Djegiet nga dielli apo infeksionet e lëkurës të marra gjatë frekuentimit të plazhit dhe pishinave nuk mund të vetëmjekohen në çdo rast. Janë të shumë pacientët që paraqiten në dyert e urgjencave me komplikacione të rënduara, pasi fillimisht kanë tentuar që të bëjnë vetëmjekimin e tyre, por duke përdorur preparatet e gabuara të cilat vetëm sa e kanë rënduar edhe më shumë shëndetin e tyre si pasojë e zgjerimit të sipërfaqes së prekur nga infeksioni. Ndër shqetësimet më të shpeshta të paraqitura pranë dermatologjisë dhe shërbimeve të tjera të urgjencës, raportohen të jenë djegiet nga dielli, myku, ekzemat, infeksionet e veshit. Fëmijët e të moshuarit kanë manifestuar edhe komplikacionet më të shpeshta, kjo për shkak imunitetit të dobët për të përballuar komplikacionet e temperaturave të larta. Mjekët dermatologë bëjnë thirrje që të bëhet kujdes me preparatet që vetë pacientët marrin për të trajtuar infeksionet apo djegiet e lëkurës. Duke iu referuar rasteve të trajtuara në urgjencë është parë se në pjesën dërrmuese të rasteve, janë vetë pacientët ata që e rëndojnë më tepër infeksionin duke e përhapur në tërë trupin. Kjo për shkak të përdorimit të gabuar të barnave apo preparateve të tjera të marra në farmaci pa u konsultuar më parë me një mjek specialist të lëkurës, syve apo veshit. Qëndrimi në ambiente me mungesë të higjienës, si dhe larja në ujërat e ndotura të pishinave apo detit ka ndikuar në shtimin e problemeve të lëkurës, kryesisht mykut dhe ekzemave. Sipas mjekëve larja në këto ujëra, në mungesë edhe të higjienës personale jep një irritim të lëkurës, irritim të syve dhe probleme me sekrecionet e veshit. Gjithashtu, futja e ujit në traktin gastrointensinal, kur është i ndotur me baktere nga më të ndryshme, shkakton ato që njihen rëndom si helmime, por që në të vërtetë janë infeksione gastrointensinale. Shfaqen edhe komplikacione të tjera, si tifo, dizenteri të cilat janë më të pakta në numër. Aktualisht inspektuesit e higjienës kanë zbarkuar në terren ku po monitorojnë kushtet e higjienës në pishina. Nga kontrollet e ushtruara deri më tani janë konstatuar mangësi të shumta sa i takon higjinenës.
Djegiet e lëkurës nga dielli
Shumë prej urgjencave të trajtuara në spitale dhe poliklinika sipas mjekëve, përbëhen nga djegiet e shkallëve të lehta, për të cilat është dhënë trajtim disaditor. Por, nuk kanë munguar edhe djegiet e shkallës së dytë dhe të tretë, të cilat fatmirësisht janë në nivele më të ulëta. Duke iu referuar grupeve të riskut, konfirmohet se më të rrezikuarit janë grup-moshat nga 40-50 vjeç, teksa raste të shumta shfaqen edhe tek fëmijët, për të cilët kujdesi duhet të jetë shumë herë më i lartë. Shtrimet për rastet më të rënda kanë qenë më të pakta se sa e njëjta periudhë e vitit të shkuar. Kundrejt kësaj situate këshillohet që, duke mbajtur parasysh edhe temperaturat e larta që pritet të vijnë në ditët e ardhshme, kategoritë që kanë probleme me lëkurën të tregojë kujdes të veçantë. Nuk duhet abuzuar me qëndrimin në diell, veçanërisht për personat me imunitet të dobët, të cilët nuk duhet të qëndrojnë jo më shumë se një orë në diell, pasi mund të shfaqen sëmundje të rënda të lëkurës që kanë origjinë kancerogjene.
Shpërthejnë edhe infeksionet e veshit
Mungesa e higjienës personale dhe papastërtitë që gjenden në ambientet e pishinave apo dhe plazheve ka bërë që të shtohen edhe infeksionet e veshit. Urgjencat pranë poliklinikave dhe QSUT-së kanë pësuar rritje gjatë javës së fundit. Vetëm në poliklinikën qendrore raportohen mbi 20 vizita në ditë sa i takon kësaj problematike. I lartë paraqitet fluksi edhe në poliklinikat e tjera të kryeqytetit. Specialistët e otorinolaringologjisë theksojnë se pranë këtij shërbimi janë manifestuar simptoma të ndryshme, duke filluar nga pacientët me dhembje fyti, me temperaturë të lartë si pasojë e qarkullimit të tyre nga temperaturat përvëluese në ato të ftohta. Duke iu referuar rasteve të paraqitura për ndihmë në urgjencat spitalore, bëhet e ditur se të rriturit janë target-grupi më i ndjeshëm kundrejt infeksioneve të veshit. Megjithatë, mjekët u kërkojnë kujdes dhe prindërve, pasi edhe të vegjlit mund të preken nga infeksionet e veshit të jashtëm, që kanë të bëjnë direkt me ujin e detit dhe të pishinave. Janë infeksione të cilat shoqërohen me dhimbje të forta të veshit, temperaturë të lartë dhe kanë nevojë për një terapi disa ditore dhe një mjekim lokal. Për t’u ruajtur nga këto probleme pushuesit duhet përdorin tamponë për veshët gjatë zhytjeve në ujë dhe të kurohen në kohë, pasi ata mund të kthehen në të sëmurë kronikë, çka dobëson aftësinë e dëgjimit. Këta persona para se t’u drejtohen plazheve dhe pishinave të vizitohen te mjeku i veshëve për të parë gjendjen e veshit. Ata që kanë këto probleme duhet t’i ruajnë veshët nga uji, dhe kjo realizohet nëpërmjet disa tapave që gjenden në farmaci.
