Infermieri-fizioterapi, ja 1800 praktikantët e rinj që kalojnë në testim

J L

Janë rreth 1800 kandidatët e shkencave mjekësore teknike në profilet fizioterapi dhe infermieri që do t’i nënshtrohen testimit të praktikës, rezultati pozitiv i të cilit është vendimtar për të vijuar procedurat e mëtejshme të sigurimit të lejes së ushtrimit të profesionit në këto specialitete, si në strukturat publike mjekësore, ashtu edhe në ato private. Pas vlerësimit të bërë, Urdhri i Infermierit ka shpallur tashmë listën zyrtare të 288 kandidatëve të profilit fizioterapisë, si dhe 1493 kandidatëve të infermierisë që duke nisur nga fundi i javës së ardhshme do t’i nënshtrohen testimit final të aftësimit praktik.

Për shkak të numrit të madh të kandidatëve, autoritetet e Urdhrit të Infermierit sqarojnë se janë përcaktuar jo vetëm datat, por edhe oraret specifike të testimit në të cilat secili kandidat që është pjesë e listave të detajuara në vijim të shkrimit, duhet që të paraqitet në ambientet e përcaktuara për të zhvilluar provimin. Ndërkohë që edhe në këtë sezon, do të duhet të respektohen me shumë rreptësi masat antiCovid gjatë zhvillimit të provimit.

Sipas kalendarit të shpallur, në profilin e fizioterapisë provimi i praktikës do të zhvillohet në datat 16 dhe 17 prill, me tre turne gjatë secilës ditës. Kandidatët duhet që të paraqiten për të zhvilluar provimin vetëm në datën dhe orarin e përcaktuar specifikisht për ta. Ndërsa për infermierët provimet do të vijojnë për shtatë ditë me radhë, përkatësisht duke nisur nga data 18 prill, për të përfunduar në datën 24 prill. Të gjithë praktikantët që kanë emrin në listat e mëposhtme, duhet të respektojnë masat e vendosura nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për Covid-19, teksa në ditën e provimit duhet të keni me vete detyrimisht: “Kartën e identitetit dhe atë të praktikantit, përparëse të bardhë, maskë dhe stilolaps”. Kandidatët që nuk paraqesin këto dokumente nuk do të lejohet që të marrin pjesë në provim.

Referuar kushteve të përcaktuara më herët në rregullore, praktika profesionale do të konsiderohet e kryer vetëm pasi praktikanti të vlerësohet kalues edhe në testimin final që do të zhvillohet në këto data të përcaktuara. “Vlerësimi i praktikës cilësohet pozitiv në rastet kur kandidati siguron nga komisioni 50-100 pikë. Kur kandidati vlerësohet me më pak se sa 50 pikë duhet të ripërsërisë provimin, por vetëm gjatë sezonit të ardhshëm, kohë në të cilën do të zhvillohet edhe sezoni i radhës i testimeve të praktikës”, përcaktohet në rregulloren e provimit. Ndërkohë që të gjithë praktikantët që do të marrin vlerësimin pozitiv do të vijojnë me procedurat për të siguruar licencën profesionale nëpërmjet provimit të shtetit që do të zhvillohet gjatë muajit maj.

Fizioterapi

infermieri

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *