In Memoriam / Albert Koja, ikonë e atletikës shqiptare

redaktor

Më datë 02.04.2016  u nda nga jeta një nga figurat e shquara të sportit, Albert Koja, ikonë e atletikës shqiptare, kampion dhe rekordmen kombëtar për një periudhë të gjatë kohe, në garat 800 m, 1500m dhe stafetën 4×400 metra.

Kultura Olimpike dhe pasioni për të arritur rezultate, ishin karakteristikat e veçanta të Bertit, të cilat e kurorëzuan atë si kampionin e pamposhtur e tepër cilësor, të vrapimeve të mesme në vendin tonë dhe e çmuan me titullin e lartë sportiv “Mjeshtër Sporti”.

Alberti ishte njeri me bindje të qarta, vizion të gjerë, trainer me aftësi profesionale, që arriti të kombinojë si askush, studimin me praktikën bashkëkohore të trainingut dhe kontrollit periodik të ngarkesave stërvitore.

Si dijetar i spikatur edhe i problemeve organizative dhe edukuese, Alberti ndikoi fuqimisht edhe në formimin e personalitetit të çdo atleti të tij, në drejtim të konsolidimit të vullnetit, të disiplinës sportive, të ndershmërisë dhe për respektimin e shokut, të kundërshtarit e të punës së tjetrit.

Metodologjia e larmishme fiziko-lëvizore, shërbeu si një pasuri e vyer që u përdor si një model specifik nga trainerë pasues të Bertit dhe në këtë mënyrë u thyen shumë rekorde kombëtare, për vrapimet e mesme e të gjata.

Alberti, përgjegjësi i atletikës në Klubin Sportiv “Dinamo”, traineri i devotshëm, pasionant dhe burim frymëzimi për të gjithë ata që bashkëpunonin me të, kontriboi fuqimisht në përgatitjen e një plejade të tërë atletësh, kampionë e rekordmenë cilësorë dhe intelektualë të dëgjuar në shumë fusha të vendit.

Personaliteti si sportist, si trainer, si një edukator i kujdesshëm e efikas, dhe si një olimpist i vërtetë që angazhohej shpejtësisht për të zgjidhur edhe cdo problem shqetësues, jo vetëm të atletëve të Dinamos, por edhe të sportistëve të tjerë të ekipeve kombëtare, e lartësojnë figurën e Albert Kojës, në një aset legjendë të atletikës shqiptare.

Edhe në karrierën e mësuesit të edukimit fizik, Alberti u shfaq si një personalitet i veçantë dhe motivoi e stimuloi pozitivisht nxënësit e shkollës. Procesin e mësimdhënies për edukimin fiziko-sportiv në arsimin para-universitar, Alberti e zhvilloi sipas një organizimi me kulture të përshtatshme teknike, profesionale, përsa i përket proceseve pedagogjike, psikologjike me praninë e shkencës dhe sidomos të metodologjisë që merrte në konsideratë zbatimin e praktikës polisport.

Duhet theksuar se Albert Koja e konsideroi procesin e mësimdhënies si detyrë të shenjtë dhe një rast ideal për zhvillimin e shëndetit të nxënësve dhe rritjen e efiçencës së tyre fizike, psikologjike, të të nxënit në aspektet e edukimit, kulturës e në aspektin social, në respektimin e kushteve ambjentale, të marrëdhënieve dhe komunikimit miqsor ndërmjet nxënësve të shkollës e më gjerë.

Këtë kontribut kaq të rrallë të Albert Kojës, këtij intelektuali të kompletuar, që rrezaton hijshëm në piedestalin e historisë së atletikës shqiptare, e vlerësojnë e ja dinë për falemnderit, shumë individë të fushës sportive dhe me këtë rast i shprehim ngushëllimet më të përzemërta dhe më të thella, familjes së të ndjerit, bashkëshortes dhe fëmijëve të tij që aq shumë i donte.

 

Një grup atletësh veteranë të klubit sportiv “Dinamo”, Tiranë

Share This Article
1 Comment
  • E kam njohur qe ne fillim te karrieres se tij, kur kryente sherbimin ushtarak ne klubin sportiv “Partizani”. E mbajta shoqerine me te gjate gjithe jetes. Çdo here qe e takoja ishte nje çast gezimi per te dy ne. Nuk do te me shqiten nga kujtesa buzagazi dhe humori i tij i kendshem. Per dhuntite e tij, bashkohem plotesisht me shkruesit e ketij memoriali. Ngushellime te perzemerta familjes se tij. I perjetshem qofte kujtimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *