Historia 100-vjeçare e naftës në Shqipëri dhe grafikët e prodhimit të saj në katër periudha. Pse ka rënë prodhimi nga rreth 46 milionë tonë në vitet 1961-1990 në rreth 3 milionë tonë në 30 vitet e fundit. Mënjanimi i specialistëve dhe triumfi i diletantëve keqdashës të tipit Ylli Rakipi…
Prof.Dr. Fatmir Shehu*
Kam kohë që mendoj faktin se industria e naftës në vendin tonë këto tre dekadat e fundit, po trajtohet si një lojë kalçeto. Kjo më ka hidhëruar shumë dhe jam munduar që t’i jap një spegim, disa herë dhe kam shkruar, ndërsa përpjekjet për të mirën e kësaj industrie nuk i lë të davariten.
Që në fillim të përmbysjes së rregjimit të kaluar, bashkë me shumë intelektualë të tjerë të industrisë së naftës, u përpoqëm që kjo industri të zinte vendin e merituar në strukturën e re ekonomike të Shqipërisë. Unë dhe kolegët e mi specialistë të naftës kishim dhe kemi bindjen se po ta zinte këtë vend, ajo do lozte një rol shumë të rëndësishëm në ecurinë drejt zhvillimit ekonomiko-social të vendit tonë krahas industrive dhe burimeve të tjera që janë potenciale në vendin tonë. Por fatkeqësisht, Industria e Naftës jo vetëm nuk u konsiderua një aset shumë i rëndësishëm ku duhesh mbështetur zhvillimi i ekonomisë tonë, por u la kaq pas dore, sa që dukesh se ishte vetëm një lopë që duhet të milesh e të mbante e të pasuronte një grusht njërzish, kur ajo kishte dhe ka potenciale që të mbajë tërë ekonominë dhe popullin shqiptar.
Po të shihet dinamika e ecurisë së industrisë së naftës mund të thuhet se nga viti 1928 deri në vitin 1944 janë prodhuar 984,022 tonë naftë ; nga viti 1945-1960 janë prodhuar 3,876,440 tonë naftë; nga viti 1961 (mbas largimit të specialistëve sovjetikë) deri në vitin 1990 janë prodhuar 45,823,935 tonë naftë dhe nga viti 1991 deri ne vitin 2004 jane prodhuar 3,060,964 tonë naftë. Po ashtu, ndërsa nga viti 1960 deri në vitin 1990 u zbuluan një sasi e konsiderueshëme rezervash, këto tre dekadat e fundit, po thuaj se nuk është raportuar dhe inventarizuar as një tonë rezervë nafte dhe as nje normal m3 gazi në bilancin ekonomik të shtetit. Ky krahasim flet më shumë se çdo gjë .
Janë shkruar volume të tëra për problemet që ka industria e naftës dhe gazit në këto pothuaj tre dekadat e fundit, këto në radhë të parë në shtypin e përditshëm; ka patur mendime konkrete nga specialistët tanë me shumë eksperiencë, por fatkeqësisht ky zë nuk është dëgjuar dhe as nuk është analizuar në instancat përkatëse që ka kjo degë shumë e rëndësishme e ekonomisë. Kemi dëgjuar dhe parë ndryshime në strukturën organizative të naftës, kemi parë emërime dhe ndryshime drejtorësh, kemi parë ardhje dhe ikje kompanish të huaja aksionare që kanë pasur si qëllim kërkimet dhe zbulimin e rezervave të reja të naftës dhe gazit si dhe shfrytëzimin e rezervave të gjetura dhe në përpunim e sipër të naftës etj.
Në lidhje me futjen e kapitaleve të huaja, duhet thënë se në më të shumtën kanë ardhur kompani pa kapacitete finaciare të nevojshme dhe pa interes zhvillimi për të realizuar programet që iu janë miratuar nga shteti ynë, të cilat pa bërë ndonjë analizë të thellë, duket se kanë ardhur për të marrë dhe mos dhënë sipas paradigmës fitim -humbje. Por duhet thënë se kemi dhe kompani qe kanë ardhur, kanë investuar dhe kanë humbur si kompania Premier Oil e cila u largua mbasi humbi rreth njëqind milion dollarë dhe kompani që seriozisht kanë investur shuma jo të vogla si Bankers Petroleum e cila me investimet që bëri në një nga rezervuarët më të mëdhenjë që kemi: atë të Patos Marinzës e ka rritur prodhimin e naftës rreth një milion ton në vit. Po kështu kompania Transoil Group i cili në një vëndburim problematik karbonatik nga më të vjetrit e këtij lloji që është zbuluar në vendin tonë, ka arritur që: të stabilizojë prodhimin, të përmirësojë me investime ambientin, të mbajë në punë një numër jo të vogël punonjësish duke ushqyer familjet e tyre, të shpojë rreth 10 puse horizontalë me një investim që i kalon 20 milion euro, që përbën një risi në praktikën e shfrytëzimit të vendburimeve karbonatike në vendin tonë, ka aplikuar teknologjira të reja si aplikimin e pompave me burmë, injektimin e gazit të nitrogjenit (që si një aplikim pilot që është, mund të shërbejë si një shkollë e mirë për ta zgjeruar këtë teknologji në të gjitha vëndburimet tona karbonatike dhe më tej). Duhet theksuar se kompania koncesionare Trans oil Group ka stimuluar dhe vënë në zbatim eksperiencën që kanë specialistët shqiptarë të naftës si në projketimin dhe shpimin e puseve horizontalë ashtu dhe në kryerjen dhe menaxhimin e gjithë operacioneve të nevojshme e të domosdoshme që ka vëndburimi i Visokës. Kjo kompani shfrytëzon kapacitetet tekniko-teknologjike që ka vendi si sondat e shpimit dhe ekipet shqiptare përkatëse, sondat e remonteve të puseve, materialet dhe pajisjet si dhe lengjet larëse dhe çimentuese si dhe recepturat e përpunimit dhe aktivizimit të shtresave produktive etj. Kjo kompani në dallim nga Bankers Petroleum që operacionet e shfrytëzimit i ka të mbështetura pothuajse tërësisht në teknikën dhe eksperiencën e kompanive të huaja si Simons Edeco Canada, Crosco -Kroaci, Smape etj Trans Oil Group pothuaj se është mbështetur tërësisht në shkollën shqiptare të Industrisë së naftës duke filluar që nga projketimi dhe realizimi i shpimeve horizontal me kënde maksimale deri në 92 gradë me azimute sipas nevojës, me sondat e kompnisë shqiptare të shpimit Albdrilling sh.a (dhe sot kjo kompani është fuqizuar duke blerë rreth 10 sonda shpimi dhe remonti që konsiderohet një investim shumë serioz, si dhe emrin e kompanisë duke pasur një emër me reputacion si: Simons Edeco Albania), përgatitja dhe mirëmbajtja e lëngjeve larëse, përcaktimi i teknologjisë dhe baza materiale përkatëse për çimentimin e kolonave, përvetësimi dhe vënia në shfrytëzim e puseve, aplikimi i punimeve intensifikuese dhe trasporti dhe kondicionimi i naftës etj. Kësisoj mund të themi se kompanmia Trans Oil Group veç të tjerash po bëhet baza e implementimit dhe e mbi jetesës së eksperiencës njëqind vjeçare që ka industria shqiptare e Naftës dhe për këtë duhet falënderuar dhe mbështetur.
Shqipëria ka rreth tridhjetë vjet që nuk ka zbuluar asnjë vëndburim të ri nafte veç të dhënave paraprake të rezervave të reja që ka deklaruar si të zbuluara në rajonin e Beratit kompania Petromanas dhe më vonë Shell. Kësisoj për pasuritë, që mund të jepen me koncesion në fushën e shfrytëzimit të rezervave të zbuluara të naftës, aktualisht bëhet fjalë për vëndburime të ashtuquajtur të shfrytëzuar me një koeficient naftëmbetje të diskutueshme të cilët kërkojnë një volum të madh investimesh dhe punimesh qoftë në njohjen e gjendjes konkrete ashtu dhe në realizimin e nxjerrjes së naftës së mbetur në shtresë, duke përdorur metoda të dyta dhe të treta e më tej. Një shëmbull tipik i shfrytëzimit të vendburimeve të shfrytëzuara është ai i Patos-Marinzës në të cilin duke filluar nga viti 1993 janë bërë shumë investime fillestare siç janë injektimi i avullit, shpimet horizontale, injektim i polimerëve etj. Këto investime fillestarisht i bëri Premier Oil dhe, duke filluar nga viti 2004, i ka bërë Bankers Petroleum dhe kohët e fundit po vazhdon t’i bëjë Banker Petroleum i blerë nga kapitali kinez. Kompania e dytë për nga investimet që janë bërë dhe kohë zgjatja e punës, në industrinë shqiptare të naftës, është pa diskutim Transoil Group e cila ka një periudhë aktive që nga viti 2012 ku në mars po të këtij viti, mori në dorëzim 234 puse dhe që mund të thuhet me bindje se është një nga kompanitë më të familjarizuara me natyrën dhe situatën konkrete të vëndburimeve tona karbonatike.
Duhet thënë se vëndburimet tona karbonatike si karakteristikë kanë naftë shumë viskoze (vendburimi i Visokës) si dhe kanë ujëra fundorë aktivë të cilët shkaktojnë inondimin (përmbytjen) e shpejtë të vendburimit dhe rritjen e përqindjes së ujit në sasinë totale të fluideve që shfrytëzohen, gjë që rrit koston e shfrytëzimit të transportit dhe të kondicionimit të naftës. Po kështu duhet thënë se vendburimet tona karbonatike me qenë se u zbuluan në një periudhë ku nuk mund të aplikoheshin shpimet horizontale për arsye të pa mundësisë së investimeve dhe për mungesë eksperience dhe pajisjesh, u shfrytëzuan me metodën klasike të shpimit të puseve vertikale, ku përqindja e hapjes së shtresës produktive dhe siperfaqja e ekspozimit te formacioneve kolektore produktive, ishte shumë e vogël dhe detyronin përdorimin e depresioneve të larta që intensifikonin inondimin (përmbytjen) relativisht të shpejtë të vëndburimeve. Një gjë e tillë shkaktonte lenien në shtresë të një sasie nafte, në formën e naftës së mbetur e cila, sipas eksperiencës bashkëkohore, kërkon mjaft investime që të rikuperohet. Po kështu vendburimet tona karbonatike kanë një çashmëri të zhvilluar vertikale e cila ndihmon që ujrat fundore të mbërrijnë relativisht shpejt në trungun e pusit, gjë që rrit përqindjen e ujit dhe zvogëlon përqindjen e naftës duke ulur në mënyrë drastike prodhimin e naftës.
Gjendja aktuale e vendburimeve tona të naftës në rezervuarët karbonatikë, mund të karakterizohet duke i përcaktuar si vendburime të shfrytëzuara intensivisht dhe për një kohë të gjatë në kuadrin e nevojave të shumta që kish ekonomia, të shfrytëzuara me një teknologji jo shumë të përshtatshme me natyrën e shfrytëzimit të vendburimeve të tilla me çarje vertikale, me naftë viskoze deri shumë viskoze (siç është vendburimi i Visokës) me ujëra shumë aktivë fundorë që zvogëlojnë kohën e shfrytëzimit të vëndburimeve pa ujë, etj. Këtu do theksuar se vendburimi i gazo-kondensatit të Cakranit që lidhet me kolektorë karbonatikë, është një vendburim shumë i aksidentuar dhe problematik nga pikëpamja hidrodinamike për shkak të shpërthimit të fontanës së pa kontrolluar të pusit Cakran 37, fontanë kjo që fatkeqësisht ndodhi në fazën fillestare të vënies në shfrytëzim të këtij vendburimi gjigand, nga më të mëdhenjtë që kemi zbuluar në vëndin tonë.
***
Pra, vëndburimet tona sidomos ato karbonatiket dhe më të mëdhajat që kemi neve duke futur ato që u tenderuan kohët e fundit, nuk janë vëndburime të moshës së rinisë as të një moshe mesatare por relativisht të një moshe të tretë dhe më thellë.
Kohët e fundit u bë një tender për të marrë e për të vazhduar shfrytëzimin tre vendburimet e zbulauar prej kohësh siç janë : vëndburimi i Gorisht-Koculit, Cakran -Mollaj dhe i Amonicës që janë zbuluar përkatësisht në vitet 1965, 1977, 1980. Këto vendburime deri më sot janë marrë dhe janë lënë nga kompani të tjera si: Kitari Oil (australiane); Fountani Oil (norvegjeze); Stream Oil &Gas etj., të cilat janë kritikuar për problemet që kanë shkaktuar në marrëdhënie me këto vëndburime si dhe në raport me shtetin. Pra nga eksperienca e tridhjetë vjetëve të fundit, në këto vendburime kanë ardhur dhe kanë ikur mjaft kompani gjë që ka shpjegimet e saj. Me sa morëm vesh këtë tender e fitoi Kompania Transoil Group. Kuptohet se për çdo gjë që ndodh në ekonominë tonë si dhe në industrinë e Naftës do ketë diskutime dhe opinione.
Një nga këto diskutime pata rastin i thirrur në emisionin e drejtuar nga Ylli Rakipi ‘Të pa ekspozuarit’ ku u trajtua pikërisht çështja e tenderit që ato ditë ishte shpallur dhe që e kish fituar kompania Trans Oil Group. Unë nuk isha i informuar, me gjithë se e kërkova një gjë të tillë (megjithëse është detyrë parësore e organizatorit që të më informonte) se çfarë teme kishte në emisionin e tij Ylli Rakipi. I lënë në një studio më vete dhe jo në përbërje të panelit, që në fillim të emisionit, nëpërmjet një dokumentari, dëgjova dhe kuptova preludin e Rakipit për objektin e emisionit. Po ashtu pashë pjesëmarrësit e panelit që kish ftuar dhe nuk më zuri syri as një nga ekspertët e shumtë dhe shumë kompetentë që ka industria jonë e naftës, ku objekti që do diskutohej ishte katërcipërisht i lidhur me naftën. Unë sigurisht kam respekt për panelistët që pashë të ftuar, por kam respekt për profilin dhe ekspertizën që kanë në profilin e tyre; ndërsa për ekspertizën që duhet të kishin për të diskutuar problemet e industrisë së naftë mund ta them (këtë ia them Rakipit që i kishte përzgjedhur!) se janë shumë larg realitetit. Të them të drejtën nuk më erdhi mirë kur vetë Ylli e vlerësoi z.Bojaxhiu si një specialist dhe ekspert i mirënjohur për Industrinë e Naftës. Në radhë të parë Ylli nuk e ka këtë të drejtë ligjore që të vlërësojë e të diplomojë specialistët e naftës, sepse Nafta ka një ushtri të tërë specialistësh të vjetër dhe të rinj që janë të diplomuar e të patentuar me shumë tituj dhe grada që janë kolauduar në projekte dhe zbatime shumë delikate dhe me përgjegjësi të madhe. Pikërisht industria njëqindvjeçare e Naftës shqiptare i ka këta specialistë që kanë ekspertiza nga më cilsoret si për anën juridike, për mënyrën dhe format e procedurave për lidhjen e kontratave, për njohjen komplekse të kompanive që marrin pjesë në tenderat e naftës, për nivelin shkencor dhe teknologjik që kanë këto kompani, për njohjen e vendburimeve tona, për teknikën dhe teknologjinë bashkëkohore që ka kjo industri shumë komplekse etj etj.
Mendoj se është turp për Shqipërinë dhe shqiptarët kur shikojnë në televizorët tanë sidomos në kanalet kombëtare, të huajtë dhe shqiptarët, që e njofin naftën, kur diskutohen problemet e industrisë së naftës të çfardo niveli dhe spektri, nga njerëz inkompetent për naftën, kur nafta ka profesorët, specialistët e të gjitha specialiteteve që janë pothuaj moshatar me indistrinë tonë të naftës që Rakipi dhe kushdo tjetër, kur diskuton problemet e industrisë së naftës e ka për detyrë që të konsultohet e t’i bëjë pjesë të emisioneve të tij. Kanalet tona televizive dhe shtypi i të gjitha formave, janë private por guvernohen nga ligjet e shtetit, Kushtetuta, dhe interesat e kombit – këtë duhet ta kuptojë secili.
Me këtë rast më duhet të them se kamë parë një herë në shtypin tonë një artikull që ishte shkruar nga një gazetar inkompetent që për problemet e naftës kish intervistuar një bari dhensh që kish gjetur afër një pusi nafte i cili i thoshte që atije kalonte një lumë nafte që sipas tij vinte nga Rumania dhe duke kaluar nënë këmbët e tij, përfundonte në Itali, por -thoshte bariu, këto pasuri janë sabotuar dhe nuk duan që të zbulohen. Fatmirësisht unë, që i lexova ato rreshta me drithërimë e dija mirë se ç’kishte ndodhur në atë pus se kam qenë prezent gjatë gjithë shpimit, sepse e shpuam bashkë me një kompani angleze deri në një thellësi shumë të madhe: 6119m -dhe e njoh situatën në detaje. Por kështu ndodh kur nuk pyeten ekspertët, madje më të mirët, që ka vendi, për probleme të veçanta, por bëhet punë pa asnjë kopetencë dhe në vend të informimit e zë vendin dizinformimi keqbërës duke botuar artikuj dhe transmetuar emisione larg realitetit. Këto mund të futen në shembuj të këqsjelljes së medjave tona me ata që i kanë krijuar këto industri madhështore dhe që hidhërohen pa masë kur konstatojnë sjellje të tilla sepsei kemi mundësitë dhe nuk na mungon as gjë përveç përgjgjësisë për të realizuar atë që duhet. Një gjë e tillë ofendon nivelin njëqindvjeçar që ka industria jonë e naftës e cila për shumë arritje mund te krahasohet me nivelet e arritura në botë.
Kur drejtuesi i emisionit më bëri prezantimin se unë isha zv/ministri i kohës së Enver Hoxhës, Z.Rakipi duhej ta dinte mirë se unë e kam për nder që kam qenë i asaj kohe dhe që merrja një rrogë 100 USD në muaj pa asnjë privilegj tjetër veç detyrave për të realizuar prodhimin e naftës dhe gazit për nevojat e ekonomisë së vendit që nuk kishte asnjë akuzë korrupsioni dhe hajdutërie dhe që një titullar ministrie vetëm borderonë kish në ministri dhe punonte në kantier me çizme dhe kominoshe – punët e zyrës i bënte duke sakrifikuar kohën e pushimit e të familjes. Po ashtu duhet të lexonte më parë (se për t’i prodhuar as që bëhet fjalë) në atë kohë prodhohej rreth 2 milion tonë naftë në vit dhe janë zbuluaar rezerva nafte dhe gazi e vendburime aq sa Shqipëria të mbahet për dekada të tëra sepse faktikisht ka tre dekada që me ato rezerva po mbahet dhe mund të mbahet pa frikë edhe për shumë dekada të tjera.
Ne punonjësit e naftës edhe të tjerët, sa për dijeni rronim me detyra dhe përgjegjësi konkrete dhe nuk rronim me renta pronash dhe emisione televizive, por me djersën dhe sakrificat të panumërta vetiake dhe familjare. Pyetja që më bëri dhe që më mërziti se ishte larg njohjes time (aq sa larg ishte për njohjen e industrisë së naftës) ishte se : “a i ke shkelur ndonjëherë këto vendburime?”, nuk më takon mua, por atij si gazetar i një kanali Kombëtar, sepse unë dhe gjenerata ime i kemi shkeluar me pëllëmbë, natën dhe ditën, në kohë të keqe dhe në të nxehtë, sepse ato janë zbuluar dhe prosperuar në kohën tonë; me mendjen, mundin dhe sakrificat e panumërta të gjeneratës tonë. Po ashtu, për atë që diskutoi Ylli nëpër dhëmbë, se unë kam punuar dhe jam paguar, nga kompania Transoil Group , duhet të dijë saktësisht se unë kam punuar (duke falnderuar CEO -në e kësaj Kompanie Z. Dizdari që pati besim tek ekspertiza imedhe e specialistëve shqiptar në përgjithësi) dhe kam projektuar, aplikuar dhe realizuar nivelet më të larta të teknologjisë së shpimeve të puseve horizontale që sa për dijeni ka shumë shtete dhe konkretisht vetë Bankers Petroleum për këto projekte, ka marrë specialist nga kompani të tjera të huaja. E thashë dhe e përsëris që një nga meritat që për mua është shumë e rëndësishëme dhe ka vlera fondamentale, e Kompanisë Transoil Group është që aktivizon ekspertizën njëqindvjeçare shqiptare që po e them me kopetencë është në nivele të larta gjë që është vërtetuar me fakte dhe jo me llafe. Po ashtu më bëri përshtypje se diskutohej në atë panel që kompania që ka fituar tenderin ka si aksioner nje rus kur dihet se ky rus ka qënë aksioner që kur Transoil Group ka fituar tenderin e vëndburimit të Visokës këtu e disa vjet më parë. Kjo do të thotë të kujtohesh si kofini mbas të vjelave. Dhe më tej duhet kuptuar se rusi është një qytetar aksioner dhe nuk është përfaqësues iI Gaspromit siç thuhet, sepse gjigandi Gasprom kemi bindjen se as që ka nevojë për rezervat e mbetura të naftës të vendburimeve që bëjnë pjesë në koncesionin e tenderit të fundit. Pretendimi se kompania Transoil ka borxhe ndaj shtetit mund të marrë një përgjigje me pyetjen: cila kompani në botë, aq më shumë ato që janë në fazën e investimeve të mëdha, nuk kanë borxhe dhe kredira. Ishte FIAT-i gjigand i Italisë dhe pati probleme financiare jo më kompanitë e tjera. Dhe dihet se FIAT-in, shteti italian që ia kish nevojën për të vazhduar ekzistenca për arsye të ditura, e ndihmoi dhe e zhvilloi. Këto që po i them në këtë shkrim janë një detyrim që rrjedh nga fakti që në emisionin e tij ku unë isha i ftuar, Ylli nuk më lejoi që të flisja duke më prerë të drejën e shprehjes sepse siç e pash nuk deshte mendime jashtë skenarit që kish përgatitur-pra nuk deshte mendime ndryshe. Këtë sjellje, kam argumenta që ta konsiderojë të pa drejtë dhe prej një gazetari mercenar e qëllimkeq.
Duhet kuptuar që Industria e naftës dhe e Gazit nuk është si një lojë kalçeto që të bëjnë stërvitje kushdo për të mbajtur trupin në formë. Ajo është një nga industritë më të komplikuara që ka shoqëria njerëzore dhe për ta kuptuar, mund të themi se teksa njerëzimi po shkon në Hënë dhe më tej, në Tokë, me gjithë përpjekjet, madje të superfuqive, deri më sot nuk është mundur që të arrihet më thellë se 12 km (Ne shqiptarët kemi arritur pak më shumë se 50% të kësaj thellësie!). Diletantët duhet të rrinë sa më larg kësaj industrie, aq më shumë që kjo industri e ka njëqindvjeçare ekspertizën e sajë; sepse këta diletantë veç dëmit që bëjnë nuk po arrijnë asgjë të mirë, sikurse e ka treguar praktika e këtyre 30 vjetëve të fundit!
*Ish-zv/ministër i Industrisë dhe Minierave
