Republika e Shqipërisë,
Institucioni i Presidentit të Republikës
Lënda: Mbi një përdorim më efikas dhe shfrytëzim racional të kohës së vaktit të drekës në funksion të ekonomizimit kalendarik të pasdites presidenciale
Drejtuar: Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim
Për dijeni: Kryetares së LSI
E nderuara kryesi e LSI, e nderuara kryetare,
Institucioni i Presidentit të Republikës përmes kësaj letre kërkon të marrë dijeni mbi asortimentet e mundshme kulinare që do të jenë në disponim të kreut të shtetit në këndvështrimin e ezaurimit të vaktit të drekës në mjediset e shtëpisë presidenciale. Marrja e një informacioni paraprak mbi menynë e mundshme të vaktit të mësipërm të ditës në vijim, do t’i ofronte kreut të shtetit një diapazon më gjithëpërfshirës, për një vendimmarje sa më të drejtë lidhur me vlefshmërinë ose jo, të vajtjes në mjedisin e cipërcituar – nominalisht shtëpia e presidentit – ose në të kundërt, konsumimin e vaktit në fjalë në mjedise alternative dhe/ose në vetë institucionin e Presidencës.
Në mbështetje të Pikës 1, gërma a e Nenit 2432 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, presim përgjigje brenda 30 minutave të ardhshme.
PËRGJIGJE
Lëvizja Socialiste për Integrim
Kryesia e LSI, Tiranë
Lënda: Kthim përgjigje
Drejtuar: Institucionit të Presidentit të Republikës
I nderuar Sh.T.Z President i Republikës,
Në vijim të kërkesës Suaj mbi marrjen informacion se çfarë kemi për drekë sot, ju njoftojmë se kryekuzhinieren e kemi larguar nga puna pasi humbi zgjedhjet në qarkun ku e kishim kandiduar. Ligji për kandidatët për deputetë citon qartë papajtueshmërinë e kandidatit me funksione të tjera private apo publike. Gjithsesi, kemi të dhëna se personi në fjalë ka filluar po atë ditë të gatuajë për personat e poshtëshënuar: Lulzim Basha, Mark Marku, Gjekmark Markagjoni.
Në vijim të çështjes së mësipërme, ju kërkojmë falje që nuk ju dëgjuam mbi largimin nga parlamenti dhe zgjedhjet lokale, ndërsa ju duhet të na kërkoni falje që i shpallët luftë Alaskës dhe Arizonës. Kështu që jemi barazim.
Sa për vaktin, sajohuni me ndonjë picë ose sufllaqe me porosi, sipas frymës së Pikës 3, gërma zh e Nenit 3224 të Kushtetutës. Hë, se mos harroj: Thuaji Todit, zëdhënësit, të të marrë këmishat te pastrimi kimik.
Me respekt, në mungesë të kryetares,
Nënkryetarja
Shënim/ Ky epistolar është frymëzuar nga motivet e letërkëmbimit zyrtar paszgjedhor mes kreut të shtetit dhe kreut të LSI

telenovele,qe spo mbaron kurre,edhe fjalet e komentet jane shteruar,populli e dha verdiktin,po presim edhe se durimi eshte sosur….