Mosplotësimi i kushteve të sigurisë teknike për punonjësit bllokon punimet e një kantieri ndërtimi në kryeqytet. Kontrollet e nisura nga Inspektorati Shtetëror i Punës kanë nxjerrë në pah një sërë shkeljesh që subjekte të ndryshme bëjnë me sigurinë teknike të punonjësve.
Gjatë ditës së djeshme ky institucion ka komunikuar pezullimin e punimeve në një kantier ndërtimi në kryeqytet, për shkak të shkeljes së kushteve të rënda të sigurisë në punë, të cilat klasifikohen si burim i rrezikshëm aksidentesh për punonjësit e këtij kantieri.
Kreu i këtij inspektorati Dritan Ylli ka pohuar se pezullimi i punimeve në këtë kantier erdh pas konstatimit të shkeljeve në përmbushjen e kushteve teknike të sigurisë në punë, të evidentuara nga inspektorët e punës në Drejtorinë Rajonale të Tiranës. Sipas tij, në këtë kantier janë realizuar disa kontrolle, ku në asnjërin prej tyre nuk është vënë re përmirësimi i kushteve të vështira në të cilën punonjësit kryenin punën çdo ditë. Kontrolli i parë i kryer në mesin e muajit janar konstatoi shkelje të tilla që kishin të bënin me mungesën e rrethimit të detyrueshëm të kantierit, me mungesën e tabelave paralajmëruese për rrezikun në punë.
Gjithashtu inspektorët konstatuan se punonjësit nuk përdornin kaska dhe pajisjet mbrojtëse individuale sikurse nuk ishin marrë masat teknike për zënien me parmak provizor të gropave të ashensorit të shkallëve dhe dalja në hapësira, skela e jashtme ishte jashtë kushteve teknike të sigurisë. Në një inspektim të dytë të realizuar para tre ditëve një grup pune i ngritur me urdhër të kreut të Inspektoratit Shtetëror të Punës, konstatuan se nuk ishin reflektuar rekomandimet e lëna për garantimin e kushteve të sigurisë, si dhe mbrojtjen e shëndetit të punonjësve. Për këtë arsye grupi i punës vendosi pezullimin e punës në këtë kantier ndërtimi duke lënë dhe akt pezullimin ligjor.
Në kontrollin e tretë të kryer gjatë ditës së djeshme është konstatuar sërish e njëjta problematikë, ndaj të cilës ka reaguar edhe Dritan Ylli, duke lajmëruar ndërprerjen e punimeve. “Kemi vendosur pezullimin e punimeve në këtë kantier ndërtimi pas shkeljeve te rënda të kushteve teknike të konstatuara nga inspektorët e punës së Drejtorisë Rajonale të Tiranës. Shkeljet e kushteve teknike në këtë kantier ndërtimi krijojnë një rrezik evident dhe mund të bëhen burim për aksidente të mundshme që rrezikojnë jetën e punonjësve”.
Sipas tij, Inspektorati Shtetëror i Punës nuk synon që të ndalojë apo të bllokojë procesin e punës në asnjë ndërmarrje apo kantier ndërtimi, teksa tregon detyrimin ligjor në mbrojtje të jetës së punonjësve. Pezullimi i punimeve në këtë kantier do të zgjasë deri në garantimin e kushteve të sigurta në procesin e punës.