Lazarati hakmerret ndaj Policisë për aksionet antidrogë dhe kundër armëve, që kanë rinisur prej një muaji, pas dyshimeve se banorët strehojnë të tjera arsenale dhe sasi narkotiku në vende të fshehta.
Të paktën gjashtë aksione të suksesshme të javëve të fundit, me disa të arrestuar dhe të tjerë në kërkim, përfunduan me sekuestrimin e dhjetëra armëve të lehta dhe të rënda, si dhe mbi 2 kuintalëve lënde narkotike marijuanë.
Patrullimet e uniformave blu dyshohet se janë bërë shkak që dje rreth orës 14:00, në mënyrë të befasishme dhe pa leje në Komisariat, 50-60 nxënës të shkollës 9-vjeçare dhe të mesme “Muhamet Gjollesha” në Lazarat, të protestonin fillimisht me parulla në mënyrë paqësore dhe çuditërisht u shndërruan të dhunshëm pa asnjë shkak. Sulmeve të tyre me gurë, domate, vezë dhe hunj gardhi nuk i shpëtuan dot 3 efektivë të policisë lokale, ndërsa 3 automjete u dëmtuan rëndë.
Sipas pamjeve dhe dëshmitarëve binte në sy fakti se shumë prej tyre mbanin fytyrën me shami të mbuluar, që të mos identifikoheshin. Policia shoqëroi 19 të dyshuar, mes tyre 2 gra me precedentë të mëparshëm në sulmet ndaj policisë në 1998 dhe në qershor të këtij viti.
Po hetohet për të gjetur organizatorët e protestës së paligjshme, pasi dyshohet se kontingjente krimi që u janë prekur interesat kanë nxitur protestën, bashkë me disa mësues të shkollës.
Protesta kundër policisë
Pavarësisht dhunës fizike, uniformat blu, me përforcime nga specialet dhe FNSH me autoblinda, nuk u kundërpërgjigjën me forcë, por bënë shpërndarjen e protestës në mënyrë paqësore. Në thirrjet dhe parullat e nxënësve dallohej përsëritja e fjalëve “Policia jashtë Lazaratit!”. Autoritetet vendore mohuan të kishin dijeni për protestën, ndërsa tubimi u ka mbetur si përgjegjësi nxënësve të shkollës.
Policia e Gjirokastrës nisi hetimet e menjëhershme dhe do të pyesë pas analizimit të pamjeve filmike të protestës, nxënësit që dhunuan policët dhe makinat, stafin pedagogjik dhe autoritetet vendore. Gjithashtu do të kërkohen tabulatet telefonike për të zbuluar edhe mesazhet e nxënësve me persona kontingjent krimi, apo të zgjedhur vendorë që qëndrojnë pas protestës.
Burime nga Policia e Shtetit thanë se “protesta dyshohet të ketë prapavijë dhe e organizuar me qëllim që të sulmohej policia në shenjë hakmarrje për aksionet antidrogë”. Pasditen e djeshme situata ka qenë e qetë dhe autoblindat e policisë kanë vijuar patrullimin normal në rrugët e fshatit Lazarat. Gjithçka zgjati 30 minuta dhe u shoqërua me shumë tensione, deri në mbërritjen e përforcimeve.
***
U dhunuan edhe gazetarët
Mësohet se breshërive të gurëve nuk i shpëtuan as grupet e xhirimit të medieve apo gazetarët në vendngjarje. Nxënësit pretendojnë se policia nuk u është përgjigjur në një thirrje për ndihmë dy ditë më parë, ndaj edhe dje organizuan protestën.
Por nuk shpjeguan dot thirrjet për dëbimin e bluve nga fshati dhe pse protesta degjeneroi në dhunë fizike. Burime zyrtare thanë se policët e lënduar kanë plagë të lehta në gjymtyrë dhe fytyrë, pa asnjë rrezik, kurse mjetet janë dëmtuar më rëndë nga gurët.
Bashkë me prokurorinë kanë nisur hetimet për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve përgjegjës dhe pritet të ketë ndalime.
Një prej gazetareve në vendngjarje, Eri Baço, e grupit të xhirimit News 24, do deklaronte se një prej gurëve e goditi edhe atë në pjesën e shpatullës, teksa policia e mori në mbrojtje. Ajo dëshmoi se një pjesë e protestuesve ishin edhe të maskuar.
***
Deklarata e Policisë
“Deri në këto momente janë shoqëruar 19 persona, ndërmjet tyre dy femra, dhe po punohet për shoqërimin e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje. Disa prej femrave që sulmuan me gurë, kanë qenë aktive edhe në sulmin me armë në 1998 apo gjatë operacionit të qershorit”, tha Policia e Gjirokastrës. Dyshohet se protesta është organizuar nga persona kontingjent krimi dhe që u janë cenuar interesat në aksionin antidrogë. “Bëjmë thirrje ndaj prindërve të fëmijëve që t’i mbajnë nën kontroll ata. Gjithashtu edhe Drejtoria Arsimore të verifikojë mësuesit problematikë, pasi ka dyshime se disa prej tyre kanë nxitur këto veprime”, thuhet në deklaratën e policisë vendore.
***
Aliko: S’isha në fshat
Në Gjirokastër gjendej dje edhe zëvendësdrejtori Altin Qato, që drejtoi operacionin bashkë me drejtuesit vendorë të policisë. I pyetur nga media, kryekomunari i Lazaratit, Dasho Aliko, tha se “nuk kam asnjë informacion për situatën dhe nuk ndodhem në fshat”. Deri tani policia ka kapur në Lazarat mbi 70 tonë drogë, 134 mijë bimë narkotike dhe mijëra armë të lehta e të rënda, laboratorë droge dhe pajisje të tjera, me vlerë monetare të paktën 1 miliardë euro.

Kjo proteste koken e organizimit e ka ne Tirane e padyshim nga Adolf Berisha, i cili nuk mund te pajtohej me progres -raportin ku vletesohej puna e qeverise dhe e policise ne eleminimin e Lazarat Columbia e Dukagjin. Largimi i Kryekomunarit Dasho Aliko ate dite nga Lengaraqi eshte skenar tipik mafioz dhe “protesta” eshte e mire organizuar, ligji te veproje me force per te lare esapet me mbetjet e bandave te droges ne kete komune.
Pse nuk thuani se sherrin e ka nise policia se kan ngacmuar nje vajze.Ka dasht Zoti e ka edhe media te pamvarura qe nuk u lene te genjeni.