Krahas rënies së kërkesës, frenimit të kredive nga bankat, kufizimit të lejeve të ndërtimit, bizneset e ndërtimit po përballen dhe me një rritje të kostove. Sipas INSTAT, në tremujorin e dytë 2013, Indeksi i Kushtimit në Ndërtim arriti 101.8 për qind (Tremujori i I 2011=100), duke shënuar një rritje prej 0.2 për qind kundrejt tremujorit të mëparshëm. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2012 Indeksi i Kushtimit në Ndërtim ka shënuar një rritje me 1 përqind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 0.9 për qind. Indeksi i çmimeve të grupit “Shpenzime materiale” është rritur me 0.2 për qind kundrejt tremujorit të mëparshëm. Brenda këtij grupi indekset e çmimeve të nëngrupeve “Materialeve elektrike dhe komunikimi” dhe “Materiale hidro-sanitare” kanë shënuar ulje respektivisht me 0.9 për qind dhe 3 për qind. Ndërsa indeksi i çmimeve të nëngrupit “Materiale ndërtimi” ka pësuar nje rritje prej 0.8 për qind krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Indekset e grupeve “Shpenzime për pagat” dhe “Shpenzime makinerie” u rritën respektivisht me 1.9 dhe 2.2 për qind krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Ndërsa, indeksi i grupit “Kosto të tjera” pati një ulje prej 0.5 për qind. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm një rritje me 1.3 për qind ka pasur grupi “Shpenzime transporti”.
