Inflacioni zbret në 1.5 për qind në shtator

redaktor

Inflacioni pësoi rënie në muajin shtator, në nivelin 1.5 për qind, duke vendosur përsëri në dyshim stabilizimin e këtij treguesi brenda intervalit të objektivit të politikës monetare.

Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, efektin kryesor frenues në indeksin e çmimeve të konsumit, krahasuar me gushtin, e dhanë grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse, energji”. Inflacioni për grupin e ushqimeve, që mban peshën kryesore në inflacion, zbriti në shtator në 2.1 për qind, nga 3.2% që kishte qenë në gusht. Efektin kryesor në uljen e inflacionit brenda këtij grupi vazhdojnë të japin kryesisht ushqimet e përpunuara. Ndërsa grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse, energji” regjistroi inflacion në nivelin 0.2 për qind, nga 1.1 për qind që ishte në gusht, me shumë të ngjarë për shkak të uljes së lehtë të çmimit të karburanteve.

Ndër grupet që vazhdojnë të kenë normë negative të inflacionit janë “Shëndeti” dhe “Veshje dhe këpucë”. Çmimet në shëndetësi këtë vit po regjistrojnë ndryshim vjetor negativ, në reflektim të heqjes së tatimit mbi vlerën e shtuar mbi barnat dhe shërbimet shëndetësore në fillim të 2014.

Ndër grupi “Veshje dhe këpucë” ruan ritme negative të rritjes së çmimeve prej vitesh. Në korrik dhe gusht, inflacioni ishte rritur deri në kufirin e poshtë të objektivit prej 2 për qind, duke e çuar rritjen e çmimeve pranë niveleve të shëndetshme për ekonominë dhe duke sinjalizuar përmirësimin e kërkesës së brendshme. Por, muaji shtator solli sërish një hap mbrapa, që dëshmon se ndoshta rimëkëmbja e qëndrueshme e kërkesës do të kërkojë ende kohë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *