Marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë(14)
Arkivat sekrete ruse
Shqipëria dhe Kosova në arkivat sekrete ruse 1946-1961. Informacioni i 1 shkurtit 1951 i Mehmet Shehut për Stalinin (biseda e regjistruar me Çuvahinin) për gabimet e Tuk Jakovës dhe ankesa për Enver Hoxhën se nuk pranon kritika. Letra e 23 shtatorit 1951 e Enverit për Stalinin për ndihma në fushën e drejtësisë dhe biseda Enver-K.Leviçkin e 7 shtatorit 1951
Mehmet Shehu: Në të ardhmen nuk do shprehem as në Byronë Politike e as në plenum për të kritikuar gabimet e anëtarëve të Byrosë. Kritika nuk është në modë. Më 31 janar në fund të seancës së Byrosë, Liri Belishova kritikoi së Enver Hoxha i kushtonte më shumë vëmendje Këshillit të Ministrave. Enveri e ndërpreu brutalisht, duke thënë se ai e dinte vetë punën e tij.
(Vijon nga numri i kaluar)
Viti 1951 shënon përçarjen e dukshme mes drejtuesve të shtetit shqiptar, ndërkohë, Mehmet Shehu është ndër të parët që i raporton Moskës për situatën, përfshi dhe informacionin se ‘Enver Hoxha nuk pranon kritika’. Sipas dokumenteve origjinale të arkivave sekrete ruse (përfshirë në studimin e Hamit Kabës e Ethem Çekut), përkatësisht në 3 informacione sekrete(letra, biseda të regjistruara) të periudhës janar-shtator 1951, sillen dëshmi lidhur me këto informacione për Moskën…
(Nga ditari i të dërguarit të BRSS në Shqipëri D.S. Çuvahin. Regjistrim i bisedës me anëtarin e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, Mehmet Shehu, lidhur me ‘gabimet’ e Tuk Jakovës).
Tiranë, më 1 shkurt 1951
Sekret
Sipas kërkesës së tij prita në një takim pune Mehmet Shehun. Ai erdhi të diskutonte me mua përshtypjet mbi konkluzionet e diskutimit dyditor në Byronë Politike. Ai deklaroi se përderisa unë njihja përmbajtjen e fjalimeve të veçanta në Byronë Politike[1], nuk e konsideronte të nevojshme që të diskutohej kjo çështje. Ai donte të theksonte se nuk i kishin lënë një përshtypje të mirë konkluzionet e diskutimeve që u bënë në Byronë Politike. Para së gjithash, kjo përshtypje jo e mirë kishte të bënte me qëndrimin që mbajti Enver Hoxha lidhur me gabimet e Tuk Jakovës. Sipas Mehmet Shehut, Enver Hoxha gabohet kur mendon se Tuk Jakova ka bërë gabime pa ndërgjegje, gabime për të cilat u fol në Byronë Politike. Mehmet Shehu mendon se në çështjen e Njazi Islamit, Tuk Jakova ndodhet në opozitë me vendimet e Plenumit V të Komitetit Qendror të Partisë. Enver Hoxha nuk do, sipas pohimeve të Mehmet Shehut, të kuptojë se Tuk Jakova në procesin e punës jo vetëm shfaq oportunizëm, por se ai në përgjithësi për nga cilësitë nuk duhet të mbajë postin që ka sot. Gabimet e Tuk Jakovës, për të cilat u diskutua në Byronë Politike, tha Mehmet Shehu, nuk janë të reja për partinë. Gabime analogjike Tuk Jakovës i janë vënë në dukje edhe në Plenumin XI të Komitetit Qendror. Ndërkaq, që nga ajo kohë kanë kaluar mbi dy vjet, por nuk është vënë re ndonjë reflektim në
qëndrimet e Tuk Jakovës.
Mehmet Shehu mendon se, nëse Tuk Jakova do të qëndrojë edhe më pas, në drejtimin e punës së Aparatit të KQ, puna e Partisë nuk ka për të ecur, dhe se për realizimin e planit pesëvjeçar as që mund të bëhet fjalë. Sipas Mehmet Shehut, Enver Hoxha personalisht nuk merret sa duhet me punët e Partisë, dhe se në këtë drejtim, ai mbivlerëson Tuk Jakovën. Kurse, për sa i përket punëve në qeveri, Enver Hoxha u kushton vëmendjen maksimale dhe madje, ka frikë se mos bëhet ndonjë gjë pa dijeninë e tij.
Sipas Mehmet Shehut, edhe ajo kritikë e kufizuar, që Enver Hoxha bëri në adresë të Tuk Jakovës, lindi vetëm nga fakti që ai (Enver Hoxha) si Sekretar i Përgjithshëm nuk mund të rrinte pa kritikuar Tuk Jakovën.
Lidhur me një qëndrim të tillë pajtues ndaj Tuk Jakovës, Mehmet Shehu deklaroi se në të ardhmen ai nuk ka ndërmend të shprehet as në Byronë Politike e as në plenum për të kritikuar gabimet e anëtarëve të tjerë të Byrosë. Ai tha se deri tani në Byronë Politike kritika nuk është në modë, dhe kur më 31 janar në fund të seancës së Byrosë, Liri Belishova deklaroi se pas fjalës së Enver Hoxhës ju krijua përshtypja se ai i kushtonte më shumë vëmendje punës në Këshillin e Ministrave, Enver Hoxha e ndërpreu atë brutalisht, duke u shprehur se ai e dinte vetë punën e tij.
Pasi falënderova Mehmet Shehun për këtë informacion, i thashë se mendimi i tij për të hequr dorë nga kritika e gabimeve të anëtarëve të tjerë të Byrosë Politike vështirë se mund të quhet një veprim i drejtë. Në qoftë se ai mendon, se ka të drejtë në kritikën që bën, atëherë, – vazhdova unë, – duhet të këmbëngulë deri në fund, dhe kur në Byronë Politike nuk janë dakord ai ka mundësi që mendimet e tij t’i shprehë në Plenumin e Komitetit Qendror. Lidhur me këtë, unë përqendrova vëmendjen e Mehmet Shehut në artikullin redaksional, të botuar në gazetën “Për paqe të qëndrueshme, për demokracinë popullore” të datës 5 janar 1951, artikull që siç më duket mua, lidhur me diskutimet që janë bërë në Byronë Politike dy vitet e fundit, ka rëndësi veçanërisht të madhe. Këtë artikull, u shpreha unë, nuk do të ishte mirë ta lexonin të gjithë anëtarët e Byrosë Politike.
Me kaq biseda jonë përfundoi.
I dërguari i BRSS në RP të Shqipërisë
D.S. Çuvahin
(Burimi:SF VE, T. II, AVP RF, F. 07, Op. 26, P. 44, D. 58. L. 31-32. Nr. 161. Origjinal).
* * *
(Nga ditari i K. D. Leviçkin. Regjistrim i bisedës me Enver Hoxhën, mbi papërshtatshmërinë e rishikimit të pagave të specialistëve sovjetikë në Shqipëri, mbi pjesëmarrjen e përfaqësuesve sovjetikë në aktivitetet mujore të miqësisë shqiptaro-sovjetike, mbi pranimin e studentëve shqiptarë për studime në institucionet e larta arsimore të BRSS etj).
Tiranë, më 9 gusht 1952
Sekret
Më 9 gusht i bëra një vizitë Enver Hoxhës dhe në përputhje me udhëzimin e Qendrës, referuar vendimit të qeverisë shqiptare, për rritjen e pagave të specialistëve sovjetikë që punojnë në Shqipëri, në krahasim me pagat e specialistëve shqiptarë, ku e njoftova se, përderisa Akt-Marrëveshja midis BRSS dhe Shqipërisë, e datës 9 prill 1949 parashikon, që paga e specialistëve sovjetikë të jetë në monedhën vendase dhe në nivelin e pagave që ekzistojnë për specialistët shqiptarë të kualifikimeve e funksioneve paralele, ne nuk shohim ndonjë bazë logjike apo ligjore, për rritjen e pagave vetëm për specialistët sovjetikë. I thashë gjithashtu Enver Hoxhës, se, për mendimin tonë, do të ishte jo e drejtë dhe jo e dëshirueshme, që specialistët sovjetikë të vendosen në një situatë të privilegjuar, krahasuar me specialistët shqiptarë, prandaj pagat e specialistëve sovjetikë të caktohen në përputhje të plotë me Akt-Marrëveshjen shqiptaro-sovjetike të nënshkruar më 9 prill 1949.
Enver Hoxha deklaroi, se e parashikonte një kundërshtim të qeverisë sovjetike lidhur me këtë vendim të qeverisë shqiptare. Sipas njoftimit të Enver Hoxhës, vendimi i qeverisë shqiptare mbi rritjen e pagave të specialistëve sovjetikë është miratuar, së pari, duke u nisur nga dëshira e qeverisë shqiptare, për të përmirësuar gjendjen financiare të specialistëve sovjetikë në Shqipëri, duke pasur parasysh disa vështirësi të jetesës në vend; së dyti, nën presionin e specialistëve shqiptarë të nivelit paralel dhe të atyre ministrive ku punojnë specialistët sovjetikë; së treti, me dëshirën e qeverisë shqiptare që specialistët sovjetikë në drejtim të të ardhurave financiare, të mos ndodheshin në kushte jo të favorshme në krahasim me specialistët e vendeve të Demokracive Popullore, që aktualisht punojnë në Shqipëri.
Më tej, Enver Hoxha deklaroi, se qeveria sovjetike e shtron drejt qëndrimin e saj për zbatimin rigoroz të Akt-Marrëveshjes shqiptaro-sovjetike, mbi kushtet e punës të specialistëve sovjetikë në Shqipëri dhe kjo është një paraqitje me të vërtetë bolshevike e kësaj çështjeje. Enver Hoxha tha, se gjatë bisedës së tij me shokun A.I. Mikojan, ky i fundit i kishte shprehur të njëjtin qëndrim, pra, specialistët sovjetikë që punojnë në Shqipëri duket të kenë të njëjtin trajtim financiar si edhe specialistët shqiptarë, dhe ky ka qenë, vazhdoi Enver Hoxha, edhe qëndrimi i Byrosë Politike të Partisë Komuniste Pansovjetike (Bolshevike), qëndrim i cili nisej, para së gjithash, nga shkaqe politike.
Sipas njoftimit të Enver Hoxhës, gjatë diskutimit të çështjes mbi rritjen e pagave të specialistëve sovjetikë, ai kishte shprehur kundërshtinë e tij, duke pasur parasysh si mendimin e shokut Mikojan, ashtu edhe zbatimin me rigorozitet të Akt-Marrëveshjes së përbashkët. Por, nga ana e ministrave të kabinetit qeveritar kishte pasur presion të madh, kështu që edhe ai ishte i detyruar të pranonte miratimin e një vendimi të tillë të qeverisë shqiptare.
Përderisa rritja e pagave u aplikua më 1 janar 1952 dhe duke pasur parasysh që specialistët sovjetikë, tashmë kanë marrë pagat e reja deri në 1 gusht të këtij viti, Enver Hoxha tha, se qeveria shqiptare, natyrisht nuk do t’u zbresë nga paga këtë diferencë që u është paguar.
Gjatë bisedës për diskutimin e çështjeve të tjera, Enver Hoxha u shpreh se si rezultat i bisedimeve të të dërguarit shqiptar në Romë, Shtylla, me ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, qeveria italiane kishte vendosur mospjesëmarrjen në çështjen gjyqësore, të caktuar në tetor të këtij viti, lidhur me ndalimin në Bari nga organet kompetente italiane të anijes shqiptare “Asim Zeneli”, dhe kishte njoftuar shqiptarët se do t’ia kthente këtë anije Shqipërisë pa asnjë diskutim. Enver Hoxha tha, se përderisa italianët bëjnë një veprim të tillë ndaj Shqipërisë, qeveria shqiptare ka ndërmend të dorëzojë një nga anijet italiane, të ndaluara nga organet shqiptare.
Më tej, Enver Hoxha njoftoi se qeveria shqiptare ka dhënë pëlqimin për emërimin e të besuarit të tanishëm me punë të Italisë në Tiranë, Lanceti në cilësinë e të dërguarit Italian në Shqipëri, dhe se për këtë ishte njoftuar edhe qeveria italiane.
Nga ana ime, njoftova Enver Hoxhën mbi vendimin për miratimin e kërkesës së Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, lidhur me dërgimin në Shqipëri, në shtator të këtij viti, të personaliteteve të kulturës sovjetike, të përbërë nga shoku N. I. Nuzhdin (kryetar delegacioni), P.V. Suhatin etj. (gjithsej 7 persona), për të marrë pjesë në aktivitetet mujore të miqësisë shqiptaro-sovjetike, si dhe mbi ftesën e VOKS-it drejtuar delegacionit të personaliteteve të kulturës shqiptare, të përbërë nga 10-12 persona me një afat qëndrimi 3 javor, në tetor-nëntor të këtij viti, për njohjen me arritjet e Bashkimit Sovjetik.
Më tej, njoftova Enver Hoxhën se në periudhën e aktiviteteve mujore të miqësisë shqiptaro-sovjetike, në shtator, do të vijë në Shqipëri edhe një grup artistësh sovjetikë, të përbërë nga 10 deri 15 persona me një afat qëndrimi 3 javor. Enver Hoxha mbeti shumë i kënaqur nga këto vendime dhe falënderoi qeverinë sovjetike.
Gjithashtu, njoftova Enver Hoxhën, mbi vendimin e qeverisë sovjetike për miratimin e kërkesës së qeverisë shqiptare, lidhur me pranimin e 75 studentëve shqiptarë, për të studiuar në institucionet e larta arsimore të Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike.
Enver Hoxha shprehu kënaqësinë e tij edhe për këtë vendim pozitiv të qeverisë sovjetike.
Gjatë bisedës së mëtejshme Enver Hoxha njoftoi, se më 11 gusht do të mblidhet Plenumi i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, në të cilin do të shqyrtohen konkluzionet e realizimit të planit për gjashtëmujorin e parë të vitit 1952 dhe detyrat për gjashtëmujorin e dytë të këtij viti. Pasi theksoi se KQ mendon t’i kushtojë vëmendje të madhe problemeve ekonomike të vendit, Enver Hoxha tha se KQ i Partisë së Punës të Shqipërisë, gjatë diskutimit të konkluzioneve të realizimit të planit të gjashtëmujorit të parë të vitit, do të ndihmojë Komitetin Qendror e qeverinë, për t’i drejtuar kuadrot e partisë e të shtetit në një pjesëmarrje më aktive në zgjidhjen e detyrave ekonomiko-financiare.
K. Leviçkin
(Burimi:SF VE, T. II, AVP RF, F. 07, Op. 27, P. 40, D. 111. L. 61-65. Nr. 255. Kopje).
* * *
(Letër përcjellëse e V. G. Grigorian dërguar J. V. Stalin me shtojcën e kërkesës së Enver Hoxhës për dhënien e ndihmës në përmirësimin e punës së organeve shqiptare të drejtësisë)
Tiranë, më 23 shtator 1951
Sekret
Shokut Stalin
Ju paraqes letrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë shokut Enver Hoxha, dërguar në 22 shtator të këtij viti, drejtuar Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Pansovjetike (b)
Kryetari i Komisionit të Politikës së Jashtme të KQ të PKP(b)
V. Grigorian
KOMITETIT QENDROR TË PARTISË KOMUNISTE (b) të BRSS
Moskë
Shokë të dashur! Më lejoni t’ju drejtohem për zgjidhjen e dy problemeve që preokupojnë partinë e qeverinë tonë.
1. Organet e drejtësisë të shtetit tonë (gjykatat e kontrollet e prokurorisë), pavarësisht nga fakti se u krijuan menjëherë pas çlirimit të atdheut tonë, ende nuk kanë arritur nivelin e duhur në çështjen e zbatimit të misionit të lartë, që u është ngarkuar, si mjete të fuqishme të diktaturës së demokracisë tonë popullore. Pavarësisht nga kujdesi e ndihma e dhënë nga Komiteti Qendror i Partisë tonë, në punën e këtyre organeve herë pas here janë vërejtur shtrembërime, në zhvillimin e vijës së partisë, të shkaktuara nga shokët drejtues të këtyre organeve të rëndësishme të shtetit tonë.
Me qëllim të përmirësimit të veprimtarisë së organeve të drejtësisë, për zgjidhjen e disa çështjeve, ende të mbetura pezull, si dhe me qëllim të njohjes direkt më të madhe dhe përvetësimit të përvojës së lavdishme të drejtësisë sovjetike, ju lutemi, brenda mundësive tuaja, të dërgoni në Ministrinë e Drejtësisë së Republikës tonë, një këshilltar-jurist me afat qëndrimi dyvjeçar.
2. Kërkesa jonë e dytë, konsiston në dhënien e mundësisë, që kohë pas kohe të fillonim studimet në BRSS, të dërgonim funksionarët tanë të drejtësisë në kurset dyvjeçare që ndodhen në Moskë.
Në organet tona ka shumë punonjës të rinj, të cilët nuk kanë punuar asnjëherë në këtë fushë dhe në shumicën e rasteve me arsim të mesëm të pambaruar. Zhvillimi i kurseve dyvjeçare të drejtësisë në Moskë, nga këto kuadro, të cilët kishin fituar njëfarë përvoje në punë, është ndihmë e madhe në çështjen e ngritjes së cilësisë së punës së gjykatave e prokurorive shtetërore.
Prandaj, ju lutemi ta shqyrtoni edhe këtë problem tonin të dytë, zgjidhja e të cilit për ne është një çështje mjaft e rëndësishme.
Duke shfrytëzuar rastin ju shprehim falënderimin e përzemërt dhe ju lutemi të pranoni përshëndetjet tona vëllazërore, komuniste.
Me porosi të Byrosë Politike të KQ të Partisë së Punës të Shqipërisë
Enver HOXHA
Tiranë, më 7 shtator 1951.
Kopje e besuar.
(Burimi:SF VE, T. II, RGASPI, F. 82, Op. 2, D. 1123. L. 147-149. Nr. 196.
Nr.37)
(Vijon nesër)
NESËR DO TË LEXONI:
-Vendimin e Stalinit më 6 korrik të vitit 1954 lidhur me përvjetorin e 10-të të Rilindjes se Polonisë dhe 10-vjetorin e çlirimit të Rumanisë, Bullgarisë dhe Shqipërisë.
-Bisedën e regjistruar(1 korrik 1954) të ambasadorit të BRSS në RPSH K.D. Leviçkin me Mehmet Shehun mbi vizitën e Enver Hoxhës në Moskë dhe marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave
-Bisedën e regjistruar të ambasadorit të BRSS në RPSH, K. D. Leviçkin, me të dërguarin jugosllav në Shqipëri Ajtiç, mbi marrëdhëniet jugosllavo-shqiptare.
Po Mehmeti pse vinte i ankohej ambasadorit sovjetik per ceshtje te brendeshme te PPSH. A nuk u denua me plumb K. Xoxe per gjera te tilla me jugosllavet?
Cfare ka ndryshuar sot? Dje u raportonin ruseve se edhe e tille ishte bere ndarja ne JALTE,nga Curcilli(beri ndarje ne cope leter ne makinë,kur udhetonte dhe ja dha Stalinit)Rusvelt,Stalin…Shehu me i moderuar më duket!…Po keta qe qeverisen qe shkonin cdo nate ne ambasaden amerikane?Gjer dhe Topalli ka shkuar naten,perse?Sa here Bode? Po vet”katundari Berisha” sa here ka shkuar?Po Islami,Nano,Meta?Nuk di për Ramen pasi ky ka foto me Obamen…Kur te publikohen keto te sotmet do qelbet vendi!…
Ky veprim i Mehmet Shehut dhe shokeve te tij, dhe te sotem, nuk jane gje e re! Ai, eshte nje mendim i mercenarizmit, eshte nje mendim i vellait kunder vellait, rendesi ka qe une jam mire. Historikisht, keshtu ka ndodhur me ne. Per te shkaterruar Mbreterine e Maqedonise, Roma u lidh me Mbreterin e e Epirit dhe te Dardanise. E para e la te kaloje neper territorin e saj dhe e dyta e sulmoje Mbreterine e Maqedonise nga Veriu, megjithese te tria mbreterite ishin nga e njejta origjine. Roma, pasi shkaterroj mbreterine e Maqedonise, shkaterroj ate te Epirit dhe te Dardanise, dhe pas ketyre, megjithese ajo e Ilirise qendroi indiferente ne kete raste, qe priste te humbnin te gjitha dhe te fitonte ajo, i erdhi radha kesaj, e cila u sulmua nga Roma dhe pasojat e saj dihen. Pra, historia e jone, me vjen keq ta pohoje, por e tille eshte!!!???
Nje Mal te Zi, kemi fqinje, me nje grusht banore dhe eshte, si i thone nje fjale: Koç ne raport me ne, ne raport me gjendjen e te tjera e te tjera. Po, keshtu Maqedonia, nje shtet qe nuk i dihet se sa do te jete i tille, eshte koç, ne raport me ne.
Me falni t’u tregoje nje ngjarje: “Dy vellezer ndahen. Ndarja ishte normale, por ngaterrohen per tre metra toke dhe per t’i rregullluar nderveti, ju afrohen miq e shoke nga te gjitha anet. Ata, nuk po rregulloheshin dhe pse po kalonin 10 dite, e miqte e shoket ne keto dhjete dite hanin dreke e darke ne shtepine e tyre. Njeri vella, pak me i mençur, ben llogarine e shpenzimeve, dhe i del se, me shpenzimet e bera, do te ishin blere tre dynym toke, ndersa keta ishin ngaterruar per tre metra toke … I thote vellait, hajde te regullohemi bashke se keta nuk kane mend te largoheni, pasi ne po qendrojme secili ne llogoren e vet! Jo, i thote vellai-vellait, nuk jam dakord me ty … E, ky mendim i primitiv, kundra njeri-tjetrit, pa llogaritur, qe une fitoi per momentin se, me pas edhe une do te jem, jo vetem ne gjendjen e vellait, por ndoshta dhe me keq.
Pse eshte e tille, kete nuk mund ta percaktoj. Eshte detyre e historianeve, e psikologeve dhe e sociologeve qe ti futen thelle studimit e ta percaktoje, qe te mos ndodhi ne te ardhmen.
Respekte, per komentuesit!