INSTAT: Ekonomia pësoi rënie me 0.61 %

redaktor

Sektorët e ndërtimit, transportit dhe energjetika sipas treguesit të Vlerës së Shtuar Bruto (VSHB), ndikuan që ekonomia në 3-mujorin e dytë të pësojë rënien prej 0,61 % kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.

Drejtori i INSTAT-it Gjergji Filipi tha  se “kontributin kryesor në këtë rënie e dhanë degët e ekonomisë si ndërtimi me -2,79 pikë përqindje, transporti me -0,73 pikë përqindje dhe industria me -0,20 pikë përqindje, ku në nëndegën “Prodhimi dhe shpërndarja e energjisë elektrike dhe gazit”, rënia vlerësohet me -0,96 pikë përqind”.

Ndryshe nga këto sektorë, shërbimet kontribuan pozitivisht me +1,23 pikë përqind, bujqësia, gjuetia, pyjet e peshkimi me +0,95 pikë përqind dhe dega “Tregti, Hotele dhe Restorante” me +0,94 pikë përqind.

Degët kryesore të ekonomisë për 3-mujorin e dytë 2014, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit të kaluar 2013, që rritën Vlerën e Shtuar Bruto janë bujqësia dhe shërbimet. Ndërsa sektorët e bujqësisë rritën VSHB-në me 3,18 %, grupi i degëve Tregti, Hotele dhe Restorante u rrit me 7,09 %. Në këtë grup tregtia u rrit me 8,12 % ndërsa hotelet dhe restorantet vetëm 0,69 %.

Grupi “Shërbime të tjera” shënoi gjithashtu rritje me 4,55 % më shumë ndaj 3-mujorit të dytë 2013. Në këtë grup ndikim pozitiv dhanë gjithë sektorët si administrata publike, arsimi, shëndetësia, sektori financiar, aktivitetet e tjera të shërbimit kolektiv, social, kulturor etj. Me rënie në këtë grup u shfaq sektori i pasurive të patundshme, rentës dhe aktiviteteve ndihmëse të biznesit (aktivitete ligjore, të arkitekturës, inxhinierike, konsulenca financiare, komerciale, etj).

Sektori i ndërtimit vijoi rënien e nisur në vitet e fundit edhe gjatë 3-mujorit të dytë 2014, që llogaritet në 22,39 % më pak, krahasuar me 3-mujorin e dytë 2013. Edhe sektori i transportit shënoi rënien 23,05 % në 3-mujorin e dytë 2014, krahasuar me të njëjtin 3-mujor të vitit të shkuar, ku ndikim më negativ dha transporti ajror.

Gjithashtu grupi i industrive pësoi rënien 1,29 % në 3-mujorin e dytë sivjet, ndaj të njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Ndonëse brenda këtij grupi industria nxjerrëse dha ndikim pozitiv me një rrite 7,56 %, ecurinë negative e dha performanca e ulët e industrisë përpunuese me 6,62 % dhe nëndega energjia elektrike, që pati rënien 29,20 %.

Rënie të VSHB-së dha dhe grupi postë-komunikacion me 1,02 %.

Ndonëse Vlera e Shtuar Bruto (VSHB) në 3-mujorin e dytë u ul me 0,61 % kundrejt të njejtës periudhë të vitit 2013, ndryshimet mes dy tremujorëve të parë 2014, paraqesin tregues të ndryshëm nga ai vjetor, sepse në krahasim me tremujorin e parë 2014, treguesi i Vlerës së Shtuar Bruto u rrit me 0,38 % në të dytin.

Me rritje në 3-mujorin e dytë, krahasuar me të parin 2014, janë grupet “Tregti, Hotele dhe Restorante” me 2,58 %, aktiviteti Bujqësor 1,59%, grupi i industrive me rritje 1,41 %, sektori i transportit 2,03 %, posta-komunikacioni me 0,72 %, shërbime të tjera me 0,65 %.

Me rënie në 3-mujorin e dytë ndaj të parit 2014, rezultojnë aktivitetet e ndërtimit me rënie 8,54 %.

Share This Article
2 Comments
  • Te na falni zoterinj te gazetes por ky lajm eshte sipas modeleve te kohes se Saliut.

    Qe tw mund te gjykojme per rritjen ekonomike duhet te na thuhet sa eshte rritja e GDP

    (PBB) per 6 mujorin, madje dhe sa parashikohet me kete rezultat te jete vjetori qe te

    kuptojme se po ecim me ritmet e planifikuara apo jo.

    Jemi ne muajin e dhjete dhe ju na jepni 6 mujorin kur te tjeret e japin shume me shpejt e

    aq me teper qe te gjykohet per ecjen e ekonomise dhe per te marr masa per planin e

    vitit 2015.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *