Me një eksperiencë 20-vjeçare, ai njeh si pakkush sekretet e fitnesit dhe të qenit në formë. Ia atribuon punës së gjatë në ambiente sportive, edhe pse dashuria e parë ishte atletika. Disa herë kampion në garat kombëtare dhe ndërkombëtare dhe disa medalje të fituara, sot Vullnet Manushi është një ndër instruktorët më të mirë të fitnesit dhe jo vetëm.
Nën urdhrat e tij janë vënë emra të njohur si Soni Malaj, Aurela Gaçe, Eneida Tarifa, Zajmina Vasjari, etj.. por kur e pyet për të treguar detajet e rutinës së ushtrimeve të tyre, Vullneti është “pus”.
“Jam shumë diskret në lidhje me këtë”, shprehet ai për DITA, megjithatë me bindje thotë se puna me to është më e lehtë sa ç’mund të mendohet, kjo falë qëllimeve që të dy palët i kanë vënë vetes.
“E kam të lehtë, kam gjetur njerëz që i vlerësoj, kuptojnë metodat e stërvitjes dhe binden”.

Por nga ana tjetër ka dhe nga ata që kërkojnë të arrijnë gjërat si me magji, duke harruar disiplinën që duhet ndjekur çdo ditë. Pikërisht këtu hyn në lojë karakteri i fortë, këmbëngulës dhe mbi të gjitha bindës i profesor Vullnetit. Me një durim të kalitur arrin të “gdhend të pabindurit” duke bërë që çdokush që hyn në derën e palestrës së tij, të dalë prej saj i kënaqur.
Ai e di mirë se mund të ndryshojë jetën e njerëzve, mund të bëjë gjëra të mira për ta dhe kjo e bën të lumtur.
“E di që shumë njerëz vijnë në palestër për të larguar stresin dhe në fakt bëjnë shumë mirë. Kanë gjetur aktivitetin e duhur dhe unë mundohem të jem pjesë e këtij aktiviteti antistres duke i bërë orët e kaluara brenda palestër sa më argëtuese”.
Çdo klient “skanohet” përmes syrit të tij, e më pas punohet me “zonat problematike”, edhe pse Vullneti është partizan i teknikave dhe disiplinave që përfshijnë gjithë muskujt në të njëjtën kohë, si aerobi, crossfit, insanity, total body, fitness.
“Për të arritur rezultate sa më të mira është shumë e rëndësishme stërvitja me orare të rregullta, pushimi dhe ushqimi. Zbatimi i planit stërvitor duhet detajuar me kujdes nga instruktorë të kualifikuar të kësaj fushe në mënyrë që të llogaritet ngarkesa që duhet të marrë çdo person, që të shmangen dëmtimet”, thotë ai.
Në kohët në të cilat jetojmë, ku perfeksioni i pamjes së jashtme është kthyer në mani, Vullneti shprehet se një trup i bukur është, ai që ka të gjithë parametrat shëndetësorë të rregulluar dhe jo vetëm pamjen e jashtme. Këtë e kanë kuptuar mirë edhe personat me të cilët ai punon, që e kanë kthyer palestrën pjesë të pandarë të jetës së tyre gjatë gjithë muajve të vitit.
Kur e pyesim për gabimet që shpesh bëjnë fillestarët, ish kampioni i Partizanit nuk nguron të tregojë se “mania e njerëzve është që të arrijnë atë që ata kanë në mendje, pa pasur parasysh efektet negative që ndodhin kur je një trup i pastërvitur”.
“Nuk e marrin shtruar, ngadalë, që fillimisht të rrisin disa parametra aerobik, të bëhet përshtatja e muskujve me ushtrimet, të mësohet teknika e saktë dhe më pas të tentohet në arritjen e objektivit”, shprehet ai.
Dieta? Jo, vetëm regjim

Kundër dietave dhe orëve të tejzgjatura në palestër, ish atleti i kombëtares shqiptare, shprehet se: “Për një stërvitje të mirë është e rëndësishme që regjimi sportiv të shoqërohet me regjimin ushqimor, por pa anashkaluar rikuperimin (pushim, relaks, gjumë)”.
“Jam kundër dietave. Do ta quaja më mirë një rregullim të të ushqyerit. Përsa i përket kohëzgjatjes së stërvitjes, çdokujt, për të arritur një rezultat, i duhet minimalisht 4 herë në jave dhe jo më shumë se 80-90 min në ditë”.
Vullneti këmbëngul se “çdo njeri ka nevojë të merret me aktivitet sportiv pa dallim gjinie dhe moshe. Por është e rëndësishme ta bësh me instruktorë të kualifikuar. Dhe këtu e kam fjalën kryesisht për ata persona që kanë probleme shëndetësore, të moshuarit, por edhe adoleshentët, trupi i të cilëve është në formim. Këto janë kategoritë me të cilët duhet të tregohet kujdes i veçantë në zbatimin e rregullave teknike të ushtrimeve dhe ngarkesave që duhet t’i jepet trupit”
Shpatullat e tij të stërvitura dinë të mbajnë peshën e një pune, që edhe pse e bukur vështirësohet nga përballja me karaktere të ndryshme.
“Të punosh me njerëz është aq e bukur, sa dhe e vështirë, sepse ka nga ata që nuk kanë bërë asnjëherë sport dhe kërkojnë rezultate të menjëhershme. Nuk e kuptojnë se për të pasur një trup të shëndetshëm duhet një punë e kontrolluar dhe e shtirë në kohë. Fillimisht duhet të arrihen disa parametra si ato aerobik, fiziologjikë e praktikë”.
Si arriti t’i heq 42 kg një klienti për 6 muaj

Por pavarësisht “vuajtjeve”, kur vjen momenti i bikinit klientët e falënderojnë dhe ai ndjehet i realizuar për punën e kryer. “Ndjehem krenar kur klientët flasin për arritjet. Ideja ime është që të jenë këmbëngulës dhe të bëjnë një ndryshim të zakoneve në ushqyerje dhe praktikimin e sportit. Nëse ndjek këto rregulla, rezultatet nuk vonojnë”.
E në fakt, të gjithë janë dëshmitarë të rezultateve të arritura nga Soni, Aurela dhe personazhe të tjerë publikë, por një ndër krenaritë e Vullnetit, për të cilat nuk nguron të flasë është puna me një klient, i cili peshonte 120 kg, e pas një stërvitjeje të kontrolluar dhe regjimit ushqimor arriti që brenda 6 muajve të shkonte 78 kg. Apo rasti i një tjetër personi, shumë të dobët, me peshë 64 kg dhe me një gjatësi 194 cm. Pas një stërvitjeje katër mujore arriti të shkonte 78kg.
Pikërisht këtu Vullneti rrëfen edhe një nga sekretet që sipas tij e bëjnë një instruktor të mirë “Një instruktori i mirë për mua është ai që di të jetë i afërt, i thjeshtë në shpjegimin e metodave të stërvitjes dhe i kuptueshëm. Por mbi të gjitha, të udhëzojë stërvitjen me ngarkesën që ai do dhe personi me të cilin punon në fund të mos e kuptojë lodhjen. Kjo arrihet vetëm falë metodave të veçanta”.
Një libër që tregon se si të dobësohesh

Së fundmi Vullnet Manushi vjen afër lexuesit dhe çdo dashamirësi të sportit dhe fitnesit me librin “Mbi Fitnesin dhe Shëndetin”. “Me këtë libër u drejtohem të gjithë atyre që duan të ushtrojnë aktivitet fizik. Këshilla ime është të gjejnë ambientet e duhura, sidomos personat e duhur për t’i instruktuar, të kualifikuar për fitness. Por nga ana tjetër ky libër ndihmon të gjithë studentët e Universitetit të Sporteve”.
I ndarë mes palestrës, punës si mësues i edukimit fizik dhe familjes, Vullneti shprehet i lumtur dhe me fat që ka një familje që e ka mbështetur në hapat e guximshëm të karrierës së tij dhe krenar për të birin që duket se ka trashëguar pasionin e të atit për sportin, e që është fuqia e motorëve 10 mijë kubiksh të jetës së vrullshme të Vullnet Manushit.
DITA
