In Memoriam Pano Taçi/ “Rilindësi” i fundit i letërsisë shqiptare

Dita

Qenka vështirë të shkruash për Pano Taçin, njësoj si për të vërtetën, ka thënë një kolegu im, kur ka nisur të shkruajë diçka për të. Por akoma më e vështirë qenka kur me të ke kaluar një kohë të gjatë bashkë, siç na ka ndodhur kur mblidheshim çdo ditë një grup shokësh me në krye të tavolinës Xhevahir Spahiun te kafe “Europa”. Tani, pas dy vjetësh nga vdekja e tij, vërtet po e ndjej veten keq që brenda kësaj kornize që më mundëson gazeta, të jap portretin e një bohemi të çuditshëm, siç ishte Pano Taçi, jetën e tij, siç thoshte vetë, të mbushur  plot me poezi, burg dhe dashnore, të cilat i ka dashur si ujët e pakët. Ndaj më poshtë, në pamundësi për më tepër, do të paraqes një shkrimin tim për librin “prit e prit…”, një mozaik gjërash, përshtypje të miqve dhe të kolegëve të tij krijues, dhe, së fundi, disa poezi, thjesht sa për kolorit dhe ndjeshmëri poetike.

Prit, o Pano Taçi, prit?!…

“Prit e prit…”, kështu e kishte titulluar një nga vëllimet e fundit poetik Pano Taçi, poeti interesant, çapkëni plak, bohem e burgaxhi, që nuk e kemi më midis nesh. Pano Taçi pas 24 vitesh burgu dhe internimesh, ndërroi jetë në qershorin e vitit 2012, ndërroi jetë me shpresën se një ditë do të merrte paratë e burgut. Shumë para se shokët e tij të burgut të hynin në grevën e urisë për paratë e burgut, ai nxori vëllimin “Prit e prit…” dhe në të në mënyrë artistike, poetike dhe sarkastike, tha atë që edhe sot po thonë dhe po kërkojnë shokët e tij.

Një gaxho i mirë mes arixhinjve të Paskuqanit

Pjesën më të madhe të librave të fundit ai i ka shkruar në tavolinat e kafe “Europës”, ku dhe prej vitesh pinte falas kafet e ditës, falë bujarisë njerëzore të administratorëve të këtij lokali, Pandi Carapuli dhe Gazmir Selami. Ishin po ata që organizuan edhe veprimtarinë e promovimit të një nga librat e tij më të fundit “prit e prit…”. Në fakt kjo ishte shtëpia e dytë e Panos, këtij “poeti endacak me ndjeshmëri serembiane”, pas asaj barakës së anës së lumit ku ai jetonte prej vitesh.

Pani Plak

Poeti 80 e ca vjeçar, Pano Taçi, ose siç e quante ai veten, Pani Plak, ishte i përzgjedhur në Bibliotekën Tragjike Botërore në Irlandë midis 400 poetëve të gjallë të këtij shekulli, që më shumë se tituj librash kishte vite burgu. Ai ishte i vetmi poet shqiptar që i këndonte djallit, pasi u zhgënjye nga Zoti; ishte i vetmi që thoshte: “Hapu burg, më mirë brenda se sa jashtë”! Megjithëse kishte bërë 24 vjet burgime e internime!

E nisi poezinë që herët, madje poezitë e para ia ka botuar Lasgush Poradeci. Por shpirtin poetik ia vranë, ia futën në burg. Me shpirt të vrarë e të brengosur ai nuk ndali, përsëri këndoi mes hekurash. Mjerisht këto këngë janë varrosur atje në shpat të malit të Spaçit, jo figurativisht, por vërtet. Nga punimet u këput mali dhe i  mbuloi vite e vite krijimtari. Por Panua s’ndali, pas viteve ’90 ai shpërtheu përsëri, duke botuar mbi 13 libra me poezi, dhe duke mbetur, siç e quajnë kritikët, një poet me përmasa klasike, vijues i ligjërimit kombëtar dhe prurës i risive në motive dhe teknikë në poezinë e tij shumëplanëshe, tejet të ndjeshme, sidomos për rininë. Në botën poetike të Panos gjen dhimbjen njerëzore, trishtimin për rininë e humbur, zjarrin e dashurisë, shokët e mundimeve, gjen filozofinë e moshës së thyer, atdheun e sfilitur. Se gjërat i çmon kur s’i ke. Po ajo që të mbërthen, është shpirti kryengritës, përballja burrërore me të keqen, gënjeshtrën, demagogjinë…

Më qartë dhe më drejtpërdrejt ai shprehet në librin me titullin “Prit e prit…”. Se gjithë jetën ka pritur ky njeri dhe përsëri po pret, po çfarë pret e nga kush pret. Pret t’i kthejnë atë që i kanë marrë, dinjitetin, lirinë, rininë, pret t’i heqin gurin e nga shpina; por në mos ato, ”të paktën paratë e burgut”, thoshte i shkreti.

Duke vazhduar të fliste pas 25 vitesh burgjesh, persekutimesh, internimesh e punë të detyrueshme, Pano Taçi kishte gjetur një mënyrë këndonjëse, ai u këndon në të gjithë librat e tij, jo vetëm trishtimit, vuajtjes dhe harresës, por edhe jetës, mbijetës dhe të vërtetës, duke gjetur atje atë që humbi në rini, ëndrrat, dashurinë e çiltër dhe gjithë udhën e jetës. Ndaj dhe kur lexon këta libra ndonjë herë harron se ata e ka shkruar një 80-vjeçar, por kujton një djalosh që endet në romanca të kaltra dashurie.

24 vjetët e kalvarit të heqjes së lirisë vazhduan deri në ditën fundit të tij, pasi atij i kishte rënë për pjesë të jetonte i vetëm në një barakë në anë të lumit të Paskuqanit. Fqinjë të këtij gaxhoi çapkën ishin ciganë, gabelë, arinj cirku me zinxhirë në hundë, qenë rrugaç e të zgjebosur, të cilët vinë bukur në një libër tjetër të Panos me titull “Kitara cigane”, me të cilët atë e ka bashkuar fati i njëjtë, por edhe shpirti i tij bohem.

Me shpirtin e tij sokratik, metaforik deri në thonj, ai thotë se gjithë jeta i shkoi me gurin e Sizifit mbi shpinë…”me plagë dje, me plagë sot, ka as ka Zot”!…

 

Vepra

“Ura e ylberit” *                poezi 1963

“Blerimi i thinjur”             poezi  1993

“Dhe vdekja do paguar”   poezi   1997

“Qirinjtë”                          dramë  1998

“Muzg”                            poemë  1996

“Hukama e Venusit”       poezi eros  1997

“Flakë në terr”                dramë   2000

“Shpirti i zbathur”           poezi    1999

“ “Hukamat e Venusit”   poezi eros 2000

“Lakuriq”                       poezi eros  2001

“Kokoveja e kokoshit”   për fëmijë  2001

“Sa pak qiell”                 poezi  2002

“Poezi të zgjedhura”      poezi   2002

“Dell-ar”                        poezi eros 2004

“Pani plak”                     poezi    2005

”prit e prit…”                  poezi     2007

“Kitara cigane”               poezi    2008

“Muzgu vjen papritur”    poezi    2013

* Ky libër u paraqit për botim te shtëpia botuese “Naim Frashëri” dhe shumë shpejt u sekuestrua. Libri shërbeu njëkohësisht si material në dosjen hetimore të vitit 1964, ku poeti u dënua në grup me Jorgo Bllacin dhe Bajram Hysenin.

 

Dritëro Agolli

Një pemë kopshti e veçantë

Pano Taçi është poet origjinal, poet që vetëm ai mund të jetë i tillë. Në pemët e kopshtit të poezisë, Pano Taçi ka pemën e tij të veçantë, që nuk ngatërrohet me pemët e tjera. A ka gjë më të mirë se kjo? Duke vështruar nga të gjitha anët metaforën vuajtjes dhe të qëndresës, mund të zbulosh një element të çuditshëm të Pano Taçit, që është karakteristikë e poetëve të mëdhenj. Ky element është përqeshja e vuajtjes, humori mbi këtë vuajtje: Koka ime e kositur,/ Si aerodrom me tre viza,/ Mbi tri kodra bërë nga shkopi,/ Ulen si avionë tri miza…

 

Xhevahir Spahiu

Fjalë njeriu për njeriun, mbi e nën dhê

Gjendje dhe gjetje të mirëfillta poetike; shumë pikëllim dhe pak shpresë; hove të fundme dashurore në pleqëri të thelle, – ja ç’na kumton me një thjeshtësi prekëse poeti endacak Pano Taçi, të cilit si burgu, si pasburgu, ia mpakën por s’ia mplakën dot shpirtin rebel dhe ndjeshmërinë thuaj serembiane. Humbellat e dhembjeve dhe ritmi i valëve të një jete të trazuar të pikin në zemër dhe të bëjnë të mendosh se njeriu nuk është një ishull i vetmuar: fati i tij është pjesë e fatit të të gjithëve. Fjale drithëruese, pagëzim gazavaji . Fjalë njeriu për njeriun. Mbi e nën dhê.

 

Kanë thënë për Poetin

 

Isuf Luzaj

Të paskëshe lindur i huaj!…

Pak herë në jetë më ka bezdisur loti, si për fëmijën tim, miq shokë, dashamirë, atdhe dhe popullin tim, siç më dogji faqet e rrudhura dhe më kripi buzët memece, duke lexuar librin poetik “Blerimi” të Pano Taçit. Të paskëshe lindur italian, emri yt do të udhëtonte nëpër shekuj me Silvio Pelliçon dhe Giacomo Leopardin; austriak me Rilken; anglez me Miltonin; spanjoll me Calderonin; argjentinas me Borges; kilian me Neruden; francez me Hygo, La Martin, Musset; amerikan me Frostin. Jam i sigurt se figura jote do të udhëtonte kohët nëpër enciklopeditë euro-amerikane.

 

Luljeta Lleshanaku

 

Një libër i përthyer në të gjitha faqet!…

Mik dhe vazhdues i Lasgush Poradecit, përpiqet të ruajë timbrin e ëmbël, ritmin e qartë si pikat e shiut në çatitë e orëve të vona në shkurt. Megjithatë, poezia e tij s’është kurrë krejt e qetë, ajo është fërkim dy gjendjesh, dy rrymash, të cilat shkojnë në drejtime të kundërta të një barke të madhe, me dallgët që shkojnë në drejtim tjetër, dy resh me ngarkesa të kundërta, një rrufe e thatë që shpon qiellin si nepërka e etur në gusht.

Duke lexuar poezinë e Pano Taçit kemi shfletuar dramën e njeriut të ndershëm, ku te gjitha fletët janë të përthyera në skaj, si cepa të kujtesës, ku të gjitha fletët janë dëshmitare, janë të domosdoshme si brinjë të kafazit ku u përmbyll për aq kohë ai.

 

Vath Koreshi

Pas heshtjes së tij olimpike

Një libër i Pano Taçit është një bashkëbisedim i shkujdesur me të, një rrëfim me zemër në dorë për shtegtimet e shpirtit të tij. Është vështirë ta ndash Pano Taçin njeri nga Pano Taçi poet. Domethënë gjithë ndërtimin e tij fiziko-shpirtëror, heshtjen e tij, ngrysjen e vetullave si për të fshehur xixëllimën e syve, një brengë të tijën, të kushediseçfarët e të përhershme që gjendet prapa heshtjes olimpike, por edhe para romuzit, shakasë së beftë dhe natyrës së tij prej bohemi.

Sadik Bejko

Ai ishte një mrekulli, hokatar dhe tragjik njëherësh

Pano Taçi është një mrekulli si poezi dhe si fenomen. Ai, mbas sa e sa vitesh te burgut dhe te internimit, ruan vitalitetin e shijes së jetës, ruan të gjallë një vijimësi nga poezia e Lasgushit dhe e Ali Asllanit. Hokatar dhe tragjik njëherësh, ai nën pamjen e një plaku ashik e qejfli, mik i tavolinave e i rrugëve, përherë buzagaz, sjell një përvojë të madhe e të thellë të njeriut që u ka kaluar vuajtjeve mespërmes.

 

Nehat Sopaj

Klasiku i fundit

Vazhdues i drejtpërdrejt i poezisë së Lazgush Poradecit, Pano Taçi është mjeshtër i gjuhës shqipe. Në gjithë poezinë e tij, ai është klasiku i vetëm i gjallë.

 

Visar Zhiti

Pano Taçi e pranon me zemër të hapur humorin miqve, bën vetë humor, me një buzëqeshje njerëzore, të padhëmbë, sikur t’i ketë hequr asaj cinizmin, gjithë dritë të butë, por që në brendësi ka dhimbje dhe një dëshpërim të përmbajtur, vetëm të tijën.

 

Edmond Tupja

Shpirtbukur në Parajsë

Vdiq Pano Taçi, rrugaçi, i pabinduri, margjinali, outsider-i, vulëhumburi dhe vetvetegjeturi, i pafati e dhimbjelarti. Edhe sikur Parajsa të mos ekzistonte, do të ishte e nevojshme të shpikej vetëm për atë, poetin e mallkuar, e ndaluar, grushtshtrënguar, zemërmjaltë e shpirtbukur…

 

Pëllumbi i përgjakur

Pjesë nga një bisedë me Pano Taçin, zhvilluar 10 vjet më parë dhe e botuar në shtypin e asaj kohe

Vasil Dede

Poezinë “Pëllumbi im” e kam shkruar në vitin 1946. Tani që po botohet vepra ime e plotë, e përzgjedhur nga vëllai im pa pjesë, Xhevahir Spahiu, ajo është vendosur e para në vëllim. Kjo poezi është shkruar kur unë isha i privuar nga liria në kampin e Valiasit, që ishte edhe kampi i parë i punës së detyruar. Në takimet familjare, si i pasionuar për pëllumbat, të cilët i kisha në shtëpi, iu luta gjyshes të më sillte në takimin tjetër një pëllumb, të cilin do ta mbaja pranë në banesën që kisha me të burgosurit e tjerë dhe që ishte shtëpia e sekuestruar e Familjes Toptani. Dhe gjyshja, pa e zgjatur, ma solli pëllumbin në një kafaz të mbuluar me një beze që ai të mos e shihte rrugën e kthimit. Oficeri i rojes ma lejoi ta merrja pëllumbin, të cilin e vendosa në pullazin e godinës, natyrisht duke mos e lëshuar, por duke e mbajtur të burgosur si edhe ne. Një ditë duke menduar se, mirë ne, e kishim kusur, po ai pse të vuante? Dhe e lëshova. Mendova se nuk do të kthehej kurrë, por, kur u ktheva nga puna vura re që në pullazin e kafazit, ai, i lirë, priste të burgosurit që vinin nga puna! Të gjithë u gëzuam nga që nuk na braktisi dhe pranoi të vuante bashkë me ne. Kur një ditë!…Ah, ajo ditë!…Ndërsa ktheheshim nga puna, e pamë që pëllumbin e kishin vrarë mbi telat e kampit. U pezmatuam të gjithë. Iu luta me lot në sy oficerit të shërbimit të ma sillte pëllumbin e vrarë. Ashtu të gjakosur e mora në duar dhe e varrosa në cep të godinës. Aty, në ato çaste, shkrova dhe vjershën “Pëllumbi im” dhe që ribotohet pas gati 60 vjetësh. Ai pëllumb mbeti brenda shpirtit tim duke kënduar gjithë jetën.

Më pyetët, po tani a mbaj pëllumba? I dua shumë pëllumbat edhe për historinë që të tregova, por s’kam ku t’i mbaj, nuk kam shtëpi. Mbi çatinë e barakës time vijnë vetëm sorra, të cilat unë gjithmonë i tremb dhe u them: “Ikni, jeni herët, unë ende mbaj pëllumbin tim të dikurshëm në zemër”!…

 

Jetë morri

 

Kur tokës, iu zvarrita si morri mbi kurriz,

poshtë këmishës me arna më gjeti mua;

tek kruhej, kur pickoja e bëja ta gudulis,

më zu e me gaz më vuri mbi thua.

 

Bëri të më shtypte, e s’më shtypi dot.

lëkurën koha ma kish bërë prej guri.

morr i uritur, kyçur në qeli të ndotë

bënë çmos të ma shtronte lëkurën druri.

 

E tani, morr i plakur, them të bëj gjumë.

e ç’lëkurë me plagë që kisha tej i hodha.

poshtë këmishës së tokës, u lodha shumë,

më shumë se ç’duhej, nëpër zhele u lodha.

 

Do shtrihem t’i kyç sytë e mi të vrarë,

nga pagjumsia. Do fle pa andralla.

kujdes, mos më zgjoni nga gjumi me të qarë

se loti do m’i djeg të lodhurat kokalla.

 

Kujdes, ngrihem e ju tremb vurkollak

si skelet golle pa asgjë përbrenda.

të tjerë shushunja tokës i pin gjak,

unë q’e giciloja të qeshte, iu rënda.

 

Si morr pa ngjyrë që zvarë, zvarë shkon

nën këmishën e palarë të tokës, ku më vunë

te sqetulla e saj ku djersa i kutërbon,

më bëri të jetoj me përdhunë

nga që e bëja të kruhet.

Do shkoj të shtrihem të bëj gjumë

O soi im i morrit, u lodha shumë,

më shumë se ç’duhet.

 

Duke gicilisur tokën plakë:

kam cimbisur helm e jo gjak.

 

Demokraci

 (Fragment poeme)

 

Me plagë dje,

me plagë sot.

I tharë pa vlagë.

Po nesër, përsëri

me plagë?

 

Mu rrudh ky shpirt që mu ndeh si flatër

gjithë plagë mbi Shqipërinë

me ankthin e kaltër.

 

Ç’të them për demokracinë?!

E gjeta, a më gjeti

me gurin e Sizifit mbi shpinë?

Tek bëra të çaja dallgë vrotometi,

më  erdhi kofini pas të vjeli

varur në hallka çengeli.

………………………………………

A, nuk di…,

më ke pritura apo të kam pritur

demokraci?

Në derë të shoshoqit kush ka trokitur

i pari nga ne të dy?

Me ç’shoh jemi të papërgatitur

Si unë, si ti, të bëjmë dashuri…

………………………………….

Me ç’shoh se për varr mu bë deti

e ëndrrat mu rrudhën,

më bëhet se për te njëri-tjetri të dy,

kemi humbur udhën.

………………………………………

Ku janë vetëtimat

e qiellit të kafkës?

Ku janë bubullimat?

Po krahët e çafkës,

që çajnë tallazet e detit të trazuar?

Deri kur, o tru i bekuar

o ti mendje nur;

Ti e Unë

në gjumë

deri kur?

 

A thua zemrat

janë bërë gur?

Të flas ty, moj demokraci,

në të pëlqen të derdh lot;

ti qenke e sëmurë

dita që pres është larg…

Me plagë dje, me plagë sot,

po nesër, përsëri me plagë?

 

Ka a s’ka Zot?!

 

Në mëhallën e qenve

 

Te bregu i lumit dhomën ma dhanë,

Me mëhallën e qenve zabërhanë,

Streha ku rroja dhunshëm m’u prish,

Që ditën e parë kur qentë më panë,

m’u sulën të më hanë,

U ngjaja kockë pa mish.

 

I thashë komshiut rom, si ta bëj zap

Këtë shpurë qenësh të babëzitur,

Që më bëjnë t’ia mbath me vrap

Tek turren të më hanë, të uritur?

 

Arixhiu më tha: Gaxho, të shpëtosh

Një torbë me kocka bli në pazar,

Si mik shpërndajua që t’i lezetosh

E do shohësh se do gjesh karar.

 

Bëra romi siç më tha,

Një trastë me kocka çdo ditë blej,

Sa më shohin bishtin tundin ata,

E unë dashurinë ua ndiej,

Si plak zabërhan më mbajnë për vëlla.

 

Tanusha

”E, unë Tanushën vetë e kam pa”

 

-nga Eposi-

… … … … … … …

E ndezur prush,

Te bregu i lumit hapin e shtriu.

Kur pa, që s’e shihte askush:

U çvesh, e pylli psherëtiu.

 

Rrobat i la aty përreth.

Diellit i plasi syri.

Vala e lumit u rrënqeth,

Kur Tanusha cullak i hyri.

 

I fshehur rri Zoti përflakur nga malli

Pas brekëve qëndisur me lule,

Që i la Tanusha te zalli.

 

E, unë djalli,

Shikoja si lahej berbecule,

Pas trungut të dardhës, tek rrija atje,

Duke mbajtur me dorë zhulkat prushore,

Se mos binin përdhe,

Dardhat e mia hënore…

 

Një lot

 

Një lot, oh, e desha një lot,

Syu të ma pikojë tatëpjetë,

Rrudhës së faqes së ftohtë

Mbi buzën time të zbehtë.

 

Në bie si hënë e plotë,

E pi për raki të sertë.

 

 

Pordha

(Fragment poeme)

 

Them t’ia marr këngës me pordhë,

Skamjen vetes bëj t’ia qaj,

Të luftosh për një copë krodhë,

Haj e zeza jetë, haj.

 

Buçet pordha në Kuvend.

Pordha blu e pordhë e kuqe,

Një bythë e hedh gjithë shend,

Tjetra një fëndë thuthuqe.

…………………………………….

Në Pazar ku shiten pordhë,

Pordhë që na tymos bytha,

Medet shpresat ç’na i vodhë,

Pordhë e fëndë që të gjitha.

 

Është koha vidh të vjedhim

Pasurohesh me mashtrim,

Pirdh, moj bythë, që të pjerdhim,

Gjyqet që s’kanë mbarim.

 

Ç’është ky popull që me pordhë,

Bën ta thotë të shkretën fjalë?

Dyshas ia presin me kordhë,

Pa zë pordha që t’i dalë.

 

Kur s’ka ç’ham, o Zot pa bythë?

Ti njerinë ta kishe bërë,

Ç’pret, nga një tapë na hidh,

Që t’ia vëmë bythës në vërë.

……………………………………

Tani, Zot, bythës dëgjoja,

Pordha pordhën s’e merr vesh,

Pirdh nga poshtë e pirdh nga goja,

Fëndë e pordhë u bën përshesh.

 

Se me ç’dihet jeta vetë,

Na qenka një pordhë e madhe,

Për ç’më heq ky shpirt i shkretë,

Me pordhë bëj t’i zbus ca halle.

 

Me ç’po bëj një jetë murgu,

Askush s’më troket në derë,

Bëj ta hedh një pordhë burgu,

Prapanica fëndë ma nxjerr.

 

Bythën time që s’zë tule,

Me shqelm fati tej ma hedh,

Ç’e shtyj jetën me fasule,

Më pëlqen mbi gjemb të pjerdh.

 

Bëj t’ia qaj dhimbjen brengës,

Për kadastrën myk të vjetër,

T’i bësh pordhën hipotekës,

Kur për zot të del një tjetër.

……………………………………..

Ç’u pordh dje dhe ç’pirdhet sot,

Turmë e pjerdhur ia fut kot,

Ç’presim ne për mbarë, o Zot,

Pirdh ta pjerdhim këtë botë!

 

Pirdh të pjerdhim, o vëlla,

Me që mendja po na lot,

Ç’pjerdhim ne si fukara,

Populli pordhës ia fut kot.

 

Tiranë,  korrik 2008

 

 

Jeta

Poeti lindi në Gjirokastër më 1929. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Tiranë. Ka botuar që në moshë të re në revistën “Bleta” me ndërmjetësinë e Lasgush Poradecit. Më 1944 inkuadrohet në Brigadën 24 të UNÇl. Pas Luftës vazhdon shkollën, po më 1947 arrestohet dhe vuan afro çerek shekulli, burgime e internime nëpër burgje e kampe përqendrimi si kundërshtar i regjimit. Pano Taçi është i përzgjedhur në Bibliotekën Tragjike Botërore në Irlandë midis 400 poetëve të gjallë të këtij shekulli, që më shumë se tituj librash ka vite burgu. Pas rrëzimit të diktaturës jetoi i vetmuar deri në fund të jetës së tij më 13 qershor 2012. Shkroi e botoi përmbledhje gati 20 vëllime poetike, drama e kujtime. Është vlerësuar nga kritika si një poet i veçantë, dhe ka marrë disa çmime letrare brenda dhe jashtë vendit

 

 

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *