Flamurtari e pa paguar me tri pikë dhe katër javë në fushë asnjanëse incidentin me presidentin e Skënderbeut, Ardian Takaj. Ky i fundit u godit nga një tifoz teksa ishte duke ndjekur ndeshjen midis dy skuadrave, të cilën e fitoi Flamurtari 2-1. Fitorja e skuadrës vlonjate nuk është ndryshuar, duke mbetur në fuqi rezultati që u arrit në fushë, çka do të thotë se Skënderbeu nuk përfiton nga dënimi i kundërshtarit. Komisioni i Disiplinës dje ka vendosur heqjen e tri pikëve si masë ndëshkimore, ndërkohë që edhe e ka dënuar skuadrën vlonjate të luajë për katër javë në fusha asnjanëse, për shkak të dështimit “në përmbushjen e përgjegjësive për sigurinë e zyrtarëve të klubit kundërshtar, diskriminim të ekipit kundërshtar dhe përgjegjësi për sjelljen e spektatorëve”.
Komisioni i Disiplinës ka dënuar me po kaq ndeshje në fushë asnjanëse edhe Kukësin, për hedhje të sendeve të forta në fushë gjatë takimit me Vllazninë. Skuadrës shkodrane i është dhënë edhe fitorja 3-0 në tavolinë, një rezultat që pak e ndryshon tabelën e renditjes, pasi kuqeblutë edhe në fushë kishin fituar 3-1. Rezultati i ri vetëm sa e nxjerr Kukësin në vendin e fundit, tani me golaverazh 0-4. Klubi i Laçit është ndëshkuar me 500 mijë lekë gjobë për mangësi në organizimin e takimit me Partizanin, ndërsa Besa është paralajmëruar për sjelljen e tifozëve të saj pas takimit me Teutën. Në rast përsëritjeje, skuadra kavajase dënohet direkt me dy ndeshje në fushë neutrale. Pas vendimeve të djeshme, në krye të tabelës del Teuta, me katër pikë, po aq sa Laçi e Tirana, veçse me më tepër gola të shënuar në krahasim me dy skuadrat e tjera.
Renditja pas vendimeve të Disiplinës
N Skuadra P Gol F B H
1 Teuta 4 4:3 1 1 0
2 Laçi 4 1:0 1 1 0
3 Tirana 4 1:0 1 1 0
4 Flamurtari 3 3:1 2 0 0
5 Vllaznia 3 3:1 1 0 1
6 Partizani 3 2:1 1 0 1
7 Skënderbeu 3 2:2 1 0 1
8 Bylis 3 2:2 1 0 1
6 Lushnja 3 1:1 1 0 1
10 Besa 1 2:3 0 1 1
11 Kastrioti 0 0:3 0 0 2
12 Kukësi 0 0:4 0 0 2

ore ky Takua vodhi 2 kampionate dhe nje grusht e ka pak