Rritja e temperaturave, si dhe frekuentimi i plazheve e pishinave, krahas kënaqësisë që sjellin, mund të bëhen edhe armiq të shëndetit nëse nuk tregohet kujdesi i duhur. Kjo pasi mund të përballemi me infeksione të natyrave të ndryshme, të cilat shfaqen në lëkurë, sy dhe veshë. Kjo situatë bëhet edhe më e rënduar në rastet kur temperaturat e larta shoqërohen edhe me neglizhencë ndaj kushteve higjieno-sanitare në ambientet që frekuentojmë.
Rënia në kontakt me ngarkesat e shumta bakteriologjike që ndodhen në këto ambiente, çon në shpërthimin e infeksioneve të veshit. Në një intervistë për gazetën “Dita”, mjeku i ORL-së pranë poliklinikës së specialiteteve numër 3, Përparim Neziraj, shpjegon problemet shëndetësore që shfaqen gjatë këtij sezoni si rrjedhojë e infeksioneve të veshit. Sipas tij, trajtimi i tyre që në fazat e para të shfaqjes së sëmundjes ndihmon në pakësimin e komplikacioneve të rënduara.
Kjo pasi fillimisht sëmundja shoqërohet me shqetësime të cilat janë të natyrave të lehta e të kurueshme shpejt. Në të kundërt mund të bëhen dhe shumë të rrezikshme pasi mund të kalojnë në pjesë të tjera të trupit duke dëmtuar edhe organe të tjera.
Tashmë kemi hyrë në sezonin ku rritja e temperaturave bëhet më e dukshme nga dita në ditë, çka shton dëshirën për frekuentimin e plazheve dhe pishinave apo ambienteve të tjera të mbipopulluara. Konkretisht, si ndikojnë temperaturat e larta në shfaqjen e dhimbjeve të veshit?
Ardhja e kësaj stine, ndër të tjera nxjerr në pah dhe një sërë problemesh shëndetësore. Këto komplikacione mund të manifestohen në forma të ndryshme, si infeksione të lëkurës, të syve dhe të veshit. Duke u ndalur tek këto të fundit mund të themi se lagështira mund të bëhet shkak për shfaqjen e tyre. Ky rrezik bëhet edhe më i dukshëm me kalimin e ditëve në të cilat temperaturat tentojnë gjithnjë e më shumë drejt rritjes.
E për rrjedhojë të gjithë do t’u drejtohen plazheve dhe pishinave, frekuentimi i të cilave shihet edhe si një burim i rrezikshëm për shpërthimin e këtyre infeksioneve, në rast se nuk merren masat e duhura higjieno-sanitare. Kjo për vetë faktin se këto ambiente si pasojë e frekuentimit masiv lënë shumë për të dëshiruara në higjienë, çka favorizon shfaqjen e ngarkesave bakteriologjike në to.
Rënia në kontakt me këto ngarkesa ndikon në shfaqjen e infeksioneve në sipërfaqe ose brendësi të veshit. Përhapja e këtyre infeksioneve fillon që nga format më të lehta, duke u rënduar më tej nëse nuk tregohet kujdesi i duhur ndaj shkaktarëve. Duke iu referuar rasteve të përvitshme që shfaqen këtu tek ne, mund të vëmë në dukje se infeksionet e veshit janë të pranishme jo vetëm tek moshat e vogla, por në masë edhe tek të rriturit. Shfaqja e tyre tek të dyja kategoritë vjen nga pakujdesitë, sidomos nga larja në ujin e papastër në det apo pishina.
Duke qenë se shkaktari kryesor i shfaqjes së këtyre infeksioneve është lagështia e tepërt, mikrobet apo grimcat e ndotura lehtësisht mund të depërtojnë në brendësi të veshit ku dhe grumbullohen në formën e infeksioneve.
Sa problematike mund të jetë kjo sëmundje dhe me çfarë shoqërohet më tej ?
Normalisht që komplikacionet vijnë duke u rënduar dhe mund të marrin përmasa shqetësuese nëse nuk bëhet kujdes që në stadet e para të shfaqjes së tyre. Megjithatë, zhvillimet e ditëve të sotme kanë bërë që pacientët të jenë më të vëmendshëm dhe të kërkojnë ndihmën e mjekut specialist menjëherë sapo të shfaqen shqetësimet e para.
Le t’i rikthehemi problemeve që ato mund të shfaqin duke i klasifikuar sipas formave të shfaqjes së dhimbjeve. Në pjesën dërrmuese të rasteve prania e këtyre infeksioneve shoqërohet me shqetësime që janë të natyrave të lehta e të kurueshme shpejt. Por ato mund të bëhen dhe shumë të rrezikshme pasi mund të kalojnë në pjesë të tjera të trupit duke dëmtuar në këtë formë dhe organet e tjera jetësore, kjo në rast se neglizhohen dhe lihen pa trajtuar.
Në të tilla raste duhet treguar kujdes maksimal ndaj fëmijëve të vegjël, pasi shumë prej tyre manifestojnë episode të përsëritura të infeksioneve të veshit. Këto infeksione cilësohen si të rrezikshme, sepse nga infeksione lehtësisht të trajtueshme mund të rëndohen duke transmetuar infeksionin e pakuruar drejt organeve të tjera të trupit, efektet e të cilave mund të jenë dhe me pasoja të rënda.
Fatmirësisht raste të tilla në ditët e sotme po shkojnë drejt pakësimit. Ndër më të shpeshtat që shfaqen rezultojnë të jenë krijimi i mykut të veshit, i cili ndikon më pas edhe në pezmatimin e veshit. Krijimi i mykut të veshit vjen si pasojë e mbledhjes së mikrobeve në zona të caktuara të kanalit të veshit, e veçanërisht në pjesën e jashtme.
Rënia e këtyre mikrobeve në kontakt me lagështirën dhe temperaturat e larta çojnë në përkeqësim të gjendjes ku fillojnë dhe shfaqen dhimbjet e para. Tek pacientë të caktuar ndodh përsëritja shpesh e këtyre infeksioneve, e pikërisht kjo kategori duhet të bëjë kujdesin më të madh në marrjen e këshillave të mjekut para nisjes së sezonit të pushimeve.
Cilat janë simptomat më të dallueshme që paralajmërojnë praninë e infeksioneve të veshit, në mënyrë që dhe pacienti të kërkojë sa më herët ndihmën e mjekut specialist?
Sikundër e thamë edhe më lart infeksionet mund të shfaqen në format nga më të ndryshmet. Por pavarësisht këtij fakti jo të gjithë që vuajnë nga infeksionet e veshit mund të manifestojnë të njëjtat simptoma. Përfitoj sërish nga rasti që t’i mëshoj më tej idesë se është shumë e lehtë që sëmundja të mposhtet shpejt nëse merr trajtimin e duhur që në fazat e para të shfaqjes.
Në përgjithësi infeksionet e veshit shoqërohen me simptoma të dukshme, të cilat paralajmërojnë mundësitë e zhvillimit të infeksioneve. Ky është një avantazh shumë i mirë pasi ndihmon në trajtimin e shpejtë të infeksioneve. Janë të rralla rastet në të cilat mund të jetë krijuar myku i veshit apo të jenë shfaqur infeksione të tjera më të rënda dhe ne të mos e kemi kuptuar.
Ndër simptomat më karakteristike është dhimbja e veshit. Gjendje kjo që krijohet pasi mbledhja e infeksionit në pjesë të ndryshme të veshit, veçanërisht në pjesën e jashtme, sjell bllokimin e kanalit të veshit, çka bën që të shoqërohet me dhimbje të forta. Me kalimin e kohës dhe nën trysninë e kushteve, këto dhimbje bëhen edhe më të forta duke shfaqur acarime të dukshme pasi, dhe shpeshtësia e tyre bëhet më e pranishme. Në rast se lihen pa trajtuar, atëherë mund të kalojnë dhe në infeksione të formës së rëndë, që kërkojnë jo vetëm trajtim të veçantë, por edhe një kohë shumë të gjatë trajtimi deri në kurimin e plotë të tyre.
Duke iu referuar simptomave, gjithashtu mund të përmendim edhe shenja të tjera dalluese siç janë rastet në të cilat pacienti mund të përjetojë ndjesinë e zhurmave në vesh (si gumëzhitje). Tek shumë pacientë ndodh që infeksionet e veshit të shoqërohen me kruarje , e cila është një ndjesi bezdisëse që bëhet edhe më e dukshme në rastet e pezmatimeve të rënda.
Ka edhe raste kur infeksionet e veshit shfaqen me sekrecione të shumta, të cilat janë lëngëta që mbajnë erë të keqe, si dhe sekrecionet e trasha në formë dylli, të cilat jo në të gjitha rastet klasifikohen si të dëmshme. Mund të ndikojnë në bllokim të hundëve dhe të grykëve duke e vështirësuar edhe frymëmarrjen. Në disa situata të caktuara, gjendja mund të rëndohet si pasojë e tërheqje e membranës së veshit, çka ndikon në uljen e aftësisë së dëgjimit, si dhe në krijimin e prezencës së zhurmave në mënyrë të vazhdueshme në vesh.
Cilat janë kategoritë më të riskuara për t’u prekur nga këto infeksione dhe sa të shpeshta duhet të jenë kontrollet për të mos lejuar rëndimin e gjendjes shëndetësore?
Të gjitha kategoritë janë të rrezikuara nga sëmundjet e veshit, të cilat siç e përmenda edhe më lart në këtë sezon bëhen edhe më të dukshme. Moshat e vogla, si dhe të moshuarit janë ata që përbëjnë pjesën dërrmuese të vizitave që paraqiten pranë specialiteteve tona. Imuniteti i dobët trupor bën që këto kategori të jenë më të riskuara, duke mos i përballuar dot pasojat e këtyre infeksioneve.
Ndërkohë që situata mund të rëndohet edhe më tej nëse ndodh kalimi i virozave të stinës (rastet e të cilave në ditët e fundit kanë qenë të shumta), si dhe rrufave apo gjendjeve të tjera gripale. Për këtë këshillohet që të shkohet sa më shpejt tek mjeku për ndihmë, menjëherë sapo shfaqen simptomat e para.
Lidhur me medikamentet, ato rekomandohen në bazë të ecurisë së sëmundjes dhe janë të ndryshme në varësi të gjendjes që manifeston pacienti. Kujdes duhet treguar në përdorimin e qetësuesve pa recetë që mund të jenë të dëmshëm. Kontrollet periodike ndihmojnë në pakësimin e komplikacioneve dhe dhimbjeve që mund të sjellë prania e infeksionit.
Çfarë duhet të bëjmë për të qëndruar larg infeksioneve të tilla?
E para dhe zgjidhja më imediate, është ajo e minimizimit të faktorëve shkaktues. Eliminimi i tyre do të sillte dhe shmangien e kalimit të infeksioneve në vesh. Situata aktuale në të cilën jemi ku virozat dhe bllokimet janë të shumta mund të çojë në shtimin e këtyre rasteve, ndaj në këto kushte duhet të bëjmë shumë kujdes.
Ruajtja e kushteve higjienike është një ndër faktorët që ndikon në shmangien e sëmundjeve që prekin veshin. Gjithashtu është e nevojshme që të bëhet dhe shpëlarja e hundëve me ujë të kripur, i cili largon papastërtitë apo mikrobet e mbetura në hundë. Marrja e çliruesve të rrugëve të frymëmarrjes në shumë raste është e nevojshme, por kjo vetëm pas rekomandimit të lëshuar nga mjeku specialist i kësaj fushe.
Mund të detajojmë disa nga këshillat që nuk duhet t’i neglizhojmë kur frekuentojmë pishinat e plazhet?
Një ndër këshillat kryesore që duhen ndjekur ndaj këtyre problemeve që vijnë si pasojë e sezonit, është kujdesi që duhet të tregohet ndaj frekuentimit të pishinave, apo detrave. Gjithmonë duhet të sigurohemi se kushtet higjienike në to janë të pacenueshme për shëndetin tonë.
Ndërkohë që është e domosdoshme që sapo të shfaqen simptomat e para jo vetëm të ndërpritet vajtja në këto ambiente, por të vihet menjëherë në shërbimin shëndetësor për të bërë ekzaminimin përkatës. Më parë duhet bërë ekzaminimi përkatës dhe më pas duhet vepruar me vendosjen e diagnozave trajtuese.
Njëkohësisht duhet vijuar me pastrimin e veshëve dhe në kushte shtëpie, por jo nëpërmjet sendeve të forta të cilët mund të dëmtojnë cipën e dëgjimit. Këshillohet që të bëhet kujdes dhe në larjen apo qëndrimin në ujë, për të mos lejuar mbledhjen e lagështisë në zona të caktuara të veshit, teksa duhet bërë kujdes edhe ndaj treguesve të ndotjes.
Për rastet në të cilat pacientët manifestojnë infeksione të përsëritura, të cilat mund t’i kenë kaluar edhe në vitet e mëparshme, detyrimisht duhet vepruar me përdorimin e tapave që vihen në vesh gjatë periudhës kur lahen. Përdorimi i këtyre tapave tek këta pacientë duhet ndjekur edhe në rastet e larjeve normale në shtëpi. Kjo pasi sa më pak lagështirë të mbetet në zonën e infektuar, aq më efikas bëhet dhe trajtimi, nëpërmjet të cilit bëhet e mundur largimi i vatrave të infeksionit.
Neglizhenca në trajtimin e infeksioneve të veshit
Një ndër këshillat më të rëndësishme që duhet të mbajë parasysh pacienti, është fakti që të kryejë vizitën përkatëse tek mjeku sapo të ndiejë shqetësimet e para. Kjo pasi në të kundërt komplikacionet që shfaqen mund të jenë të një forme shumë të rëndë. Infeksionet e veshit mund të kalojnë në grykë, raste këto që janë më të shpeshta gjatë ditëve të ftohta, teksa mund të kalojnë edhe në infeksione të kockës apo dhe të trurit, duke lënë pasoja shumë të rënda. Për rastet në të cilat sëmundja shoqërohet me dhimbje të forta, atëherë gjendja është bërë vërtet shqetësuese dhe vetëm vizitat e specializuara dhe ekzaminimet specifike mund të ndihmojnë në minimizimin e këtyre dhimbjeve.
Fëmijët kategoria më e rrezikuar
Ata që manifestojnë shqetësime më të shpeshta janë fëmijët e moshave të vogla, të cilët rrinë për një kohë të gjatë të ekspozuar ndaj faktorëve riskues. Organizimi i tyre shfaq rezistencë të ulët kur bien në kontakt me shkaktarët e këtyre infeksioneve. Mosha e porsalindur duke e pasur të paformuar mirë tubin që lidhin hundën me veshin (pasi ka pozicion horizontal), krijon kushte të favorshme që të infektohet më lehtë.
Shkalla e infeksionit varet nga gjendja e organizmit në momentin e prekjes nga mikrobet si dhe nga forca që mikrobi ka kundrejt shkaktimit të dhimbjeve. Po kështu, këtu ndikon dhe pamundësia për t’u ruajtur nga faktorët e ndryshëm të ambientit. Duke iu referuar kësaj gjendjeje, për këtë kategori duhet bërë edhe më shumë kujdes, për të mos lejuar shfaqjen e infeksioneve.
Shpeshherë prindërit e kanë shumë të vështirë që t’i evidentojnë në kohë dhimbjet e veshit tek fëmijët e tyre të vegjël. Kjo pasi mund të ndodhë ngatërrimi i tyre me dhimbje të barkut apo shqetësime të tjera, të cilat bëjnë që fëmija të qajë gjatë gjithë kohës, duke qenë se fëmijët sapo kanë mbushur vitin apo që janë më të vegjël nuk mund të vënë në pah burimin se nga vijnë dhimbjet e tyre.
Prindërit në këtë rast duhet të tregojnë shumë kujdes, sepse tek fëmijët infeksioni mund të mos shoqërohet me të gjitha simptomat e dukshme, e nëse neglizhohet kurimi i tyre, atëherë gjendja mund të bëhet vërtete e vështirë, sepse do të jetë krijuar myku në vesh i cili kërkon trajtim të veçantë. Ndaj duhet treguar vëmendje e veçantë ndaj kësaj shtrese në mënyrë që të kapen problemet që në fazat e para kur shfaqen, si dhe të mos lejohet kalimi i tyre në një gjendje më të avancuar, e cila mund të mbartë probleme të shumta për dëgjimin. Kjo problematikë bëhet edhe më e dukshme me kalimin e viteve.
Simptomat që shoqërojnë infeksionet e veshit
Në pjesën dërrmuese të rasteve vërehet një enjtje e veshit
Dhimbja vjen duke u bërë edhe më e fortë me kalimin e kohës
Në shumë raste mund të shoqërohen me sekrecione që mbajnë erë
Pezmatimi i veshit shoqërohet me ndjesi bezdisëse si kruarja
Mund të ndodhë krijimi i dyllit përreth veshit apo në brendësi të tij
Shfaqen me dhimbje koke, humbje përqendrimi, vështirësi në dëgjim
Ka edhe raste në të cilat infeksionet shoqërohen edhe me temperaturë
Trajtimi, hapat për të frenuar sëmundjet e veshit
Trajtimi i infeksioneve në përgjithësi konsiston në pastrimin e vatrave ku është grumbulluar infeksioni. Ky pastrim fillon me bërjen e një lavazhi në kanalin e veshit, ku është evidentuar edhe grumbullimi i infeksioneve apo pezmatimi i shfaqur. Me shpërndarjen e kësaj vatre ku është përqendruar infeksioni fillon e pakësohet edhe dhimbja e fortë që ndien pacienti.
Me ndjekjen e plotë të kurës trajtuese, kjo dhimbje shkon drejt zhdukjes. Nëpërmjet një pajisje të posaçme (fitil) bëhet e mundur shpërndarja e infeksionit apo pezmatimit në zonat e veshit të mesëm dhe atij të jashtëm. Në të njëjtën kohë veprohet edhe me anë të trajtimit me antibiotikë, të cilët me kujdes, sipas përshkrimeve të dhëna nga mjeku, hidhen në zonën e infektuar. Veprimi i tyre bën të mundur largimin e infeksionit dhe shërimin e zonës ku ishte përqendruar ky infeksion.
Duhet bërë shumë kujdes që në asnjë rast të mos veprohet me marrjen vetë të barnave në farmaci apo dhe të qetësuesve të thjeshtë pa u konsultuar më parë me mjekun. Kjo pasi në raste të tilla mund të ndodhë që antibiotiku apo qetësuesi i përdorur të mos japë efektet e duhura, duke e rënduar edhe më tepër sëmundjen.
Janë të shumta rastet që paraqiten në spitale dhe poliklinika me dhimbje të forta dhe gjendje të rënduar si pasojë e tentativave të bëra për qetësimin e këtyre dhimbjeve vetëm duke u konsultuar me farmacistin.
Vetëm pasi të jenë kryer kontrollet dhe ekzaminimet specifike ku përcaktohet shkaku që ndikon në pezmatimin e veshit mund të veprohet me lëshimin e recetës së barnave që duhen përdorur.
Sipas mjekëve, kujdes duhet bërë edhe me përdorimin e pajisjeve të ndryshme të komunikimit, e veçanërisht kufjeve. Përdorimi për një kohë të gjatë mund të ndikojë në uljen e aftësisë së dëgjimit. Kjo pasi veshi ndodhet gjatë gjithë kohës nën efektet e ngacmimit nga tingujt dhe zhurmat e prodhuara nga këto kufje.
Sasitë e mëdha të dyllit në vesh dëmtojnë dëgjimin
Sasia dhe formimi i dyllit në vesh është një proces normal i organizmit që ndodh tek çdo njeri. Në varësi të veçorive individuale, dylli mund të krijohet në sasi të mëdha dhe në sasi të pakta. Në përgjithësi dylli ndihmon duke penguar hyrjen në brendësi të veshit të mikrobeve apo elementeve të tjera në brendësi të veshit. Por krahas këtyre veçorive dylli mund të ndikojë edhe në shfaqjen e komplikacioneve kur bie në kontakt me lagështirën.
Tek ata individë tek të cilët formimi i dyllit është në sasi të larta, në rast se ky dyllë bie në kontakt me lagështirën, bëhet i rrezikshëm pasi bllokon kanalin e dëgjimit, sipërfaqe e cila uzurpohet nga sasia e dyllit. Pikërisht në këtë çast fillojnë të shfaqen ndjesi të çuditshme si ato të zhurmave në vesh duke ekspozuar pacientin drejt vështirësive sa i takon dëgjimit.
Në të tilla raste është e domosdoshme marrja e ndihmës mjekësore pasi në të kundërt dëmet mund të jenë të shumta. Shpesh personat që kanë sasi të mëdha të dyllit në vesh, u nënshtrohen trajtimeve për ta pakësuar atë. Edhe në këtë rast është mjeku ai që përcakton se si duhet bërë trajtimi për normalizimin e sasisë së dyllit në vesh.
Veprimet që nuk duhen neglizhuar
Sëmundjet e veshit dhe veçanërisht infeksionet mund të parandalohen nëse tregohemi sistematikisht të kujdesshëm me higjienën personale.
Jemi më pak të rriskuar për t’u prekur nga këto sëmundje në rastet kur tregohemi të kujdesshëm me qëndrimet e gjata në ambientet ku zhurmat janë të forta apo ku ka nivel të lartë ndotjeje. Zhurmat e forta në përgjithësi ndikojnë në dëmtimin e daulles së veshit e nëse ndodh kjo, mund të vihemi përballë problemeve serioze të humbjes së aftësisë në të dëgjuar.
Duhet bërë kujdes dhe me mjetet që përdorim gjatë përditshmërisë për pastrimin dhe kruarjen e veshëve, të cilat nuk duhet të jenë të forta dhe të mprehta, pasi në të kundërt problemet që mund të lënë në pjesët e brendshme të veshit, mund të jenë edhe të pariparueshme. Përdorimi i gabuar i kunjave në pastrimin e veshëve mund të ndikojë në dëmtimin e kanalit të veshit. Por nuk përjashtohet as situatat në të cilat përdorimi i tyre dëmton edhe membranën e veshit, si dhe daullen në rast se tentohet të përshkojnë thellësinë e veshit.
Sa kohë që veshi është nën trysninë e infeksioneve, duhet shmangur vajtja në pishina, plazh, teksa duhen shmangur edhe larjet e shpeshta në shtëpi. Në të tilla raste nuk duhet neglizhuar asnjëherë përdorimi i bllokuesve që pengojnë hyrjen e ujit në vesh. Kjo përkujdesje duhet të vijojë deri sa të shihet kalimi i infeksionit apo problemit të shfaqur.
Asnjëherë nuk duhet të veprojmë me pastrime shumë të thella të veshit qoftë edhe kur përdorim shkopinj pambuku. Ky veprim mund të ndikojë negativisht, pasi bën që sekrecioni normal i shfaqur në formën e dyllit, të kalojë drejt daulles duke favorizuar mahisjen e tij. Ndërsa pjesët e jashtme të veshit duhet t’i pastrojmë shpeshherë me peceta të pastra.
Një ndër këshillat që të gjithë duhet të kemi parasysh, është që të kërkojmë ndihmën e mjekut specialist sapo të shfaqen dhimbjet e para e të mos i neglizhojmë duke menduar se mund t’i trajtojmë vetë apo t’i lëmë duke menduar shërimin e tyre nën efektet e qetësuesve të marrë pa rekomandim mjekësor.
Kontrollet tek mjeku duhet të jenë periodike dhe të domosdoshme para nisjes së sezonit të pushimeve në rastet kur kemi të bëjmë me pacientë që vuajnë nga dhimbjet e veshit në mënyrë të përsëritur.
Ndonëse nuk ka studime të mirëfillta që të tregojnë realisht se sa dëmtohen veshët nga përdorimi i kufjeve, mjekët këshillojnë që të bëhet kujdes me mbajtjen e tyre. Kjo pasi tingujt e fortë që ato prodhojnë , si dhe mbajtja e tyre për një kohë të gjatë nxit veprime mekanike të veshit të cilat mund të shoqërohen me probleme në aftësinë e dëgjimit.