Industria e mbetjeve dhe të mbeturit në klasë

redaktor

Nga Illo Foto

Disa i quajnë armët plehra dhe disa të tjerë, plehrat i quajnë armë. Tre herë është trajtuar ky problem në Parlamentin shqiptar. Diskutim i fundit ishte më 22 Shtator 2016. Të bisedosh për plehrat sot është një problem më shumë shkencor se sa politik, por fatkeqësisht tek ne vendos faktori politik.

Të marrim njërin rast, demontimin e armëve kimike të Sirisë. Ky problem me përmbajtje të thellë shkencore dhe vlera të mëdha ekonomike u trajtua jashtë interesit të popullit shqiptar. U refuzua të demontoheshin në Shqipëri me argumentin fallco të shoqërisë civile se do të helmohej atmosfera shqiptare. Faktikisht këto armë u demontuan në vende shumë të zhvilluara, siç është Holanda dhe Franca, duke siguruar të ardhura kolosale. Armët kimike të Sirisë ishin mbetje, sepse demontoheshin me shumë përgjegjësi dhe nga ky vendim i gabuar, buxheti humbi besohet 1 Miliard $.

Kush ishte faktori i humbjes? Shoqëria civile e manipuluar politikisht. Populli i besoi në mënyrë të verbër shoqërisë civile, por ja qe paska shoqëri civile të armatosur. Kjo shoqëri u shqetësua nga demontimi shkencor i armëve dhe nuk u shqetësua nga thirrja histerike e Berishës, për armatosjen e popullit. Ai dëmton sa mund të dëmtojë me histerinë e tij politike. Unë do të përqendrohem në diskutimin e fundit të mbetjeve.

Shumica e shkrimeve të gazetarëve nuk ka nuancë shkencore, por vetëm politike, aty-këtu edhe nuanca sentimentale. Shkrimi më kategorik ishte ai i Profesor Fugës. Si gjithmonë shkrimi i tij ishte i rënduar me fjalor të papranuar nga çdo shoqëri e organizuar. Por edhe shumë shkrime të tjera kanë rrahur erën me kopan.

Pse e qysh, po e shtjelloj më poshtë.

Në Amerikë dhe kudo në perëndim të bën përshtypje puna për menaxhimin e mbetjeve. Këtu nuk quhen plehra (anglisht quhen garbage, ndërsa plehu quhet manure). Plehrat origjinale kalojnë në ujërat e zeza. Shumë shqiptarë në Amerikë dhe në Perëndim janë ingranuar në programin “Recycling”. Pjesa më e madhe e tyre kanë siguruar jetesë normale, pa përmendur të tjerë që janë pasuruar. Amerikanët ndoshta janë më shumë se kaq. Industria e mbetjeve fillon në kuzhinën e secilit, vijon në kopsht, në riparimin e shtëpisë dhe përfundon te pemët e Krishtlindjeve.

Jetojmë në shoqërinë globale të konsumit. Prodhohen mijëra ton mbetje ditore nga veprimtaria jetësore. Bëhet fjalë për një qarkullim të ngushtë të Azotit në natyrë. Ambalazhet e riciklueshme shiten me një çmim plus, për të stimuluar kthimin në qendrën e riciklimit. E parë në këtë prizëm riciklimi stimulon ruajtjen e mjedisit nga ndotja.

Të mos largohemi nga ligji amerikan “Recycling”. Ky program është i vështirë për t’u instaluar, sepse nuk ka interes imediat për personin dhe shoqërinë. Pa riciklim te mbetjeve nuk mund të jesh qytetar normal. Pavarësisht vështirësive të zbatimit, kam siguri absolute se problemi i mbetjeve do të ketë atë sukses, që pati puna për energjinë, që u mbrojt me shumë konseguencë shkencore nga z.Çela dhe po e shihni se si po transformon energjinë në vlerën reale që ka. Çela është inxhinier që ja ka dhënë profesionin progresit të vendit të tij. E krahasoni dot me një homolog paraardhës konservator, mbase të ashtuquajtur liberal?

Programi i riciklimit dhe industria e mbetjeve janë dy alternativa të së sotmes dhe të ardhmes së veprimtarisë jetësore. Këtyre nuk mund t’u shmangesh. Programi “ricycling” nuk vendoset brenda një nate, kjo e bën të domosdoshëm importin e mbetjeve, që të funksionojë industria ekzistuese, prej 30 mijë të punësuar apo dhe me pak. Shoqëria civile është civile, as politike, as ushtarake. Nëse unë ende nuk po e gjej shoqërinë shqiptare civile, faji mbetet tek unë. Diogjeni ka rekomanduar qiririn e famshëm.

Me këtë shkrim dua të kontribuoj për t’i dhënë fund paqësor diskutimit për mbetjet. Nuk dua të bëhen pre disa gazetarë dhe politikanë të shquar. Ata janë patriotë dhe të devotshëm, por nuk kanë njohuritë e duhura, për zhvillimet e sotme shoqërore dhe ekonomike. Thjesht duhet të studiojnë më shumë se sa të shkruajnë. Për arsye të njohura dhe të panjohura, industria ricikluese do të bëhet forma dominante e industrive kohore.

I këshilloj qëndrestarët e këtij debati ta mbyllin me kaq. Është një betejë që e kanë humbur përpara se ta nisin. Pse? Industria ricikluese ka zëvendësuar pyllin industrial të qyteteve të dikurshme si Edinburg dhe Birmingham. Sot këtyre “pyjeve” u ka mbetur emri i hidhur dhe vdekjeprurës. Industria ricikluese prodhon produkt, sikurse industria klasike që është drejt shterimit. Pse ndodh kështu, është tjetër temë. Ju kujtoj se koncentrimi i energjisë diellore është forma më e lartë e riciklimit, pa hyrë në biologji.

Ju mund të revoltoheni: Pse mbetjet do na diktojnë shkencën? Shkenca ka aftësi të gjejë vetë rrugën. Arsyetimi për mbetjet shumicën nga ju, ju ka lënë në klasë. Të mbeturit në klasë kanë jetën e tyre, mjafton që ta ndiejnë dhe të reflektojnë për pendimin. Njeriu i penduar, gjysmë i shpëtuar, thotë populli.

NY – Shtator 2016

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *