INSTAT publikon të dhënat mbi numrin e popullsisë

anazapta

INSTAT publikon të dhënat mbi numrin e popullsisë në Shqipëri. Pas përfundimit të konferencës dy ditore mbi “Analizat e të dhënave të Censusit 2011 dhe përdorimi i tyre”, INSTAT publikoi të dhënat mbi numrin e popullsisë, bazuar në 2 analizat e kësaj konference, atë mbi Migracionin dhe Projeksionet e Popullsisë 2011-2031.

Në bazë të analizave , rezulton se “popullsia e Shqipërisë, në 1 Janar 2014, është 2.895.947, nga të cilat 1.435.984 femra dhe 1.459.963 meshkuj. Bazuar në përllogaritjet e bëra, sipas metodologjisë për vlerësimin e popullsisë çdo vit, INSTAT ka publikuar në uebsitin e tij, shifrat e plota të popullsisë për vitet 2001-2014”.

Në 1 Tetor 2011, INSTAT kreu Censusin e Popullsi së dhe Banesave, ku popullsia banuese rezultoi 2.800.138 banorë. Ky rezultat shfaqi një diferencë me atë çfarë ishte projektuar për vitin 2011 nga Projeksionet e Popullsisë bazuar në Censusin e vitit 2001.

Për herë të parë INSTAT , ndërmori Anketën e Pas Census (APC) ku objektivi kryesor i saj ishte kontrolli i mbulimit të Censusit. Rezultatet e kësaj ankete treguan se Censusi i Popullsisë dhe Banesave 2011, kishte një nën-mbulim prej 3%. Rezultatet e APC mund të përdoren gjithashtu në vlerësimin e popullsisë për vitet pasardhëse si dhe për rivlerësimin e numrit të popullsisë gjatë periudhës midis dy censuseve.

Nisur nga kjo, INSTAT dhe ekspertët e Asistencës Teknike të BE-së vlerësuan numrin e popullsisë në 1 Janar, duke marrë parasysh numrin e popullsisë banuese nga Censusi 2011, numrin e refuzimeve dhe rezultatet e APC, e cila në 1 Janar 2012 rezultoi 2.902.190 banorë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *