Në muajin shtator, indeksi i çmimeve të konsumit është 2.2%, ndërsa për të njëjtën periudhë të një viti më parë ishte 1.5%. Sipas Institutit të Statistikave, ndikimin kryesor në ndryshimin e këtij indeksi të çmimeve e kanë dhënë grupi i ushqimeve dhe pijeve jo alkoolike. Në vend të dytë janë pijet alkoolike dhe duhani, ndërsa në vend të tretë është arsimi, i ndjekur nga hotelet dhe restorantet.
Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Shtator 2014, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shërbimi arsimor” me 10,5 %, pasuar nga grupi “Pije alkoolike dhe duhan” me 6,9 %. Çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u rritën me 4,9 %. Brenda këtij grupi çmimet e nëngrupit “fruta” u rritën me 19,6 %, pasuar nga nëngrupi “zarzavate përfshirë patatet” me 19,1.
Ndërsa, ulja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Transporti” me 2,5 %, pasuar nga grupi “Veshje dhe këpucë” me 2,1 %, grupi “Shëndeti” me 0,6 % etj.
Ndryshimi mujor i indeksit është 0,6 %. Krahasuar me muajin Gusht 2015, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,2 %. Ulja më e madhe mujore vërehet në grupin “Transporti” me 0,8 %. Krahasuar me një muaj më parë çmimi i eurodiezelit u ul me 2,6 % dhe çmimi i benzinës u ul me 2,8 %. /Dita/