INSTAT: Censi nis në 1 tetor, brenda vitit gati projektligji për atë të Bujqësisë

Amelda Amelda

Instituti i Statistikave ka theksuar se në 1 tetor të këtij viti do të nisë zyrtarisht Censi i Popullsisë, për të cilin gjatë vitit 2021 u zhvilluan hallkat e nevojshme të parapërgatitjes.

Në raportin vjetor të INSTAT thuhet se ky Cens do të zgjasë 6 javë dhe se tashmë elementet për të cilët po kujdeset institucioni janë ato të teknologjisë dhe logjistikës mbi zbatimin.

Sipas INSTAT, gjatë vitit 2022 do të finalizohen të gjithë materialet e nevojshme për realizimin e Censit në Tetor 2022, si dhe do të vijojë puna me reflektimin e përmirësimeve të mundshme të rezultuara nga gjetjet e Pilot Censit dhe më pas konsolidimi i të gjithë aplikacioneve, manualeve, materialeve të trajnimit dhe materialeve të tjera mbështetëse.

“Aktivitetet do të vazhdojnë me përditësimin e zonave specifike në terren të censit (ZC), objekte në ndërtim, të identifikuara gjatë përditësimit të hartave të kryer gjatë vitit 2021.

Gjithashtu, aktivitetet e hartave të cens në fazën e para-numërimit, gjatë dhe pas Censit do të vazhdojnë me kontrollet e cilësisë së të dhënave të ardhura nga terreni dhe përditësimin e gjeodatabazës, përditësimin e kufijve të Zonave të Censit, gjeokodifikimin e njësive gjeografike, përgatitjen e hartave dixhitale të Zonave të Censit për të gjithë zinxhirin e stafit të terrenit – anketues, kontrollorë dhe mbikëqyrës, krijimin e hartave ”smart” (geodatabase/map format) sipas kërkesave të Njësisë së Teknologjisë së Informacionit për tu testuar/aksesuar/integruar në aplikacionin e pyetësorëve të Censit” thuhet në raportin vjetor të Institutit të Statistikave.

ÇFARË ËSHTË CENSI?

Censi i Popullsisë dhe Banesave 2022 do të jetë Censi i 12-të, që kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur në vitin 1912, ku Censi i parë u krye në vitin 1923. Që prej Censit të vitit 1989, metodologjia e tij ka ndjekur gjithnjë e më shumë rekomandimet ndërkombëtare për kryerjen e Censit. Censi i Popullsisë dhe Banesave 2022 synon të jetë në përputhje të plotë me rekomandimet e Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Evropën (UNECE) për raundin e vitit 2020 të Censeve dhe gjithashtu me rregulloret e fundit të BE-së për zbatimin Censit të Popullsisë dhe Banesave.

Censi i Popullsisë dhe Banesave ofron të dhëna mbi numrin zyrtar të popullsisë në një vend, në njësinë më të vogël gjeografike, së bashku me informacionin mbi një numër të zgjedhur të karakteristikave demografike, sociale dhe ekonomike të popullsisë. Në mënyrë të ngjashme, Censi i banesave ofron  numërimin zyrtar të të gjitha banesave në vend në njësinë më të vogël gjeografike, së bashku me informacionin mbi një numër të zgjedhur të karakteristikave të banesave.

Censi i Bujqësisë

INSTAT deklaron se pas përfundimit të Censit të Popullsisë, radha do të jetë e atij të Bujqësisë që do të zërë vend në vitin 2024.

“Faza përgatitore për Censin e Bujqësisë ndikohet në terma kohorë dhe logjistikë nga Censi i Popullsisë dhe Banesave. Mbi këto baza, INSTAT, në mënyrë që të angazhohet plotësisht për të gjitha aspektet teknike dhe operacionale, nevojitet të shtyjë Censin e Bujqësisë në vitin 2024.

INSTAT, gjatë vitit 2021, ka përgatitur një modul pyetjesh, të cilat janë testuar fillimisht në Pilotin e Cens-it të Popullsisë dhe Banesave ne vitin 2021, si dhe do të përfshihen në pyetësorin e Cens-it 2022, me qëllim përditësimin e listës së fermave bujqësore, e cila do të shërbejë si bazë zgjedhje për Cens-in e ardhshëm të njësive ekonomike bujqësore. Për këtë arsye Censi i radhës i Bujqësisë është planifikuar të kryhet pas analizimit dhe përditësimit të bazës së zgjedhjes së të dhënave të gjeneruara nga Censi i Popullsisë dhe Banesave” thuhet në raport.

Në raport nënvizohet se parimisht gjatë këtij viti do të punohet për projektligjin që ka të bëjë me censin e bujqësisë dhe fermave bujqësore, i cili do të dërgohet për miratim në Kuvendin e Shqipërisë.

“Projektakti do të mundësojë përafrimin e standardeve të reja, duke ndjekur rekomandimet e Programit Botëror për Censet e Bujqësisë 2020, si dhe do të shërbejë si akti bazë për nxjerrjen e akteve të tjera të karakterit operacional, duke patur parasysh ndarjen e re administrative të Republikës së Shqipërisë, statusin e INSTAT si organi përgjegjës për mbarëvajtjen e Censit dhe rolin e organeve të vetëqeverisjes vendore” nënvizon INSTAT.

a.m/dita

Share This Article
2 Comments
  • Censi i bujqesise ne 2024???
    Pse jo ne 2124 per te qene te sigurte …
    Per sa koh qe shqiperia nuk permbyll censin e bujqesise i ndalohet eksportimi i mishit
    Lind pyetja po pse qeveria shtyn censin e bujqsise ne pafundsi duke mos i dhene te drejte shqiptareve te eksportojne mish ne be?
    Sepse ato pak njerez qe jan pergjegjes per censin e bujqesise deri sa nuk permbyllin kete cens BE vazhdon e jep grante per mbarvajtjen e censit njehere qe censi ne bujqesi mbyllet grantet perfundojne
    Pra zvarritja e kesaj bllokon eksportin
    Rrofte partia qe na ka

  • Regjistrimi I popullsise ne nje shtet si Shqiperia ,ku mbi 40 % e popullsise ndodhet ne emigrim ,nuk mund te behet ne tetot ku nuk mund te vije asnje emigrant,por duhet bere ne 2 muaj-korrik,gusht kur vijne shumica e emigranteve dhe gjithashtu jane edhe ata qe banojne ne Shqiperi ,pasi edhe po iken me pushime eshte periudhe 2 mujore dhe do te jene patjeter(se nuk do shkojne 2 muaj pushim) .Kjo eshte periudha me e mire . Cdo periudhe tjeter eshte sa per te kaluar nga rradha e per te bere gjerat lemsh . Ose te behet me ndihmen e internetiti .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *