Megjithëse eci me hap të shpejtë për aq sa e lejonte mosha, deputeti Sabile Risha mësohet se nuk e kapi dot në kohë mbledhjen e kryesisë së partisë javën e kaluar. Udhëzimet e rrepta të përcaktuara nga kryetari Lulrrafsha Mosuvrafsha për fillimin e mbledhjes në orar fiks, bënë që Sabiles t’I shkonin djersët vuu nga sikleti.
Në fakt, ishte një ato ditë kur Sabile Risha vendosi të shkojë me këmbë në zyrat e partisë. Por gjithçka i eci ters. Nga nxitimi, kishte veshur gabim çorapet: Të majtën e kishte vënë në këmbën e djathtë dhe anasjelltas, kështu që u detyrua t’i ndërrojë me shpejtësi.
“Ta marrë e mira, u bëra vonë”, tha i moshuari i cili në vijim, ndërroi tre kollare para se të bindej se kishte vënë nuancën e duhur blu.
Si të mos mjaftonte kjo, atë ditë semaforët e këmbësorëve rastisën të kuqe.
“I keni parasysh semaforët e rinj që numërojnë sekondat”, tha sekretarja e Sabiles, e cila që kur shefi u largua nga kryetar partie, qan rregullisht dy herë në ditë, “mua s’ma heq njeri nga mendja që ato i kishte kurdisur Erion krimi i bashkisë, për të qëndruar të kuqe më shumë se zakonisht”.
Por pengesa tjetër ishte dhe më flagrante: Duke parë Sabilen që po ecte me këmbë drejt zyrës, të gjithë kalimtarët e shoferët u shndërruan në paparacë. Gjithsekush nxorri celularin dhe nisi të xhironte e fotografonte të shkretin, duke e përshëndetur: “Akoma gjallë ti?”.
Por ndërkaq anëtarët e tjerë ishin mbledhur dhe mbledhjen e kishte filluar vetë kryetari i ashpër dhe rigoroz Lulrrafsha Mosuvrafsha.
Sabilja hyri, kërkoi falje i turpëruar për vonesën, shpiku aty për aty një gënjeshtër, “kisha një telefonatë me Putinin” dhe bëri të ulej, por hasi në vështrimin kritik të Lulit.
Ky i fundit ruajti etikën dhe nuk tha asgjë, por nuk ja kurseu një gjest kuptimplotë: I tregoi me gisht orën e vet të dorës, si për t’i thënë, “je vonë, plako!”
Shënim: Gojët e Liga mbetet rubrikë satirike, megjithëse ngjarja e mësipërme ka shumë gjasa të jetë afër realitetit.

LULI ASKEND DHE PER ASGJE,SODOMOS KUR SHIKON DIC SHQIPTARE, NUK E SHIKON DREJT, PERVC VETES-PRAPNICES SE TIJA.