Inflacioni qëndroi në nivele të ulëta edhe gjatë muajit Shtator. Sipas të dhënave të publikuara dje nga INSTAT , inflacioni vjetor ishte 1.7 për qind, në rritje nga vlera 1.2 për qind e muajit Gusht, por ndjeshëm poshtë objektivit prej 3 për qind të Bankës së Shqipërisë për stabilitetin e çmimeve. Dobësia e kërkesës së brendshme vazhdon të përcaktojë rritje modeste të çmimeve të konsumit. Po të shohim strukturën e inflacionit, vërejme se edhe gjatë muajit Shtator ai u shkaktua në masën 90 për qind nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike”. Inflacioni në këtë grup për Shtatorin u rrit në 3.9 për qind, nga 2.8 për qind që kishte qënë në Gusht. Produktet me rritjen më të lartë të inflacionit ishin frutat dhe zarzavatet, çka ndoshta lidhet me një rënie stinore të ofertës për to. Të gjitha grupet e tjera mallrave dhe shërbimeve regjistruan rritje të papërfillshme ose rënie të inflacionit. Fakti që inflacioni vjen në masën dërrmuese nga grupi i ushqimeve tregon se kërkesa dhe shpenzimet konsumatore janë kryesisht të përqëndruara pikërisht te mallrat më të domosdoshme. Inflacioni pranë zeros në shumicën e grupmallrave të tjera dëshmon një kërkesë të dobët për to. Jo vetëm niveli i ulët i inflacionit, por edhe struktura e tij, është një tjetër simptomë e krizës që ka prekur ekonominë shqiptare.
Rritja ekonomike është thellësisht nën potenciale dhe për tremujorin e dytë të vitit ishte vetëm 1.1 për qind. Uljes e normës bazë të interesit në minimumin historik 3.5 për qind, nuk ka arritur të frenojë ngadalësimin e kreditimit, që dy muajsh është madje në rënie me bazë vjetore. Gjendja e vështirë e buxhetit dhe sasitë e mëdha të detyrimeve të prapambetura kanë krijuar vështirësi të tjera te sipërmarrjet kontraktore për punët publike, te familjet e lidhura me to, por edhe te bankat. Në këto kushte, ekonomia prodhon më pak të ardhura dhe më shumë pasiguri, duke sjellë rrjedhimisht një dobësim drastik të kërkesës konsumatore.
