Nuk janë të pakta rastet në të cilat na është dashur të paguajmë me para nën dorë shërbimet mjekësore në sistemin publik. Por, pavarësisht këtij fakti të cilin e kemi parasysh çdo ditë, denoncimet e bëra janë të pakta. Në Asamblenë Kombëtare të Infermierëve që është mbajtur dje kundrejt kësaj situate shqetësuese është konfirmuar se vetëm tre janë rastet e denoncuara zyrtarisht sa i takon korrupsionit në radhët e infermierëve.
Duke u ndalur tek problematikat e shfaqura kreu i Urdhrit të Infermierit Sabri Skënderi ka vënë në dukje se pacientët do të ishin më të pranishëm në denoncimin e rasteve të tilla, nëse dhe ligji do të ashpërsonte më tej masat ndëshkimore për raste të tilla. Për këtë Skënderi deklaron nevojën e domosdoshme për ndryshime të caktuara në ligj, ndryshime të cilat duhet të shkojnë në favor të mbrojtjes së pacientëve dhe më pas të personelit mjekësor.
“Numri i denoncimeve nga pacientët është vetëm tre deri më sot. Mund të parashikohet të dënohet dhe ai që jep dhe ai që merr. Janë mbajtur qëndrime për rastet e denoncuara që janë të pakta. Ndaj bëjmë thirrje të ketë më tepër pjesëmarrje të shoqërisë për të ndryshuar kujdeset infermierore dhe kujdesin shëndetësor”, ka deklaruar Skënderi.
Sipas tij, janë qindra raste të tjera të denoncuara të cilat janë në proces verifikimi nga komisionet e ekspertëve për shkeljet e konstatuara. Urdhri vë në dukje se janë mbi 100 ankesa të bëra nga pacientët sa i takon sjelljes dhe etikës që infermierët tregojnë në vendet e punës gjatë ofrimit të shërbimit, ankesa në lidhje me mënyrën e të veshurit, si dhe largimeve nga vendet e punës pa mbaruar orari zyrtar.
Një pjesë e konsiderueshme e infermierëve vijojnë të sillen keq me pacientët duke mos iu përgjigjur nevojave të tyre në kohë. Për shkelje të etikës ndaj pacientit janë penalizuar 74 infermierë në vend, 40 prej të cilëve në QSUT, ndërsa 3 infermierë janë ndëshkuar me 3 muaj heqje e së drejtës së ushtrimit të profesionit.
Sipas rregullores së shpallur nga ky institucion, asnjë nga infermierët nuk mund të ushtrojë profesionin e infermierit, të mamisë apo fizioterapistit në Republikën e Shqipërisë pa qenë anëtar i Urdhrit të Infermierit. Kundrejt sinjalizimeve të bëra tashmë kanë nisur kontrollet në të gjitha institucionet shëndetësore për të verifikuar nëse ky rregull është i zbatueshëm.
Më tej Skënderi akuzoi drejtuesit e shërbimit spitalor se abuzojnë me të ardhurat dytësore që përfitohen nga vizitat e pacientëve dhe shpërdorimi i fondeve konstatohet si në spitalin më të madh universitar dhe në spitalet rajonale.
Sipas Skënderit, punëdhënësit e institucioneve shëndetësore, publike dhe private, të shërbimit shëndetësor parësor, dytësor dhe tretësor, ndalohen t’i punësojnë ata në kundërshtim me këtë dispozitë. Më tej ai shton se puna e infermierëve has në dy problematika kryesore, sjelljet etiko-profesionale ndaj pacientit dhe formimi profesional i tyre. Këto mbeten dy sfidat kryesore për Urdhrin e Infermierit të Shqipërisë, situatë e cila më pas do të ndikojë edhe në përmirësimin e cilësisë së shërbimit që ofrohet ndaj pacientit.
Penalizimet për shkeljet që infermierët bëjnë në punë
Ndëshkimet për veshjen
“Për mosparaqitjen me uniformën e caktuar dhe mosmbajtje të kartës së identitetit profesional ose dalja me uniformë jashtë vendit të caktuar”, përbën shkelje të Nenit 2, pika 6 dhe 7 të Kodit Etik- Deontologjik dhe dënohen me vërejtje, gjobë 2 000-20 0000 lekë.
Fyerjet ndaj pacientit
“Për pritje dhe komunikim jo të mirë me pacientët, familjarët dhe kolegët”, përbën shkelje të Nenit 2, pika 8 dhe dënohet me gjobë, 2 000- 20 000 lekë dhe me ulje në detyrë 6 muaj – në një vit.
Dallimet në trajtim
“Mosdhënia e kujdesit të duhur dhe mosrespektimi i pacientit pavarësisht nga moshës, ngjyrës apo nga bindjet e tij” përbëjnë shkelje të Nenit 2, pika 4 dhe dënohet me gjobë nga 3 000-30 000 lekë, ulje në dëtyrë ose përjashtim nga urdhri nga 1-6 muaj.
Paratë nën dorë
“Kërkimi, stimulimi, ndërmjetësimi, martja e ryshfetit në çfarëdolloj forme”, është shkelje e Nenit 2, pika 9 dhe dënohet me 5 000-100 000 lekë gjobë, me ulje në detyrë dhe me përjashtim nga urdhri 6-12 muaj.
Përdorimi i lëndëve narkotike
“Uljes së reputacionit dhe figurës morale nëpërmjet provokimit apo të përdorimit të drogës, alkolit apo imoralitetit”, përbën shkelje të Nenit 2, pika 13 dhe dënohet me gjobë 10 000-100 000 lekë ose përjashtim nga UISH për një periudhë 1-3 vjeçare.
Pakujdesia në punë
“Pakujdesia në kryerjen e detyrës, tejkalimi i kompetencave që kanë sjellë dëme serioze në shëndetin e pacientit”, përbën shkelje të Nenit 2, pika 19 dhe dënohen me përjashtim nga urdhri dhe ndjekje penale.
Trajtimi për kufomat
“Mostrajtimi i kufomës dhe mos dërgimi i saj në morg, në mungesë të familjarëve”, përbën shkelje të Nenit 4, pika 18 dhe dënohet me gjobë 5 000-100 000 lekë dhe me përjashtim nga UISH për 3-6 muaj.
Ndihma e urgjencës
“Mosdhënia e ndihmës së parë në raste urgjente apo fatkeqësish natyrore në kushte të pajustifikueshme”, përbën shkelje të Nenit 2, pika 17 dhe dënohet me përjashtim nga UISH për 6-12 muaj.
Leja për ushtrimin e profesionit
“Shkeljet e Kodit Etik-Deonologjik dhe Statutit të urdhrit të infermierit , të mos marrjes në kohë të lejes për ushtrimin e profesionit, ose mos pagimin e kuotës së caktuar, në mw shumë se 6 muaj”, përbën shkelje të Nenit 1, pika 5 dhe dënohet me gjobë nga 5 000-100 000 lekë ose me përjashtim nga urdhri për 6-12 muaj.
Anëtarësimi në urdhër
“Ushtrimi i profesionit pa u anëtarësuar në urdhrin e infermierit të Shqipërisë ”, përbën shkeljen e Ligjit Nr. 9718, datë 29/04/2007 dhe dënohet me gjobë 100 000 lekë, ose çohet për ndjekje penale.

İkni o ikni se late nome,per ca duhet ky urdhri i infermierit aman.
Mire rroga skemi por duhet me duru dhe kta soj sojesh .
Merruni me kushtet qe punon infermieri shqiptar,qe eshte hero dhe mos i vidhni dita dites nga xhepat .