Në mëngjesin e 20 janar 1961, ditë e premte, John Fitzgerald Kennedy bëri një ndalesë në kishën katolike të Trinisë së Shenjtë të Georgetoën dhe pastaj bëri një takim me presidentin në ikje, republikanin Dwight Eisenhower. Së bashku shkuan në Kapitol Hill për ceremoninë e betimit të fillimit të mandatit të ish senatorit nga Massachusetts si presidenti i 35-të i Shteteve të Bashkuara.
“Sot nuk shohim fitoren e një partie, – filloi ai – por po festojmë lirinë. Është simbolikisht një fillim, një rinovimin, si dhe një ndryshim. Bota sot është ndryshe. Sepse njeriu ka në duar pushtetin për të larguar të gjitha format e varfërisë njerëzore dhe të gjitha format e jetës njerëzore”. Presidenti i ri njoftoi se me zgjedhjen e tij “pishtari i kishte kaluar një brezi të ri amerikanësh”. Ai donte të theksonte se brezi i ri do të ishte i gatshëm të mbronte me të gjitha mjetet, “të drejtat e njeriut ndaj të cilave ky komb ka qenë gjithnjë e dedikuar”.
“Çdo komb duhet të dijë, ai që na do apo jo, që do të paguajmë me çdo çmim, do të mbajmë çdo barrë, do të përballojmë çdo vështirësi, do të mbështesim çdo mik, do të kundërshtojmë çdo armik për të siguruar sigurinë dhe suksesin e lirisë”.
Tre ditë më vonë, e hënë, 23 janar 1961, një avion luftarak B-52 i Forcave ajrore amerikane u nis nga një bazë pranë Goldsboro, në Karolinën e Veriut për radhën e “airbone alert”: plani i patrullimit në fluturim, nga ana e avionëve që transportonin raketa bërthamore, nga kufijtë e bllokut perëndimor. Plani i tij i fluturimit parashikonte një rrugë të gjatë rrethore përgjatë bregdetit lindor të Shteteve të Bashkuara.
Pas më shumë se dhjetë orë pas ngritjes, rreth mesnatës, avioni iu afrua një aero-cisterne për furnizimin e dytë me karburant. Ekuipazhi i aero-cisternës vuri re që nga krahu i djathtë i B-52 derdhej karburant. Në rreth dy minuta, bombarduesi humbi dhjetëra mijëra litra. Nga baza në tokë i thanë pilotit Walter S. Tulloch, që të shkarkonte në oqean pjesën tjetër dhe të përgatitej për një ulje emergjente.
Gjërat filluan të shkojnë keq kur ata nuk arritën të zbraznin karburantin e krahut të majtë. Çekuilibri në shpërndarjen e peshës bëri që piloti të humbiste kontrollin e avionit. Duke parë emergjencën, Tulloch i dha urdhër ekuipazhit që ta braktiste. Katër njerëz, përveç Tulloch, arritën të largoheshim dhe të mbijetonin, tre të tjerë vdiqën në përplasje.
B-52 transportonte dy bomba hidrogjeni të tipit Mark 39, secila me një fuqi prej 4 megaton: dyqind e pesëdhjetë herë më e madhe se bomba që shpërtheu në Hiroshima. Në krahasim me disa vjet më parë, teknologjia kishte evoluar dhe nuk ishin më të nevojshme mekanizma komplekse për futjen e bërthamës radioaktive brenda bombës. Tek Marku 39, materiali ishte i vendosur brenda bombës, i gatshëm për t’u përdorur.
Gjatë rënies së pakontrolluar të avionit, një nga bombat Mark 39 ra. Telat që shërbenin për ta mbajtur u këputën dhe bomba veproi sikur të kishte një shënjestër, duke nisur mekanizmin e shpërthimit. Gjeneratorët aktivizuan bateritë termike në tension të ulët. Dy parashutat u hapën për të ngadalësuar rënien. Çelësat barometrikë u mbyllën dhe koha përfundoi duke aktivizuar bateritë termike të tensionit të lartë. Bomba goditi tokën në një fushë pranë Faro, Karolina e Veriut. Kristalet piezo-elektrik në majë u grimcuan, duke dërguar sinjalin e shpërthimit.
Por bomba nuk shpërtheu. Pas disa orësh, stafi i Forcave Ajrore e gjeti atë të ngulur në tokë, në pozicion vertikal, me parashutën të ngecur në degët e një peme. Bomba tjetër në bordin e B-52 u përplas me tokën pas një rënieje të lirë duke u shkatërruar, por pa shpërthyer.
“Incidenti i Goldsboros” është vetëm njëri prej një serie të gjatë episodesh, si ai i Palomares apo i Mars Bluff, që përfshinte bombat atomike të arsenalit të SHBA-së. Gradualisht, deklasifikimi i dokumenteve konfidenciale të Pentagonit dhe puna e disa historianëve dhe gazetarëve, zbulon një panoramë shqetësuese të gabimeve trashanike dhe rastësive fatkeqe dhe të rrezikshme në lidhje me programin bërthamor të Shtetet e Bashkuara.
Incidenti i Goldsboros u rindërtua për herë të parë vetëm në vitin 2013, nga libri i Erich Schlosser “Command and Control” dhe është publikuar nga shtypi amerikan në fund të atij viti. Në vitet e ardhshme është shumë e lehtë që të dalin në dritë incidente të tjera të ngjashme, dhe është më se e arsyeshme të mendojmë se shumë nga këto do të mbeten të panjohura për një kohë të gjatë, duke pasur parasysh vështirësinë e madhe në qasjen në dokumentet e arkivave të Bashkimit Sovjetik, një tjetër superfuqi bërthamore pas Luftës së Dytë Botërore, dhe ku nuk është e vështirë të imagjinohet se incidente të tilla kanë qenë po kaq të përhapur.
Kjo nuk do të thotë se incidenti nuk ka qenë i njohur prej kohësh për një numër të vogël njerëzish: në vitin 2010, një video e Sandia National Laboratories, autoriteti amerikan që merret me sigurinë e arsenalit bërthamor, rindërtoi në një video incidentin e Goldsboros si material informativ për përdorim nga punonjësit e tij.
Por mbetet një pyetje: Pse bomba nuk shpërtheu? Në momentin e nisjes dhe gjatë rënies, të gjithë sistemet e sigurisë të Mark 39 për të evituar një shpërthim aksidental nuk kishin funksionuar, me përjashtim të njërit.
Një çelës në kabinën e pilotazhit të avionit në momentin e fatkeqësisë, ishte në pozicion “Safe” në vend të “ground”, apo “air”. Për këtë e ashtuquajtura X-Unit, njësia që menaxhon detonatorët e bombës, nuk ishte e karikuar, falë së cilës Karolina e Veriut nuk u shkatërrua nga një shpërthim bërthamor.
Por teknikët e programit bërthamor që rindërtuar incidentin në javët në vijim kuptuan diçka shumë shqetësuese. I vetmi sistem i sigurisë që kishte bërë punën e tij nuk ishte i besueshëm. Në vitet e mëparshme, rreth tridhjetë incidente kishin të bënin pikërisht me çelësin me tre pozicionet “Safe/Ground / Air” që pavarësisht se ishte instaluar në të gjitha avionët luftarakë të Komandës Ajrore Strategjike, kishte defektin që funksiononte vetëm me një sinjal të shkurtër me tension të ulët.
Ishte e lehtë që ai sinjal të gjenerohej nga një qark i shkurtër, apo një problemi elektrik, që kishte shumë të ngjarë të ndodhnin në një avion B-52 të dëmtuar që precipiton nga mijëra metra lartësi.
Muaj më vonë, në vitin 1963, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert McNamara u tha disa zyrtarëve të Pentagonit se në Karolinën e Veriut, “falë një marzhi të vogël probabiliteti, pra fakti që dy fijet nuk u takuan, shmangën një shpërthim bërthamor”. Lajmin për këtë incident e mori në ditën e katërt të detyrës, ndërkohë që ende po mësohej me idenë se ishte kreu i sistemit ushtarak të një prej superfuqive botërore. Lajm që për të ishte një paralajmërim se sa e vështirë do të ishte puna e tij. Të drejtat e njeriut në botë dhe fuqia amerikane duhej të mbroheshin duke paguar “çdo çmim”, tha Kennedy në momentin e ardhjes në pushtet. Incidenti i Goldsboros duhet t’i ketë dhënë idenë McNamaras se sa i lartë mund të ishte ai çmim. /DITA