Incidenti mbi urën e Ibrës “ngre në këmbë” Prishtinën dhe Beogradin

Edona Llukacaj

Mbrëmbjen e kaluar një 17-vjeçar me përkatësi etnike serbe ka marrë një plagë me thikë teksa u përlesh me një grup të rinjsh shqiptarë. Incidenti ka ndodhur mbi Urën kryesore mbi lumin Ibër të Mitrovicës.

Ndonëse sipas autoriteve policore të qytetit, ngjarja është ende nën hetim, lajmi është pasqyruar në mjaft media ndërkombëtare, përfshi edhe VoA e DW, për shkak të reagimeve që erdhën në lidhje këtë ngjarje nga udhëheqësit në Prishtinë dhe Beograd.

Ashtu edhe si keto dy media ndërkombëtare raportuan, kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka dënuar ashpër incidentin, duke e quajtur të izoluar, dhe i kërkuar organeve të drejtësisë që të zbardhin sa më shpejt rastin dhe të kapen autorët.

Ai u shpreh: “Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve të saj dhe në vazhdimësi ka qenë shembull i tolerancës dhe diversitetit. Veprimet e tilla janë raste të izoluara dhe asnjëherë nuk do të cenojnë paqen dhe sigurinë në vend”.

Nga ana tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se incidenti ndëretnik është i rëndë, duke theksuar, edhe një herë, se hapja e urës mbi lumin Ibër është e rrezikshme.

Ai u shpreh: “Sulmi ndaj një të riu serb në Mitrovicën Veriore tregon se sa e rrezikshme është hapja e Urës së Ibrit. Ekziston një adhurim i shqiptarëve me veriun e Kosovës. Këto janë gjëra dhe lajme të këqija. Kjo është arsyeja pse unë them se sa e rrezikshme ishte të hapej Ura e Ibrit, pasi dëshira e shqiptarëve është Veriu i Kosovës dhe rruga e ‘Mbretit Petar’ në Mitrovicë”.

Ish kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka reaguar ndaj deklaratave të Vuçiç, duke i kërkuar presidentit serb që “këtë rast të izoluar të mos e përdorë për interesa personale që e cenojnë sigurinë e Kosovës dhe rajonit”.

Veseli u shpeh: “Loja që Aleksandër Vuçiq po luan, për interesa të tij të ngushta dhe për konsum të brendshëm politik, është në dëm të bashkëqytetarëve tanë serbë të Kosovës. Deklarata e tij ka për synim cenimin e sigurisë së Kosovës dhe dëmtimin e stabilitetit rajonal. Prandaj, i bëj thirrje Beogradit, që të heqë dorë nga provokimet dhe të lërë bashkëqytetarët tanë serbë rehat të lirë”.

Duke nënvizuar se në vendet e Kosovës  ku jetojnë serbët nuk ka konflikte mes tyre dhe shqiptarëve, Veseli shton: “Problemet ekzistojnë vetëm aty ku Serbia ka interes që të shkaktojë konflikt. Kosova është një shtet evropian demokratik, multi-etnik që garanton maksimumin e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve jo-shumicë dhe kurrsesi nuk do të lejojë krijimin e mureve artificialë të ndarjes apo urrejtjes ndëretnike”.

Ura mbi Lumin Ibër që disa herë pas luftës ka qenë arenë përleshjesh ndëretnike, e ndanë qytetin e Mitrovicës në dy pjesë, veriu i banuar me shumicë serbe dhe jugu me shumicë shqiptare. Ura vazhdon të jetë e mbyllur për qarkullim, ndërsa një projekt i Komisionit Evropian për rikonstruktimin e saj po vazhdon, ndonëse, sipas planifikimeve, ura do hapej për qarkullim para dy viteve.

e.ll./dita

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *