Para ndonjë muaji afro njëmijë vetë të cilësuar si intelektualë dhanë pëlqimin t’i bashkohen një thirrjeje në dobi të ecjes së atdheut përpara. Ata i bënin apel kryetarit të PS-së që ai të lejonte deputetët e tij të votonin tre ligjet e kërkuara nga Europa.
Nuk dua të ndjek vazhdën e deritashme të përfoljeve mbi shtrëngimin e tyre, mbi frikën që i shtynte intelektualët të pranonin të viheshin në rresht dhe as dua të tallem me stilin e apeleve të një kohe që e kemi lënë. E kuptoj gjendjen ku ndodhen peticionistët, e besoj bile, dhe që e kanë dëshirë të vërtetë që ata tre ligje të votohen, e pranoj që atyre as u shkon nëpërmend se pas votimit vendi do të mbetet aty ku është, në dyert e Bashkimit të Europës por, jashtë dyerve, pa biletën për të hyrë në të.
Dua t’i pyes tërë ata mjekë, infermjerë, artistë dhe sportistë: mirë e bëtë thirrjen, po përse ia drejtuat kryetarit të PS? Kryetari, Edi Rama, nuk ka të drejtë vote. Nuk voton, nuk është në sallën e Kuvendit. Përse i luteni atij?! Përse nuk ia drejtoni kërkesën dhe përgjërimin drejtpërdrejt atyre shtatëdhjetë deputetëve që mblidhen në Kuvend dhe që nuk i binden Topallit për të votuar?! Deputetët, – jo vetëm ata të Ps-së – duhen trajtuar si njerëz me integritet, të paktën duhet besuar se ata votojnë si ua thotë zemra dhe kur votojnë nuk hedhin vështrimin nga i pari i tyre. Thirrja juaj ishte e sinqertë e dalë nga fundi i zemrës dhe nuk përjashtohet mundësia që ajo të prekte disa nga deputetët socialistë, në mos që të gjithë. Ata mund ta dëgjonin thirrjen dhe t’i thoshin Ramës: mbaj karrigen e kryetarit e nuk ke punë fare si merakosemi ne për fatet e atdheut tonë. Për ne Shqipëria është më e shtrenjtë se PS-ja!”
Por ju nuk vepruat kështu. Kuptohet që ju jeni votantë dhe simpatizantë të partisë tjetër, që qeveris vendin, dhe asaj i detyroheni për çdo gjë. Letrën as e ideoi dhe as e hartoi ndonjëri nga ju njëmijët që e firmosët. Kështu ju thanë e kështu bëtë. Në zyrat e asaj partie ju udhëzuan t’i bëni apel Ramës, se aty ashtu është stili. Berisha e di, se ashtu si në lëmin e vet, edhe në lëmin tjetër, i pari është ai që do të vendosë, t’i lejojë a t’i ndalojë, t’i shtyjë apo t’u bërtasë. Berisha është i çiltër, ai nuk fshihet prapa gishtit. Me dhjetra herë ai është shprehur “unë e mbledh parlamentin që nesër!” Zotëria e tij pra e thotë açik që ai e mbledh parlamentin kur t’i dojë e bardha zermër! Që të nesërmen! E thotë dhe nuk na le së paku vetëm ta dyshojmë se ai i ka të tëra në dorë. Pa teklif e pa na lodhur hiç, pa ia bërë syri tërrr, e deklaron që kryetarja e atij Kuvendi është thjesht një kukullzë!
Dhe detyrimisht te ai burri për karshi do t’ju drejtonte!
Kjo është sëmundja e foshnjore e demokracisë shqiptare që gjallon me stilin vendimmarrës të PPSH-së. Për peticionistët nuk ka pikë dyshimi që Rama i pengon deputetët të votojnë. Zotërinjve doktorë as nëpërmend nuk u shkon që mes deputetëve socialistë mund të ketë personalitete të vetdijëshme të grupit parlamentar, të cilët mund të gjykojnë ekzaktësisht si kryetari i tyre, dhe ta kenë mendjen top, se nuk duhet vazhduar maskarada e hartimit të ligjeve, kur ato të bërat deri sot shkelen mizorisht. Dhe disa nga ata nuk do t’i votonin tre ligjet edhe sikur Rama t’u lutej që ta bënin këtë! Ju as nuk e diskutoni fare që të tillë deputetë nuk gjenden nën diellin e atdheut tonë!
Por ju keni të drejtë. Edhe unë mendoj se tek ne duhet vepruar ashtu si ju porositën juve. Të dashur njëmijë intelektualë, duket qartë që dy vetë i kanë në dorë politikat e vendit. Në kuvendin tonë mblidhen njëqindedyzet vetë, por nënëtëdhjetenëntë herë në njëqind raste atje veprohet sikur të jenë vetëm dy. Është e drejtë që ndarjet e dallimet mes dy grupeve të jenë, por jo edhe aq sa të na lindë ideja të jenë vetëm dy! I thonë Kuvend, dreqi ta hajë! Kuvend dhe kuvëndim janë fjalë të bukura shqipe! Por nuk shikon aty ndonjërin që të zerë foltoren e të thotë: zotërinj, unë i përkas palës tjetër, por jam plotësisht dakord me projektin që paraqitët ju! Për këto dhe këto arsye, unë do të votoj me ju!… Nuk është bërë kot lufta që të hiqet votimi i fshehtë, në mënyrë që ata të dy t’i kenë në zotërim vathat e tyre. Ata të dy janë perënditë.
Ata vendosin se kush do të punësohet në kuvend këtë herë. Janë ditë vendimtare tani dhe ndihet mirë zhurmërimi se po hartohen listat, se ka pjesë të listës që janë fare të sigurta, ka pjesë gjoja të sigurta dhe të pasigurta aspak. Shqetësimi i pjesës më të madhe i të dy krahëve të parlamentit, sidomos i atyre që nuk e zunë foltoren asnjëherë, dhe atyre që nuk i njeh as gjitoni, është maksimal. Do jemi në listë? Do na rreshtojnë afër kreut të listës këta dy kryetarët tanë, apo jo? Dhe listat, sikurse herën që shkoi, parapëlqim të parë kanë besnikërinë ndaj kryetarëve, gatitushmërinë dhe pastaj vlerat individuale dhe në fund fare popullaritetin krahinor.
Është çështje punësimi vëllezër. Një punë fare e lehtë, kartonangritës! Nuk di, po kartoni peshon a s’peshon 4-5 gram –asgjë fare, pavarësisht nga ngjyra! Pastaj vetëm njërin karton do të ngresh, nuk do këputësh mish, de! Dhe atë, katër e shumta pesë herë në muaj do ta bësh! Ama është një punë që paguhet mirë, përveç njëmijë leverdive të tjera që sjell pas vetes.
Dhe atëhere më piqet mendimi dhe dua t’u drejtohem tërë atyre punëtorëve të shëndetësisë, të artit dhe të sportit që ju drejtuan zotit Rama dhe t’i ftoj të bëjmë një peticion tjetër. Aty le të propozojmë që, në vend të njëqind e dyzet deputetëve, të venë atje në mejdan vetëm dy. Mirë, hajd, se dy janë pak: le të jenë katërmbëdhjetë! Kështu edhe llogaritjet e tre të pestave edhe takimet për marrëveshje janë më të kollajta edhe buxheti lehtësohet, sidomos tani në kohën e krizave.
***************
Kjo esse është e para në një seri, që autori e ka titulluar “Aty ku sundon paraja”– Është një tufë essesh për të djelat dhe të mërkurat që vijnë në DITA.
PIKA NE KOKE atyre intelektualeve qe si qener te uritur u sulen per te ngrene “thelen e mishit te prishur”qe u zgjati Berisha.O burra te mencur!Ku e late integritetin tuaj si intelektual?TURP te kini.
Shumica e ketyre intelektualve e kane ditur para viteve 90 se kush ishte dhe cfare karakteri kishte Sali Berisha.Pse nuk u ngriten dhe te flisnin atehere qe dhe ky perbindesh mos te arinte ketu.Me kujtohen shum e nga keta persona qe flasin sot ,para disa viteve kane mare detyra dhe poste te rendesishme nga Perbindeshi.Sot eshte vone te flasesh,sot eshte koha qe ti jepet drejtim sic behet dhe eshte bere ne shume vende te botes.Protesta pa pushim deri ne rezimin e Perbindeshit dhe klikes se tij dhe drejtimin e vendit ta mari nje qeveri KOMBETARE jo partish.Perfundimisht vendi mer drejtimin qe do gjithe populli me daljen ne bangen e te akuzuarve te te gjithe politikaneve qe jane perzier ne afera koruptive dhe kriminale.Athere duhet te mendojme per te hyre ne Europe.
Nuk hiqet e drejta per te folur kunder atij qe te ka dhene dikur nje post. Eshte e hequr moralisht e drejta per t’u kthyer serish te ai pasi je largauar prej tij per shkak se arrite te njihje cfare monstre eshte, kur ka mbetur po ai. Eseja, si tere shkrimet e autorit, eshte shume e bukur; paraqitja artistike e bjerrjes se moralit te intelektualeve behet me nje kujdes te ndjere me qellimin qe ta shohin veten ku ka rene, por edhe te mos fyhen. Cfare doni me prej artistit te fjales?