Përse duhen politika për të ulur emigrimin dhe reduktuar varfërinë

Edona Llukacaj

Lindjet dhe rritja natyrore e popullsisë vazhdojnë të jenë në rënie në Shqipëri. Sipas studimeve, vendi është në një emergjencë demografike dhe kjo çështje kërkon hartimin e politikave për të ulur emigrimin, reduktuar varfërinë dhe rritur numrin e lindjeve.

Sipas të dhënave të sapopublikuara nga Instituti i Statistikave, numri i lindjeve në tremujorin e dytë të vitit 2019 në Shqipëri është 6362, duke shënuar një rënie prej 5,7 %, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2018.

Po sipas këtyre të dhënave, edhe shtesa natyrore e popullsisë, për tremujorin e dytë të vitit 2019, shënoi një rënie me 5,5 %, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2018.

Nëntë nga dymbëdhjetë qarqet e Shqipërisë regjistruan rënie të lindjeve në tremujorin e dytë të vitit 2019. Qarku i Gjirokastrës regjistroi, edhe këtë vit, numrin më të ulët të lindjeve me një rënie 10%, krahasur me një vit më parë.

Në fillim të ketij viti, qeveria shqiptare njoftoi shpërndarjen e një bonusi me qëllim nxitjen e rritjes së popullsisë. Nga 1 janari i vitit 2019 familjet përfitojnë 40 mijë lekë për fëmijën e pare të lindur, 80 mijë lekë për fëmijën e dytë dhe 120.000 mijë lekë për fëmijën e tretë.

Nga ana tjetër, emigracioni dhe nivelet e larta të varfërisë në shumë zona konsiderohen si faktorët kryesorë që ndikojnë në rënien lindjeve dhe uljen e rritjes natyrore të popullisë.

Vitet e fundit është rritur numri i shqiptarëve që po u drejtohen vendeve të Bashkimit Europian për marrjen e shtetësisë duke humbur lidhjet me vendin amë.

Sipas të dhënave të EUROSTAT, përfituesit shqiptarë përbënin rreth 8% të rreth 825. 000 personave që kanë fituar shtetësinë e një shteti anëtar në Bashkimin Europian gjatë vitit 2017.

Po sipas EUROSTAT, 58,853 qytetarë shqiptarë morën shtetësinë e një vendi të BE-së, me rreth 68 mijë pasaporta. Greqia dhe Italia janë dy shtetet që kanë dhënë më shumë pasaporta për shqiptarët, rreth 97% të totalit.

Shqiptarët në Greqi po e përdorin nënshtetesinë greke për të emigruar drejt vendeve të tjera të Bashkimit Europian apo për të përfituar ndjekjen e arsimimit të fëmijëve në universitetet europiane, ku tarifat janë më të ulta për shtetasit nga vendet anëtare. Rritja e përfitimit të nënshtetësisë ka vijuar të rrisë emigrimin e shqiptarëve, i cili vërehet sidomos në zonat ndërkufitare shqiptare të cilat janë braktisur në masë të madhe nga banorët.

Burimi: VoA

e.ll./dita

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *