INSTAT: Bien ndjeshëm eksportet

redaktor

Nëse mbledhja e të ardhurave në buxhetin e shtetit ka shënuar përmirësim të ndjeshëm, ndryshe ka ndodhur me eksportet shqiptare.

Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave, për periudhën janar-shkurt 2016, shitjet jashtë vendit arritën në gati 34 miliardë lekë, me një rënie prej 6.1% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Efektin kryesor në këtë rënie e kanë shënuar “mineralet lëndët djegëse dhe energjia”, por dhe grupet e tjera, me përjashtim të tekstile e këpucë dhe produkteve ushqimore.

Eksportet e tekstile e këpucëve janë grupi që po shënon ecurinë më të mirë në këto muaj të parë të vitit. Ky grup u rrit me 20%, duke përmirësuar ndjeshëm ecurinë në raport me vitin e kaluar. Industria me material porositës (ose siç njihet ndryshëm industria fason)  është kthyer sërish në sektorin më të rëndësishëm të eksporteve shqiptare, me 51% të totalit, një rritje e ndjeshme në raport me vitin e kaluar, kur zinin 40%.

Grupi i “minerale, lëndë djegëse dhe energji”, që deri në fund të vitit 2014 udhëhoqi rritjen e eksporteve dhe u bë më i eksportuari, me gati 40% të totalit, është tkurrur ndjeshëm në muajt e parë të 2016-s, duke vijuar tendencën rënëse për të dytin vit radhazi.

Sektori është tepër i varur nga konjuktura ndërkombëtare. Rënia e çmimeve të naftës dhe mineraleve e ka prekur ndjeshëm industrinë nxjerrëse. Ky grup ra me 47%, në vetëm 4.3 miliardë lekë, duke përbërë vetëm 13% të totalit të eksporteve.

Ecuria pritet e dobët, përsa kohë që nafta do të vijojë të jetë afër 40 dollarëve për fuçi në tregjet ndërkombëtare. Grupi tjetër më i madh, ai i metaleve dhe materialeve të ndërtimit ka rënë me 28% për dy mujorin, në 4.1 miliardë lekë.

Eksportet e “pije, ushqime e duhan” vijuan tendencën pozitive, duke u rritur me 38% në 3.1 miliardë lekë, ndonëse mbeten të ulëta për të kompensuar rënien e grupeve të mëdha.

Në rënie, me 25%, janë eksportet e “makineri pajisje e pjesë këmbimi”, që vitin e kaluar shënuan një lulëzim të vërtetë. Edhe prodhimet e drurit dhe letrës, edhe ky një grup pozitiv deri në pjesën e parë të 2015 kanë qenë me rënie 7.5%.

Share This Article
1 Comment
  • PO TE LLOGARITEN EDHE 213,000 KRAHE PUNE QE “EKSPORTUAM” ME 2015, DO TA SHIKONI SE LLOGARIA BARAZOHET.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *