Informoni FMN-në, por edhe zgjedhësit

redaktor

Ndërkohë që gjithandej të shurdhon afera Doshi, ministri i Financave Shkëlqim Cani, ai i Ekonomisë Arben Ahmetaj dhe Zv. Guvernatorja Elizabeta Gjoni, i drejtojnë një letër mirëkuptimi Fondit Monetar Ndërkombëtar në të cilën pohohet për herë të parë publikisht se kontrata 8 milionë euro me “Crown Agents” për asistencën në dogana nuk dha efektet që priteshin në mbledhjen e të ardhurave.

Për ata që nuk e dinë se për çfarë po flasim, “Crown Agents” është një kompani angleze konsulence që ka nënshkruar kontratë me Qeverinë Shqiptare.  Disa nga objektivat kryesorë janë rritja e nivelit të ardhurave në buxhetin e shtetit, rritja e integritetit të administratës doganore, si edhe përmirësimi i kapaciteteve dhe efektivitetit në administrimin e doganave bazuar në kriteret e integrimit në Bashkimin Evropian.

Nevoja për kontraktimin e një kompanie të huaj dhe përzgjedhja e “Crown Agents” në veçanti është vepër e Kryeministrit Rama që e ja paraqiti opinionit publik si zgjidhje te domosdoshme. Kjo zgjidhje u mirëprit nga sovrani, pra qytetarët, në perceptimin e të cilëve doganat ishin një nga hallkat më të korruptuara të administratës shtetërore.

Pse ka qenë kaq emergjent informimi i FMN-së? Tashmë Shqipëria ka marrë një borxh të majmë nga institucione ndërkombëtare bankare. Ndërkohë rritja e borxheve kërkon rritje të performancës për vjeljen e taksave, një pjesë e të cilave shkon pikërisht për të shlyer këto borxhe. Sa herë që do të ketë dështime në këtë drejtim, në rastin më të mirë do të nevojitet një letër mirëkuptimi drejtuar kreditorëve. Por jo gjithnjë letrat që kërkojnë mirëkuptim e sigurojnë atë. Prandaj, ekziston mundësia, që kreditori të kërkojë garanci më të mëdha, që do të thotë se lufta ndaj informalitetit do të duhet të bëhet më e ashpër, do të rrëmohet në të kaluarën e qytetarëve për të gjetur taksa ose detyrime të pavjelura, dhe nëse kjo nuk mjafton, do të duhet të rriten taksat, do të duhet të privatizohen shumë shërbime që aktualisht janë publike, do të tkurren amortizatorët socialë dhe do të kërkohet me ngulm shlyerja e borxheve; duke prekur dhe kursimet e qytetarëve me shpikje taksash që më parë ishin të paimagjinueshme. Pikërisht në këtë moment do të na vijnë në ndihmë kreditorë të tjerë të specializuar në dhënie borxhesh për vende në krize, që zakonisht janë po të njëjtët që na kanë dhënë borxh atëherë kur kujtonim se ishim mirë dhe, si një i droguar që pret të marrë dozën e radhës, do të pritet me ankth lëshimi i këstit të radhës.

Nëse Qeveria e çmon si të nevojshme marrjen e borxheve, dhe mesa duket një gjë e tillë është e domosdoshme, nuk mund të mjaftohet duke thënë se “na keni votuar prandaj mos u ngatërroheni në këto punë”, por duhet që të japë informacion të bollshëm për qëllimet që e kanë shtyrë në këtë drejtim dhe çfarë implikimesh do te ketë në të ardhmen. Vetëm kështu mund të pranojmë se mandati është respektuar dhe ngelet në dorën e sovranit të pranojë ose të kundërshtojë vendimet e qeverisë. Nëse nuk veprohet kështu, por ndiqet e njëjta rrugë si me rastin “Crown Agents”, me keqardhje duhet të pranojmë se sovraniteti, kur bëhet fjalë për të marrë mandatin i përket popullit, por kur bëhet fjalë për të dhënë llogari i përket bankave.

P.S. Do ishte shumë e thjeshtë vlerësonim pozitivisht situatën e tanishme në raport tetë vitet e qeverisë së djathtë “sukses” i së cilës ishte marrja e borxhit për të shlyer borxhin. Por të mos biem në të njëjtin nivel me ta kur bënin krahasim me paraardhësit dhe përvetësonin suksese që natyrshëm do të arriheshin edhe sikur të mos kishin qenë ata në qeveri.

Share This Article
1 Comment
  • Informimi i FMN ka qene i domosdoshem ,sepse u duhen lek per te bere zgjedhjet .
    Duhen aq shume lek ,saqe 8 mil i Doganave do duken si asgje .
    Taksat i kane vjele gjithmone ,sepse pa treguar librezat e pagesave nuk merrje dot nje certifikate …nuk kane cfare te rremojne ne te kaluaren e qytetareve ,pervecse ti fusin ne burg duke krijuar dhe nje borxh te ri ne mbajtjen e tyre ne keto struktura .
    Derisa ngelen vetem duke u perballur me njerzit e thjeshte ,qe u kane ngelur syte per te qare dhe te gjithe miliarderrat po ikin ne drejtim te paditur ose me thjesht jane financuesit e shpk PS dhe LISIS ,dmth qe kane deshtuar me sukses .
    Nuk do jete aq e lehte gjetja e financuesve te rinj ,dhe si pasoje perplasja sociale behet e pashmangshme .Jane ne nje rruge pa krye .Nuk kane asnje aftesi ne abc ekonomike
    dhe aq me pak ne ate qe quhet zhvillimi i nje shteti .

    Nje artikull i vlefshem qe duhet te ishte shtjelluar me holle …pa pasur friken e perjashtimit nga partia ….po ju vjen dita te perjashtoheni nga Shqiperia .
    Kjo eshte dicka qe do ju preke te gjithve ….

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *