Një provë force dhe mbi të gjitha një mesazh për rivalët. Ishte kjo ajo cka tregoi Interi me fitoren 0-4 në Friuli ndaj Udineses. Skuadra e Roberto Mancinit falë atij suksesi shumë të rëndësishëm vazhdoi marshimin në kampionat, dhe pas 16 javëve të para misioni për të fituar titullin kampion në Serinë A, nuk është edhe aq i pamundur sac dukej në fillim për Interin.
Në Udine zikaltërit nuk fituan më 1-0 sic kanë bërë në 8 tetë ndeshje të këtij sezoni por përsëritën të njëjtin rezultat si ndaj Frosinones duke triumfuar me shifrat e thella 4-0. 36 pikë ka grumbulluar Interi në 16 javë kampionat, një ecuri që askush nuk do të kishte imagjinuar në fillim të sezonit dhe nëse skuadra e Roberto Mancinit fiton edhe ndaj Lazios javën e ardhshme ky Inter do të arrinte rekordin e Interit të Mourinhos të sezonit të mrekullive 2009-2010 në të cilin zikaltërit grumbulluan 39 pikë në 17 javët e para.
Notat pozitive në takimin ndaj bardhezinjëve friulanë ishin të shumta sepse në një ndeshje të vetme 18-herë kampionët e Italisë rigjetën dy sulmuesit e tyre Mauro Icardin që realizoi një dygolësh dhe Stevan Jovetic që realizoi golin e parë që prej muajt Gusht. Miranda dhe Murillo u shfaqën edhe njëherë tjetër në lartësinë e duhur ndërsa një suprizë e vërtetë ishte Montoya i cili debutoi me Interin ndaj Udineses duke zhvilluar një ndeshje të mirë.
Pa harruar këtu Samir Handanovic që në Friuli u konfirmua si nga portierët më të mirë në Europë. Për të 11-tën ndeshje në këtë sezon gardiani slloven nuk pësoi gol duke e mbajtur sërish portën të paprekur. Në Itali në shumicën e rasteve titullin e fiton ajo skuadër që pëson më pak gola dhe ky është një tjetër sinjal se 2015-2016-ta mund të jetë sezoni i Interit.
