(Vijon nga numri i kaluar)
Mosbindja e Tiranës ndaj diktatit të Kremlinit në muajt e parë të vitit 1961, veçanërisht kundërshtimi i Enver Hoxhës e udhëheqjes shqiptare ndaj planit sovjetik për Bazën Ushtarake Detare të Vlorës, kanë inatosur në kufijtë ekstremë Nikita Hrushovin e udhëheqjen sovjetike, të cilët miratojnë dhe nisin realizimin e planit të ndëshkimit të Shqipërisë. Sipas arkivave sekrete ruse, përkatësisht tri dokumenteve sekrete në pak dit,(përfshirë në studimin e autorëve Hamit Kaba e Ethem Çeku), Hrushovi urdhëron tërheqjen e mjeteve ujore nga Baza e Vlorës, shpalljen ‘Non Grata’ të gjeneral-major Halim Ramohitos, përfaqësuesit të Shqipërisë në ‘Shtabin e Traktatit të Varshavës’ në Moskë dhe largimin e kursantëve dhe studentëve shqiptarë që studionin në Bashkimin Sovjetik…
(Shënim i ministrit të Mbrojtjes të BRSS, R. Ja. Malinkovskij dhe i zëvendësministrit të Punëve të Jashtme të BRSS, V.V. Kuznjecov për Komitetin Qendror të Partisë Komuniste të BRSS)
Më 20 maj 1961
Tepër sekret
Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të BRSS
Shoku Firjubin njofton, se delegacioni shqiptar refuzoi të fillojë bisedimet për çështjet e evakuimit të forcave luftarake-detare sovjetike dhe teknikës nga Vlora, duke iu referuar faktit se gjoja, qeveria sovjetike pengon kursantët shqiptarë në Bashkimin Sovjetik (telegram nga Tirana Nr. 331-334). Kreu i delegacionit shqiptar deklaroi, se ai e “ndërpret mbledhjen e komisionit, derisa qeveria sovjetike të njoftojë për masat e marra, për zbatimin e menjëhershëm të vendimit të qeverisë shqiptare, mbi kthimin në atdhe të ushtarakëve të flotës luftarake-detare, që ndodhen në Bashkimin Sovjetik”. Kreu i delegacionit shqiptar, këtë herë, bëri akuza shpifëse ndaj organeve sovjetike.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Mbrojtjes e BRSS e konsiderojnë të përshtatshme që, të ngarkohet ambasadori sovjetik në Tiranë t’i paraqesë një deklaratë ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, me anë të së cilës, të protestohet për akuzat e bëra, si krejtësisht të pabazuara dhe të këmbëngulë në zhvillimin e bisedimeve me palën shqiptare, për çështjen e evakuimit të forcave luftarake-detare dhe të teknikës ushtarake nga baza e Vlorës. Njëkohësisht, të deklarohet, se qeveria sovjetike nuk ka ndërmend që të mbajë kursantët shqiptarë në Bashkimin Sovjetik dhe se do të japë ndihmesën e duhur për kthimin e tyre në atdhe.
Bashkëngjitur Projekt-Vendimi.
Ju lutemi njihuni me përmbajtjen e tij.
V. Kuznjecov
R. Malinovski
(Burimi:KPSS, RGANI, F. 3. Op. 12, D. 913, L. 5. Origjinal).
* * *
(Vendim i Presidiumit të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste
të Bashkimit Sovjetik, “mbi deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike për ambasadorin e Shqipërisë në Moskë, lidhur me akuzat
antisovjetike të atasheut ushtarak shqiptar, Ramohito”)
Më 20 maj 1961
Tepër sekret
Protokoll 329/21
Teksti i deklaratës verbale drejtuar ambasadorit të Republikës Popullore të Shqipërisë në Moskë.
N. Hrushov, Sekretar i KQ të PKBS
Tek pika 21 prot. nr. 329
Sekret
Ministrisë së Punëve të Jashtme, të Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike i është bërë i ditur qëndrimi i atasheut ushtarak të Republikës Popullore të Shqipërisë, gjeneral-major Ramohito.
Nga 17 maji i këtij viti, gjatë kohës së qëndrimit të tij në Leningrad, gjeneral-majori Ramohito, në bisedat me kursantët shqiptarë që studiojnë në shkollat ushtarake sovjetike, si edhe me studentët shqiptarë të Universitetit të Leningradit, ngriti shpifje brutale në drejtim të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe të qeverisë sovjetike.
Në lidhje me këtë, Ministria e Punëve të Jashtme të Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike e konsideron të pamundur, qëndrimin e tij në Bashkimin Sovjetik dhe pret nga ambasada, të merren masat përkatëse të menjëhershme.
(Burimi:KPSS, RGANI, F. 3. Op. 14, D. 476, L. 39. 81. Origjinal).
* * *
(Udhëzim i N.S.Hrushov për ministrin e Jashtëm të BRSS, A.A. Gromiko për përgatitjen e një dokumenti mbi Shqipërinë)
Më, 29 qershor 1961
Tepër sekret
P 335/VI
Lidhur me veprimet e pandërprera jo miqësore të qeverisë së Shqipërisë, që çojnë në përkeqësimin e marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike, është e domosdoshme që t’i dërgohet qeverisë së Shqipërisë, një propozim në formë letre apo note proteste nga Ministria e Punëve të Jashtme, të Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike.
Shoku Gromiko, mbi bazën e shkëmbimit të mendimeve në seancën e Presidiumit të Komitetit Qendror, ngarkohet të përgatisë një dokument, i cili, më pas t’iu dërgohet edhe udhëheqësve të vendeve socialiste.
N. Hrushov, Sekretar i KQ të PKBS
(Burimi: KPSS, RGANI, F. 3, Op. 14, D. 486, L. 3. Nr. 82. Origjinal).
* * *
(Shënime të ministrit të Punëve të Jashtme të Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike, A. A. Gromiko, në Komitetin Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik)
Më 23 qershor 1961
Tepër sekret
Ekzemplar nr. 2
Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik.
Më 22 qershor të këtij viti, ambasadori i Shqipërisë Nesti Nase, vizitoi Ministrinë e Punëve të Jashtme të Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike dhe u përpoq që të dorëzojë një notë proteste, të ambasadës së Republikës Popullore të Shqipërisë në Moskë, në të cilën me një ton të papranueshëm dhe të ashpër theksohej se, gjoja, Bashkimi Sovjetik ka kryer rrëmbimin e paligjshëm të dy anijeve të vogla anti-nëndetëse, gjë për të cilën, qeveria shqiptare ka bërë protestë të vazhdueshme. Nota e protestës përmbante edhe pohime e shpifje brutale ndaj qeverisë sovjetike. Veç kësaj, në formë kërcënuese u njoftua se qeveria shqiptare ruan të drejtën për të ndërmarrë hapa të mëtejshëm, lidhur me dy anijet e vogla anti-nëndetëse sovjetike, të cilat ndodhen në Sevastopol.
Duke mbajtur parasysh tonin e palejueshëm dhe akuzat vulgare kundër qeverisë së Bashkimit Sovjetik që përmbante nota e protestës, kjo e fundit nuk u pranua, kurse ambasadorit shqiptar iu kthye përgjigjja përkatëse, në frymën e deklaratës së qeverisë sovjetike të 17 qershorit, dhe të letrës së shokut Kosigin drejtuar qeverisë së Republikës Popullore të Shqipërisë, më 16 prill të këtij viti.
Duke patur parasysh, se për çështjen e pretendimeve të paligjshme, lidhur me mjetet luftarako-detare sovjetike, pajisjet teknike dhe në veçanti të dy anijeve të vogla anti-nëndetëse sovjetike, iu dha përgjigje e plotë më 7 qershor të këtij viti, ambasadorit Nesti Nase, nga zv.ministri i Punëve të Jashtme të Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike, shoku V. V. Kuznjecov, dhe se shqiptarët iu drejtuan për të dytën herë, po për këtë çështje, shoku N.P. Firjubin (zëvendësministër i Punëve të Jashtme të BRSS) më 17 qershor të këtij viti theksoi, se Ministria e Punëve të Jashtme të Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike e konsideron të papërshtatshme që t’iu përgjigjet me shkrim shqiptarëve dhe kufizohet vetëm në deklaratën verbale, që iu parashtrua ambasadorit të Shqipërisë në Moskë, Nesti Nase, më 22 qershor të këtij viti, mbështetur në dokumentacionin e lartpërmendur.
Gromiko
(Burimi: KPSS, RGANI, F. 3, Op. 12, D. 929, L. 9. Nr. 82. Origjinal).
NDIHMESË PËR DOKUMENTET
-V. V. Kuznjecov (1901-1990). Në vitet 1955-1977 ishte zëvendës i parë i Ministrit të Punëve të Jashtme të BRSS. Nga tetori i vitit 1977 – zëvendës i parë i Kryetarit të Sovjetit Suprem të BRSS. Në vitet 1977-1986 – kandidat për anëtar i KQ të PKBS.
-Projekt-Vendimi(dokumenti i mësipërm) iu dërgua V. V. Kuznjecovit. Në projekt-vendim është shënimi: “Miratuar sipas pyetjeve verbale të shokut Kuznjecov, në seancën e Presidiumit të PKBS. Formuloi më 20. 05.1961 V. N. Malin. Fondi 5. Inventari 12. Dosje 814. Faqe 27. Në një fletë të veçantë është porosia “Shokut V. N. Malin.”. Në formulim koordinuar me shokun N. S. Hrushov dhe M. A. Susllov. V. Kuznjecov më 19 maj 1961”. (Fondi 3. Inventar 12. Dosje 914. Faqe 29).
-Në seancë ishin të pranishëm: anëtarët e Presidiumit të KQ të PKBS: L. I. Brezhnjev, F. P. Kozllov, A. N. Kosigin, O. V. Kuusinen, A. N. Mikojan, N. A. Muhitdinov, E. A. Furceva, N. M. Shvernik dhe kandidatët për anëtarë të tij, G. I. Voronov, V. V. Grishin, P. N. Pospjellov. Kryesoi seancën N. S. Hrushov. Protokollin e seancës e firmosi N. S. Hrushov. Çështjen e përgatitën dhe e parashtruan N. S. Hrushov, A. N. Mikojan. Kopja nga protokolli iu dërgua F. R. Kozllovit, A. A. Gromikos, ju. V. Andropovit.
-A. N. Kosigin (1904-1980). Në vitet 1959-1960 ishte Kryetar i Planit të Shtetit të BRSS. Në vitet 1960-1964 – zëvendës kryetar. i parë. Në vitet 1964-1980 ishte Kryetar i Këshillit të Ministrave të BRSS. Në vitet 1948-1952 dhe 1960-1980 ka qenë anëtar i KQ të PKBS, anëtar i Byrosë Politike (Presidiumit) të KQ të Partisë Komuniste Panruse Bolshevike, PKBS.
NESËR DO TË LEXONI:
-Informacionin e datës 31 korrik 1961 të Ambasadës ruse në Tiranë drejtuar Kremlinit mbi marrëdhëniet e Shqipërisë me Jugosllavinë dhe Greqinë.
-Çfarë ndodhi mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë deri në vitin 1950 kur u ndërprenë marrëdhëniet diplomatike, situata deri në fund të vitit 1953 . Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave mbetën në një situatë të tillë, deri në fund të vitit 1953 kur u rivendosën marrëdhëniet.
-Objeksionet e Kremlinit lidhur me zigzaget e marrëdhënieve Shqipëri-Jugosllavi dhe ndikimi i tyre në situatën në Ballkan.

Lavdi Enver Hoxhes!
Ore! Po pse i paska kundershtuar kaq shumer Enveri sovjetiket… Kete na e thone arkivat sekrete ruse, kurse ne kohen e mbreterimit te Sali merhumit cfare nuk jane thene kunder Enverit se ‘e shiti Shqiperine’… Ore! Me duket se kerta ruset ja fusin kot, pasi Salinjte e Shqiperise jane te pagabueshem…. Se ja, Sala e veshi Shqiperine ne zi me 1997, vrau me 21 janar, vrau ne Gerdec per xhepat e veta, e tani thorte qe behuni gati, ‘Perpara’ te marrim pushtetin, pasi 1 milion vota-shuplake, i ka dhene injoranti popull qe nk di ta vleresoj kete fare burri….
Ha, ha… i lezecem e ironik ky ‘Kosovari’…..