Industria nxjerrëse e mineraleve po kalon një periudhë të vështirë. Sipërmarrësit që kanë një aktivitet të në këtë sektor, po i mbyllin minierat, pasi rënia e mineraleve në bursë i ka çuar në humbje të mëdha. Për të shpëtuar çfarë mund të shpëtohet nga ky sektor Ministria e Energjisë dhe Industrisë po punon për një paketë mbështetjeje.
Paketa, e cila pritet të mbërrijë për pak javë në Këshillin e Ministrave, parashikon lehtësimin e industrisë përmes disa ndërhyrjesh. Lehtësitë e para lidhen me përmirësimin e llogaritjes së rentës minerare. Grupi i punës pranë Ministrisë së Energjisë ka parashikuar të përjashtojë nga renta pjesën e çmimit që lidhet me koston e transportit. Pra rentën ta llogarisë mbi çmimin në falje të fabrikës, apo minierës, e jo në mbërritjen në port.
Zëvendësministri i Energjisë, Gëzim Musabelli, shprehet për Monitor se llogaritja e rentës minerare është shqetësimi kryesor i industrisë nxjerrëse. Për një përllogaritje më të saktë parashikohet të përjashtohet lagështia, e cila në dimër arrin deri në 10% të sasisë së materialit. Por, grupi i punës vlerësohet t’i propozojë qeverisë një ulje të mirëfilltë të rentës. Sipas zëvendësministrit të Energjisë, “përqindja e taksës kombëtare parashikohet të ndryshojë, pasi kemi parë edhe rentën në vendet e rajonit”. Për metale të ndryshme, renta ndryshon: aktualisht ajo është 10% për argjendin, 6% për bakrin e kromin, 5% për hekurin.
“Ne parashikojmë ta ulim por jo më pak se 2%. Fakt që sigurisht do të shikohet”, thekson Musabelli. Një tjetër ndryshim i rëndësishëm që parashikohet është “korrigjimi” i vendimit që u ndërmor me paketën e fundit ligjore dhe që ka hyrë në fuqi prej më pak se dy muajsh. Flitet për llogaritjen e rentës në bazë të sasisë. Niveli i rentës kaloi me ligj. “Mendojmë të ndërhyjmë bashkë me Ministrinë e Financave. Ta rishikojmë e të mos ketë vlerë fikse mbi njësi. Pasi çmimi i mineraleve faktikisht po ndryshon”, thekson zëvendësministri. Renta deri në dhjetor llogaritej mbi përqindjen. Por, është ndryshuar për mineralet e grupit të materialeve të ndërtimit, siç është për argjilën, rërën bituminoze, etj. Për këto minerale, prej janarit, renta është përqindje fikse mbi sasi, e jo mbi vlerën e çmimit. Grupi i punës pranë kësaj ministrie ka propozuar të llogaritet në përqindje.
Efekti i paketës në buxhet, rreth 4 milionë euro
Një studim i bërë nga grupi i punës parashikon se lehtësitë tarifore për sipërmarrjet minerare do të kenë një kosto 3 deri në 4 milionë euro në buxhetin e këtij viti. Ekspertët e grupit të punës mendojnë se kjo nuk është një vlerë e lartë, nëse merren parasysh efektet negative që do të sillte dëmtimi i industrisë. Ata i druhen një dëmi edhe më të madh që mund të shkaktojë mbyllja e minierave. “Në rast se ato nuk do të punojnë, kjo do të shoqërohej me efekte domethënëse negative si sociale (me të punësuarit në zonë) edhe teknike. Ministria pranon se ka raste të minierave që aktualisht vetëm po mirëmbahen, pasi kanë pezulluar aktivitetin.
