Pas takimit dhe konferencës për shtyp që realizoi me kryeministrin Rama, kryeministri i Belgjikës është pritur edhe nga presidenti Ilir Meta.
Gjatë takimit mësohet se, Meta vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira midis vendeve, si dhe i shprehu mirënjohjen Belgjikës për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë, veçanërisht në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë.
Në vijim të rekomandimit të Komisionit Evropian për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, Meta theksoi rëndësinë e vendimmarrjes pozitive nga Këshilli edhe në aspektin strategjik për Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Krahas kësaj, presidenti Meta shprehu angazhimin për progres të mëtejshëm lidhur me pesë prioritetet kyçe, dhe veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit.
Në deklaratën e Presidencës, cilësohet gjithashtu se Meta vlerësoi intensifikimin e bashkëpunimit bilateral në fushën e migracionit të paligjshëm dhe krimit të organizuar.
s.a/dita
