Nga Jovan Bizhyti
Leo Çani, i përket brezit të parë të kuadrove e specialistëve të dalë nga Universiteti Shtetëror i Tiranës në vitet 50-të të shekullit të kaluar. Vinte nga një familje gjirokastrite me tradita patriotike, ku tre vëllezërit e tij më të mëdhenj, ishin partizanë në luftën Antifashiste Nac.Çl. Ata duke qenë të rinj dhe të etur për studime, shteti komunist i pasçlirimit, i dërgoi me studime jashtë shtetit, dy vëllezër studiuan në BS, njeri për inxhinier elektrik dhe tjetri për inxhinier hekurudhash, ndërsa vëllai tjetër, studioi në Çekosllovaki, edhe ky për inxhinier elektrik, ku pas studimeve, u kthyen si specialistë të zotë në sektorët e ndryshëm të ekonomisë sonë.
Leo ishte vëllai më i vogël dhe meqënëse kishte talent dhe të dhëna për muzikë, nisi studimet në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, për instrumentin e pianos. Liceun e përfundoi me rezultate shumë të mira, por perspektiva e studimeve të larta për muzikë në vendin tonë, ishte deri në shkollën e mesme, pasi Instituti i Lartë i Arteve, siç u emërtua atëherë, nuk ishte ngritur ende. Në këto situata, djaloshi Leo Çani, me hapjen e Universitetit Shtetror të Tiranës, nisi studimet edhe ky në fakultetin e inxhinierisë elektrike, ku ishte pedagog njeri nga vëllezërit, duke mos lënë pas dore dhe pianon e muzikën në përgjithësi, të cilën e kish pasion. Pas studimeve në vitin 1958, ai së bashku dhe me disa shokë të tjerë studentë që dolën me rezultate shumë të mira, u punësuan në drejtorinë e hidrocentraleve pranë Ministrisë së Ndërtimit, pasi ato kohë kishin nisur të ndërtoheshin kaskadat e hidrocentraleve në rrjetin malor të lumenjëve të Shqipërisë së Veriut.
Që në shkollën e mesme, Leo Çani u dashurua me një shoqen e klasës, Bardhën, lidhja pasionante me të cilën, bëri që të martoheshin shumë të rinj, që në bangat e shkollës në moshën 18 vjeçare. Dashuria e tyre erdhi duke u konsoliduar dhe me kohë krijuan një familje të shëndosh, që edhe sot pas 60 e ca vitesh lidhjeje, ata jetojnë të lumtur e të pandarë me njeri-tjetrin.
“Nuk e mbaj mend rininë time,- tregon Leo,- pasi më duket sikur kam lindur i martuar”. Lindën qysh herët dy fëmijë, djalin dhe vajzën.
Leo, si djali më i vogël, ka jetuar në familje me prindërit, për të cilët ka treguar kujdes të veçantë, sidomos në vitet kur ata ishin në pension në moshën e tretë. Një meritë të veçantë ka dhe bashkëshortja e tij, Bardha, e cila megjithëse një nuse shumë e re, diti të ndërtojë marrëdhënie shumë të dashura me prindërit e burrit, duke i respektuar e kujdesur për ta, deri në fund të jetës.
***
Në vitet 60-të, në serinë e veprave të mëdha industriale që nisën të ndërtohen në vendin tonë, një arritje e madhe ishte puna për ndërtimin e hidrocentraleve në kaskadën e lumit Drin, siç ishin: hidrocentrali i Vaut të Dejës, i Komanit dhe veçanërisht, ai i Fierzës vite më pas, kaskada dhe madhështia e të cilit, zuri vend në përmasat botërore. Dhe e gjithë kjo punë, u projektua dhe u realizua nga inxhinierët shqiptarë si: Prof. Petrit Radovicka, Farudin Hoxha, inxhinieri Emin Mysliu, që u shqua kryesisht në ndërtimin e digave të hidrocentraleve të Ulzës, Shkopetit dhe të Bistricës, ku me punën e tij u quajt dhe “Mjeshtri i Digave”, e të tjerë, sigurisht duke patur parasysh dhe punën e djersën e qindra punëtorëve e specialistëve shqiptarë që kontribuan në këto vepra.
Ndërtimi i këtyre veprave të mëdha hidro-teknike, realizoi ëndrrën e madhe të elektrifikimit të gjithë territorit të Shqipërisë, që ishte një nga sukseset më të mëdha të atyre dekadave të viteve 60-70-të të shekullit që shkoi. Ato kohë Shqipëria sapo ishte ndarë nga kampi komunist i lindjes dhe kish nisur lidhjet me Kinën në Lindjen e Largët. Elektrifikimi i plotë i vendit që përfundoi në vitin 1975, ishte një arritje e madhe, ku linjat e energjisë elektrike duhet të shtriheshin në gjithë territorin, e në çdo skaj të largët të vendit. Pranë Ministrisë së Ndërtimit, u ngritë një Institut Projektimesh për veprat madhore që po ngriheshin anë e kënd vendit, midis tyre, u ngritë dhe grupi i specialistëve për projektimin e linjave të tensionit të lartë, që kërkohej të shtriheshin në gjithë territorin malor, kodrinor e fushor të vendit.
Shkolla nuk arrin t’i mësojë në detaje këto projekte, as dhe përvoja e munguar nuk u erdhi në ndihmë specialistëve tanë. Ndaj kërkohej iniciativë e mendim i thelluar, për të cilat këta inxhinierë të talentuar shpalosën aftësitë, talentin dhe mendimin e tyre shkencor, duke i dhënë zgjidhje mjaft problemeve që shtronte koha. Prof. Petrit Radovicka, mblodhi rreth vetes këta inxhinierë të talentuar të vendit, ku midis tyre u shqua inxhinieri Leo Çani. Nën drejtimin e Prof. Radovickës, këta specialistë të talentuar nisën nga puna siç ishin: Leo Çani, Aleko Hido, Eqrem Babameto, Heseni Kadare e tjerë. Inxhinieri Leo Çanit, kryesoi punën për realizimin e këtij aksioni të rëndësishëm të projekteve për shtrirjen e linjave të tensionit të lartë, si dhe u projektuan shtyllat e nevojshme me konstruksion metalik të përshtatshme për terrenin malor, kodrinor e fushor të vendit, me element çeliku të forta e funksionale të prodhimit vendas, duke i sjell dhe kursime të konsiderueshme ekonomisë së vendit.
Për këto merita të shquara profesionale e shkencore, inxhinier Leo Çani, u propozua për gradë shkencore për punën e kryer dhe disertacionin e realizuar me temën e shtrirjes së linjave të tensionit të lartë në gjithë territorin e Shqipërisë, me gradën “Docent në ekonomi” dhe më pas, “Bashkëpunëtor i Vjetër Shkencor”.
***
Në kulmin e kësaj pune vendimtare, jo pak, por rreth 17 vjet, familja Çani pësoi një tronditje të madhe politike. Vëllai i madh, që kish studiuar në BS dhe punonte si inxhinier i hekurudhave në Durrës, e kishte gruan ruse dhe prishja e marrëdhënieve me kampin komunist të lindjes dhe me BS, e detyroi të divorcohej dhe ajo u largua me gjithë djalin 4 vjeç, Valerin. S’kaluan pak kohë, meqënëse vëllai mbante lidhje me gruan me letra, rrallë herë dhe ndonjë telefonatë, u vu në ndjekje nga organet e sigurimit dhe një ditë papritur, u arrestua! Gjyqi u zhvillua në mënyrë të përshpejtuar dhe ai u dënua me burgim 17 vjet, me akuzën si “agjent i Rusisë”! Absurde! Vëllai ishte jo vetëm partizan i orëve të para, që kish luftuar me armë në formacionet e ushtrsë partizane kundër pushtuesve nazi-fashist, por dhe komunist i orëve të para! Sigurisht, e gjithë familja u tronditë dhe u distancua nga ky veprim me pasoja të rënda.
Në këto kushte, organizata e partisë në Institutin e Projektimeve pranë Ministrisë së Ndërtimit, nuk ishte dakord, që inxhinieri Leo Çani të vlerësohej me gradë shkencore, për arsye të vëllait që kishte në burg politik, dhe me këtë biografi duhej parë dhe pozicioni i tij në Institut! Mirëpo Ministri i Ndërtimit në atë kohë, Shinasi Dragoti, me iniciativën e tij, duke marë dhe mendimin e Prof. Petrit Radovickës, e firmosi propozimin drejtuar komisionit shkencor, që Inxhinier Leo Çani të vlerësohej shkencërisht. Dhe Leo mori gradën shkencore të “Docentit”, si dhe “Bashkëpuntor i Vjetër Shkencor”.
Pa kaluar shumë kohë, hija e biografisë nuk e linte të qetë në punën e tij, ndaj një ditë, si dhe vëllai tjetër, edhe inxhinier Leo Çanin, për arsye biografike, e lëvizën nga Instituti dhe nga Tirana familjarisht dhe u emërua inxhinier në Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit, ku punoi afërsisht 7 vjet.. Dhe kjo shkëputje u bë plotë pas 17 vitesh punë të palodhur pranë Institutit të Projektimeve për veprat industriale, në grupin e projektimit të linjave të tensionit të lartë, ku rroli dhe kontributi i tij ishte në vlerësime të larta shkencore.
Nevoja për këta specialistë të përgatitur ka qenë kudo dhe kurdoherë, ndaj në fillimet e viteve 80-të, inxhinier Leo Çani u kthye sërish në Tiranë, në ndërmarjen e zbatimit të linjave të tensionit të lartë, për të vazhduar punën e nisur vite më parë. Në vitin 1984, Leo Çani së bashku dhe me inxhinierin kolegun e tij, Aleko Hido, projektuan dhe zbatuan njerën nga linjat e para të energjisë elektrike 400 kë me intinerar Elbasan-Greqi, deri në kufirin tonë. Shumë vite më vonë, një linjë e tillë u ndërtua dhe në vitin 2005, nga të tjerë inxhinierë, me intinerar Tiranë-Shkodër, me të njëjtat karakteristika, por kostua e saj doli shumë herë më e lartë, duke patur parasysh korrupsionin me fitimin 20%, që mernin titullarët e Ministrisë së Energjitikës në kohën e qeverive demokrarike të pas viteve 90-të.
Në të njejtën kohë, inxhinieri Leo Çani, krahas punës së tij shkencore, nuk u nda kudo e kurdoherë dhe nga muzika, e cila e shoqëroi pas gjithë jetën. Shpirti i tij prej artisti, nuk u shfaq vetëm në punën e tij shkencore, por edhe si muzikant shumë i talentuar, ku në vitin 1962, u aktivizua me orkestrën e muzikës së lehtë në festivalin e parë të këngës në Radio-Televizionin Shqiptar, si dhe ka drejtuar për disa vite dhe kurset e muzikës pranë Pallatit të Pionierëve Tiranë, duke nxjerrë me dhjetëra e dhjetëra talente instrumentistë në piano e fizarmonikë. Midis tyre, ai kujton dhe muzikantin e kompozitorin e talentuar Agim Krajka, talentin e të cilit e spikati që në moshë të re dhe punoi me të deri sa ai nisi i sigurt rrugën e artit të muzikës. Vite më vonë, Agim Krajka u bë një nga instrumentistët e kompozitorët e suksesshëm të muzikës shqiptare në Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore.
***
Pas viteve 90-të, me ndryshimet e sistemit politik, u mbyllën mjaft nga institutet shkencore të fushave të ndryshme dhe shumë nga këta specialistë të talentuar dhe me shumë kontribute, u larguan nga puna, nën pretekstin e reformave, duke mbetur rrugëve si shumë të tjerë. Një i tillë i flakur nga punë, doli dhe inxhinieri Leo Çani.
Ai tregon, se të gjitha hidrocentralet gjigande që janë ngritur me punën dhe djersën e popullit, linjat e tensionit të lartë të ngritura që në ato kohë, janë akoma edhe sot shumë funksionale, me të cilat mbahet ekonomia e jonë, por mua dhe shumë nga shokët e mi që kontribuam në to, nuk na mbajti njeri në punë kur erdhi demokracia. E kisha rrogën 10 mijë lekë në muaj dhe isha i kënaqur. Me ardhjen e demokracisë, ai që më zëvëndsoi mua ishte inxhinier i huaj nga Çekia dhe u pagua me 60 mijë dollarë në muaj! Gjynah, për këtë popull të varfër! Me këto paga marramendëse, ishte pjesë dhe korrupsioni i pushtetarëve. Kjo nuk është demokraci!
Politikanët e pas viteve 90-të, shkatërruan çdo gjë të ngritur me mund e me djersë nga specialistët dhe populli puntorë e fshatarë, që punuan me përkushtim për t’i ndryshuar faqen vendit. Por në ato pak vite të ndryshimeve politike, vendi shkoi në pikën zero, nën parrullën e “Luftës kundër komunizmit”, ku u shkatërruan dhe mjaftë nga veprat industriale që ishin si fabrika dhe uzina, u shkatërruan taracat me agrume e frutikulturë në kodrina e në bregdet, sistemi i bonifikimit dhe i ujitjes në bujqësi, çështjet e pronës e gjithçka, duke i etiketuar dhe ato si, “vepra komuniste” e tjera. Dhe sot, këta politikanë të etiketuar si, “pengues të demokracisë”, apo “të korruptuar”, shfajësohen duke ngritur zërin se, nuk ka fakte korrupsioni, apo të cënimit të demoktacisë në figurën e tyre dhe kërkojnë ende pushtet, megjithëse janë në politikë më shumë se 30 vite!
***
Në ato situata të pas viteve 90-të, veç përjashtimit nga puna nën pretekstin e moshës dhe reformave, inxhinier Leo Çani u la dhe pa shtëpi, për shkak se banesa ku jetonte prej vitesh, i doli pronari dhe një ditë pa pritur, policia e shtetit e nxori në rrugë të madhe familjarisht. Çdo përpjekje që bëri për t’u strehuar si të gjithë qytetarët që morën në pronësi apartamentet ku banonin, me një çmim të ulët shumë të arsyeshëm, inxhinier Çani mbeti pa streh. U ankua në instancat e pushtetit, deri dhe tek ish Presidenti i asaj kohe Sali Berisha, i cili nuk e mori për asnjë moment në konsideratë.
Në këto rrethana, pa punë dhe pa shtëpi, inxhinieri i talentuar Leo Çani, ndoqi rrugën e emigrimit, si shumë specialistë të tjerë me kontribute e vlera të veçanta, duke përfunduar rrugëve të Europës, e deri në Amerikën e largët. Inxhinier Çani është vendosur prej rreth 28 vitesh në Virxhinia të SHBA me familjen e tij, ku jeton moshën e tretë. Kujton me nostalgji ato vite intensive të një pune të madhe që bëhej atëherë për ndërtimin e modernizimin e vendit dhe keqardhjen për Shqipërinë e pas viteve 90-të nën drejtimin politik të Sali Berishës dhe shumë demokratëve të tjerë, që prishën imazhin e demokracisë së vërtetë, për të cilën u ngritën shqiptarët, dhe nën emrin e kësaj demokracie e të luftës kundër komunizmit, shkatërruan dhe tjetërsuan ekonominë e vendit, duke injektuar tek njerëzit shpresën e “Çekut të Bardhë”, që s’erdhi kurrë.
Respekte per Inxhinjeret e zote te Tensionit Larte qe projektuan dhe ndertuan vete ne Terren gjithe Rrjetin e Nenstacioneve dhe Linjave Shperndarese te Tensionit te Larte,qe Perbejne Sistemin Energjitik Shqiptar,,Nje Koollone e Vetme e Industrise qe i rezistoi ortekut shkaterrues te Sali Berishes dhe Llumit qe solli me vete.Uroj jete te gjate inxhinjer Leo Cani,inxh,Tome Meksi,inxh.Agron Peci,inxh.Engjell Cuci,inxh Arben Bufi,inxh Akil Cani,inxh.Talat Mehmeti,.e sa e sa te tjere qe vune themelet e energjitikes shqiptare.
Bombat dhe minat qe i ve Sali Berisha me kafshet shpellare shtyllave te tensionit te Larte,do ti bien ne koke,.
Edvin Rames i them mos vidh!
Mos vidh mundin dhe sakrificat e ketyre burrave qe dolen pa nje dysh ne xhep per kafe ne pension,,pas asaj pune Titanike.Ka ferr edhe per hajdutet.
Te falemnderit edhe ne emerin e kolegeve te mij per vleresimin e pune.
Ende pa komente !!!!!!!!!!