Për herë të parë, që nga viti 2000 ekonomia shqiptare po përballet me rënie pagash. Një gjë e tillë tregohet nga të dhënat e fundit zyrtare të Institutit të Statistikave dhe Bankës së Shqipërisë. Sipas INSTAT-it, në tremujorin e dytë të vitit paga mesatare në Shqipëri ra me 8.4 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më pare, një rënie e cila ka ardhur nga sektori privat.
Nëse në shtet, sipas INSTAT-it, pagat reale u rritën me 5.3 për qind, tkurrja e fortë në sektorin privat është një përpjekje e bizneseve për të shkurtuar kostot në një periudhë të vështirë ekonomike. E megjithatë sigurisht një rënie e tillë godet direkt të ardhurat e familjarëve.
Por duket se pagat nuk janë zëri i vetëm në të ardhurat familjare që po tkurret. Edhe burime të tjera si dërgesat e emigrantëve apo dhe fitimet e biznesit të vogël kanë rënë, që do të thotë se kriza po i shtrëngon efektet në buxhetet e familjeve shqiptare.
Banka e Shqipërisë vëren se treguesi i të ardhurave të disponueshme, i cili tenton të masë të ardhurat neto të familjeve duke i zhveshur nga taksat që ato paguajnë është duke u ngadalësuar nga viti në vit. Kjo tendencë është sinjal jo optimist për ekonominë.