhe e të kuptuarit të dukurive shoqërore, sociologjia më vjen në ndihmë në mos për ta shpjeguar teorikisht dukurinë në fjalë, të paktën për të evidentuar disa arsye që mund t’i jepnin një shpjegim sado të pjesshëm asaj.

* * *

Edhe më parë kam argumentuar se imazhi i një vendi është si nami i një njeriu. Imazhi negativ, ashtu si dhe nami i keq, janë vështirë të ndryshohen. Ashtu sikurse nami i mirë ose i keq i një individi krijohet mbi bazën e cilësive dhe të mënyrës së sjelljes së tij, kur këto perceptohen si eksperienca individuale nga individë të tjerë, edhe imazhi i një vendi krijohet mbi bazën e të mirave private dhe publike që prodhon ai vend dhe të sjelljes së tij ndaj qytetarëve të vet dhe ndaj publikut të huaj.

Duket se, në përgjithësi, ne shqiptarët kemi krijuar një imazh dhe një nam jo të mirë për veten tonë në shoqëritë europiane dhe te qytetarët e tyre me mënyrën se si sillemi, kryesisht brenda vendit tonë dhe mes nesh, por edhe jashtë tij dhe me të tjerët. Them “në përgjithësi”, sepse kjo dukuri, ashtu si dhe çdo dukuri tjetër shoqërore, nuk mund të absolutizohet. Ka mjaft raste kur individë të caktuar, shtetas shqiptarë që studiojnë ose punojnë në vende të ndryshëm europianë, në Shtetet e Bashkuara, në Kanada apo gjetkë, ose që, pas një periudhe qëndrimi me banim dhe punë në këta vende, kanë marrë shtetësinë e tyre (duke e ruajtur ose jo shtetësinë shqiptare), kanë dhënë e japin shembuj dinjitozë qytetarie e profesionalizmi. Në gjuhën e popullit mund të thonim se individë të tillë “e nderojnë” Shqipërinë dhe emrin “shqiptar” në Europë e në botë.

Këta nuk janë vetëm disa artistë të shquar, që shkëlqejnë në skenat më të mëdha të globit, si Ermonela Jaho e të tjerë, nuk janë as vetëm disa dhjetëra shkencëtarë e studiues që punojnë e bëjnë kërkime në disa prej universiteteve më të mirë të Amerikës e të Europës, si Laura Mersini e të tjerë, as vetëm disa sportistë që luajnë për klube të njohur, por janë edhe disa mijëra apo dhjetëra mijëra shqiptarë “të thjeshtë”, njerëz “të zakonshëm”, punëtorë apo studentë shqiptarë, të cilët dëshira, nevojat apo mundësitë i kanë shtyrë të largohen nga vendi i tyre në kërkim të kushteve më të mira për studim, punë dhe jetesë, pa e harruar vendin e tyre dhe pas pasur “turp”, ose drojtje të thonë se janë shqiptarë.

* * *

Jo rastësisht çështja e imazhit të Shqipërisë e të shqiptarëve më ngacmon sa herë kthehem në Tiranë pas një udhëtimi në një vend të huaj. Kjo, më thonë shumë prej miqve të mi, ndodh edhe me ta. Për më shumë se një të tretën e jetës sime si i rritur, ose, më saktë, gati dy të tretat e kohës që ka kaluar nga shembja e regjimit komunist e deri më sot, unë kam jetuar e punuar jashtë Shqipërisë. Edhe pse në vitet 1990 dhe deri dhjetë vite më parë, kur u ktheva përfundimisht në Tiranë, Shqipëria ka qenë një vend më i varfër dhe më pak i zhvilluar sesa është sot, në atë kohë, çdo vizitë në Tiranë ishte për mua një ngjarje shumë e gëzuar. Sepse këtu kisha “rrënjët” e mia, familjen dhe shokët. Këtu gjeja nënën dhe babanë, vëllain, motrat dhe fëmijët e tyre. Këtu njihja dhe më njihnin më shumë njerëz sesa në cilindo qytet të Amerikës ose të Hollandës ku kam jetuar e punuar. Këtu, thuajse çdo ditë, shkëmbehesha në rrugë me njerëz që kishin qenë dikur studentë të mi, me miq e të njohur, me të cilët më lidhte Tirana e dikurshme dhe një kohë e shkuar, e jetuar bashkërisht me ta në këtë qytet, që sot ruan gjithnjë e më pak nga fizionomia e tij e dikurshme. Në atë kohë, fjalët e Naimit të madh se në vendin tënd, në Shqipëri, “balta të duket më e ambël se mjalta”, më bënin shumë kuptim.

Edhe pse as atëherë dhe as sot Shqipëria nuk është—dhe ndoshta për një kohë të gjatë nuk do të mund të bëhet dot—vendi që dëshirojmë të kemi, ky vend është vendi ynë. Dhe nëse nuk e duam ne vendin tonë, nuk mund të presim që atë ta duan të tjerët. Nëse nuk e bëjmë ne vetë vendin tonë, nuk mund të presim që atë ta bëjnë të tjerët për ne. Është e njëjta gjë si me individin njerëzor: dikush që nuk e pëlqen dhe nuk e do veten e vet, nuk mund të presë që ta pëlqejnë e ta duan të tjerët. Dikush që i ka mundësitë por nuk kujdeset për veten, nuk mund të presë që për të të kujdesen të tjerët.

Por ç’ndodh tani, kur, pasi jam kthyer përfundimisht në atdheun tim që të jetoj e të punoj këtu, sa herë kthehem nga një udhëtim jashtë vendit, kryesisht në Europë, më kaplon një mërzi (në mungesë të një fjale më të përshtatshme) për atë që gjej këtu. Kjo ndjesi më lindi sërish pak ditë më parë, kur kthehesha nga një udhëtim në Nice të Francës. Një ndjesi i tillë krijohet, madje, qysh kur një pjesë e pasagjerëve shqiptarë, me të cilët do të udhëtosh me të njëjtën linjë nga Roma në Tiranë, shtyhen për të hyrë në avion kush e kush më parë, flasin me zë të lartë ndërsa gjejnë vendet e tyre dhe gjatë tërë udhëtimit, ngrihen në këmbë dhe fillojnë të merren me bagazhet e tyre ende pa ndaluar avioni në pistën e aeroportit të Rinasit dhe shtyhen kush e kush të dalë i pari nga autobuzi që i sjell në të vetmin terminal të këtij aeroporti. E gjitha kjo dhe, jo rrallë, mjaft skena banale dhe një fjalor vulgar që ndeshim në rrugë e në mjedise publike në jetën e përditshme, krijojnë një kontrast të thellë me kulturën dhe mënyrën e sjelljes e të komunikimit të qytetarëve europianë në vendet e tyre dhe kudo që ata shkojnë.

* * *

Dhe pyesim: Pse? Pse ka kaq shumë banalitet dhe kaq shumë vulgaritet në vendin tonë?

Banalitet dhe vulgaritet në rrugë dhe në biseda mes njerëzve. Shumëkujt mund t’i ketë ndodhur të bëhet dëshmitar i një zënke, ose i një skene të dhunëshme për arsye krejt banale, motivuar nga pretenca absurde “kush je ti, kush jam unë”, ose “pse fut hundët në punët e tjetrit”, edhe nëse sjellje të tilla nuk i motivon realisht asnjë shkak.

Banalitet dhe vulgaritet në gazeta, në portale online, në shumë programe televizivë, në retorikën politike dhe në komunikimin me publikun. Në faqet e disa gazetave gjen shpesh herë sharje e fyerje, por më e keqja është se vetë gazetat lejojnë në portalet e tyre online sharje e fyerje nga më të shëmtuarat, nga më të shpifurat, nga më monstruozet, që jo vetëm dëshmojnë primitivizmin dhe vulgaritetin e një pjese të njerëzve që postojnë komente në to (shumë herë me një shqipe skandaloze), por edhe nivelin e gazetarisë shqiptare dhe të drejtuesve të organeve të shtypit shqiptar, që i lejojnë komente të tillë në një domein që është publik.

Banalitet dhe vulgaritet deri edhe në Kuvendin e Shqipërisë, në atë organ të pushtetit, të cilit i kemi besuar të hartojë e të miratojë ligjet që rregullojnë jetët tona private, marrëdhëniet tona me shoqërinë dhe me shtetin dhe që duhet të garantojnë mirëqenien tonë individuale dhe kolektive si shoqëri.

Shihni si komunikojnë mes tyre jo vetëm njerëz të zakonshëm, por edhe politikanë nga ata që i konsiderojmë se janë elita e vendit. Shihni si sillen shumë prej tyre dhe ç’fjalor përdorin. Shajnë pa fund. Këdo, për çdo gjë, në çdo mënyrë e me çdo fjalë që mund të thuhet, por edhe s’mund të thuhet. Edhe kryeministri i vendit, edhe kryetarët e partive politike në opozitë me qeverinë, edhe militantët e tyre. Por jo vetëm ata. Në përgjithësi, ne shqiptarët shajmë shumë, madje edhe mallkojmë. Duket sikur e mira e Tjetrit është e keqja jonë; sikur suksesi i Tjetrit është shkaku i mossuksesit apo i dështimeve tona. Fajin e ka gjithmonë Tjetri. Që Tjetri punon më shumë, ose më mirë sesa ne, ky nuk është faji ynë, por i Tjetrit.

Dikush mund të thotë se kjo është një trashëgimi e komunizmit, i cili kultivoi pasiguri dhe frikë te çdo qytetar dhe krijoi një mentalitet dyshues ndaj kujtdo, një animositet të pashprehur ndaj Tjetrit dhe një sistem vlerash, në të cilin meritat nuk konsiderohen se janë individuale. Sidoqoftë, Noli dhe Konica, dy ndër njerëzit më të ditur të këtij kombi, që i njohën natyrën dhe veset e shqiptarëve shumë kohë më parë se të vendosej regjimi komunist në Shqipëri, i kanë përshkruar këto vese dhe patologjitë tona thuajse në atë mënyrë që i gjejmë edhe sot, pasi e provuam komunizmin si një eksperiencë jetësore për gati gjysmë shekulli dhe pasi jemi ndarë prej tij për afro 30 vite.

Jo vetëm para dhe gjatë periudhës së regjimit komunist, por edhe sot, ne shqiptarët i kemi të kursyera, nuk i themi, madje nuk duam t’i themi fjalët e mira dhe vlerësimet pozitive për Tjetrin, për njerëz punëtorë e të aftë. Ndoshta nga frika se kjo mund të merret si një dobësi, ose si përulësi e servilizëm. Këtë kulturë kemi krijuar dhe këtë kulturë duket se po ruajmë në një kohë kur, në vendet e Europës dhe në shumë vende të tjerë, që janë arsimuar, zhvilluar, modernizuar e racionalizuar në një shkallë shumë më të lartë sesa ne, vlerat dhe aftësitë individuale të njerëzve çmohen dhe janë kritere që përcaktojnë fatin e tyre në jetë.

* * *

A është ky realitet shqiptar fatal, apo ai mundet të ndryshohet? Asnjë shoqëri nuk është fatalisht e dënuar të mos ndryshojë. Edhe shoqëritë më raciste kanë ndryshuar me ndryshimin e kushteve politike, ekonomike e kulturore që e kanë pjellë racizmin në gjirin e tyre. Vetë shoqëria shqiptare ka ndryshuar shumë gjatë shekullit të 20-të dhe në këto dy dekada të para të shekullit të 21-të. Ndryshimet në kulturën e një shoqërie, sidoqoftë, kërkojnë kohë. Kjo kohë, në vende të ndryshëm, mund të jetë më e gjatë ose më e shkurtër, në varësi të shumë faktorëve sociologjikë: shkalla e zhvillimit ekonomik, niveli i arsimimit të popullsisë, struktura demografike e saj, shkalla e konsolidimit të normave e të praktikave të reja shoqërore në raport me ato tradicionale, shkalla e racionalizimit të shoqërisë, pjesëmarrja e vendit në proceset globalizuese, ndërvarësia dhe roli e tij në botën e sotme në raport me vendet e tjerë etj. Ky është një rregull i përgjithshëm. Në rastin e Shqipërisë, këta faktorë ende nuk luajnë në shkallën e duhur rolin e tyre pozitiv në transformimin kulturor të shoqërisë sonë.

Shqipëria, sidoqoftë, nuk mund të jetë një përjashtim nga rregulli. Me kohë, faktorët e mësipërm do të kenë ndikimin e tyre në transformimin kulturor të shoqërisë sonë dhe shumë nga “veset” dhe patologjitë tona kulturore, si ato për të cilat flisnin Noli e Konica një shekull më parë dhe si këto që ende i ndeshim rëndom në ditët tona, nuk do të karakterizojnë më fizionominë kulturore të shqiptarit dhe as do të përcaktojnë “imazhin” e tij në Europë dhe mes europianëve.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *