Është vërtetë një verë e vështirë ajo që po kalojnë tifozët e Barcelonës. Pas çështjes “Neymar”, të kulmuar me transferimin rekord të brazilianit te PSG, tashmë mbështetësit e skuadrës blaugrana janë të shqetësuar për mungesën e Iniestës në seancën e fundit stërvitore. Zyrtarisht, klubi i ka akorduar një leje speciale, por tifozët kanë frikë se mos përsëritet ajo që ndodhi edhe me brazilianin.
Me vetëm një vit nga përfundimi i kontratës me Barcelonën, që skadon në qershor të vitit 2018 dhe një rinovimi tërësisht për të diskutuar, Barcelona mund të humbasë një tjetër prej fenomenëve të saj, dhe këtë herë pa përfituar ekonomikisht.
Mes skuadrave të interesuara për ‘magjistarin’ katalanas janë edhe dy italianet, Inter dhe Juventus, të gatshme për ta peshuar në flori, vetëm për të siguruar shërbimet e tij dhe për të shijuar magjitë në mesfushë.
Nga ana tjetër, mediat spanjolle, më tepër ato me sfond katalanas, tentojnë të zbehin çështjen. Është leja e klubit dhe Iniesta zbriti në fushë për më tepër se një orë në trofeun‘Gamper’ kundër Chapecoense, duke luajtur me cilësitë e tij të zakonshme, por mungesa e tij në stërvitje, vetëm tre ditë nga finalja e Superkupës së Spanjës, kundër Real Madrid, ka parakaluar panikun mes tifozëve të Barcelonës.
