In memoriam mësuesit Daut Shtino

redaktor

“Jetë me frikë”. Kështu e ka quajtur jetën e tij në librin testament mësuesi ynë i letërsisë, në shkollën “Halim Xhelo” të Vlorës, Daut Shtino. Këto ditë ai ndërroi jetë. Natyra nuk mund të bënte përjashtim për të. Por jeta e tij nuk ngjante me të tjerët. I ati iku në tetor të vitit 1944 përgjithmonë në Itali duke lënë prapa një barrë të madhe persekutimi mbi familjen që la këtu. Dauti atëhere ishte 12 vjeç. Jeta u kthye në një det me dallgë të rrezikshme, që u përballua në saje të nënës së tyre fisnike e trime si dhe edukatës shembullore të Dautit, vëllait, Krenarit dhe motrës së tyre Bukureshës.

Këtu fillon ajo që ai e quan “Jetë me frikë”. Unë që shkruaj këto radhë jam një ish nxënësi i tij i viteve 1962-66. Në sistemin socialist nuk kam patur fatin e tij, por profesorin tim e ndjej dhe e besoj. Ishin vlerat e tij si njeri, si intelektual si atdhetar që më bëjnë ta besoj. Ai la te ne, nxënësit e tij, gjurmët e mirënjohjes e të modelit të papërkuljes. Nuk e harroj kurrë kur shpjegonte Dante Aligerin. Vargu i tij më i pëlqyer që na i përmendte shpesh, ishte: “Nuk ka gjë më të vështirë, kur kujton ditët e bukura në mizerje”. Atëhere ne nuk e kuptonim këtë shpërthim edhe si një episod të fatit të tij.

Në vitin 1968 Sigurimi i Shtetit, pasi kishte dështuar ta bënte bashkëpunëtor, organizoi takimin e tij me të atin në Itali që ta bindte atë për të shërbyer si rezident i kundërzbulimit. E, cili do të ishte ai fëmijë, që nuk do të shkonte të takonte babain e vet, i zhuritur nga malli, pas 24 vjetësh, pavarësisht nga arsyeja e udhëtimit drejt tij? Dhe u takua me të. Biseduan, komunikuan me fjalë e me shikime dhe xha Sabriu e kuptoi se biri i tij ndodhej aty jo i shtyrë nga detyra e sigurimit të shtetit, por nga ajo ndjenjë e madhe njerëzore që ka çdo fëmijë për prindin e vet. Ai nuk e pranoi ofertën e sigurimit të shtetit dhe përgjigjen ia dha në sy “shoqëruesit” të Dautit. E larguan nga arsimi. Të shoqen Blerinën mësuesen e talentuar, e zbritën një kategori më poshtë. Të vëllain, Krenarin e largojnë nga qyteti dhe e transferojnë mësues në fshat. Emira, bija e tij, nxënëse me të gjitha notat dhjeta, do të fitonte të drejtën për të vazhduar shkollën e lartë për arkitekturë, pasi kish shijuar edhe ajo ligësinë e disa njerëzve të veçantë. Dauti nuk e harronte kurrë ndihmën që i dha në atë kohë ish sekretari i parë i Komitetit të Partisë, Enver Halili. Ai thoshte: “ Kam patur fat që në jetën time kanë hyrë edhe njerëz të mirë që më kanë ndihmuar shumë”.

Duke thënë këto, te unë ka mbetur i skalitur edhe një fakt që tregon për karakterin e tij. Ai, si i përndjekur nga disa punonjës të Sigurimit, midis të cilëve nuk harronte kurrë ish shokun e tij të shkollës e të lagjes, njeriun e lig, M.H. , nuk lejoi kurrë që të shkelej mbi dinjitetin e personalitetin e tij dhe të familjes. Nuk i humbi këto vlera deri kur i mbylli sytë përgjithmonë. I tillë u nda ai edhe nga familja dhe gjithë shoqëria vlonjate. Daut Shtino do të jetë në kujtesën tonë dhe të brezave që e kanë njohur në Vlorë si mësues i talentuar, njeri i nderuar dhe i paharruar.

 

Letër e nënshkruar,

Nga Petrit Brokaj

Share This Article
1 Comment
  • ME VONESE E MORA VESH PER VDEKJEN E MESUESIT TE DASHUR DAUTIT POR SI THEMI NE LEBERIT NGUSHELLIMI S”KA KOHE POR KA DHIMBJE .E KUJTOJ ME RESPEKT NJERIUN E DREJTE E PUNETOR NGUSHELLOJ BELINEN MESUESEN E VAJZES TIME QE E TRAJTONTE SI VAJZE FEMIJET ETIJ DHE VELLAIN KRENARI . I PAHARRUAR QOFTE KUJTIMI ITIJ I NJE PLEJADE MESUESISH MODEL BAJRAM BALA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *