Faqja shumë pranë klubit zikaltër, “FcInter News”, njofton se klubi i Erick Thohir është vënë në gjurmët e mesfushorit të Kombëtares shqiptare. Si një klub i madh, Interi tregohet i vëmendshëm për të vëzhguar të rinjtë premtues në qarkullim nëpër Europë dhe mes tyre figuron edhe emri i Ergys Kaçes që po monitorohet me kujdes nga Interi.
Kaçe, që është pjesë e PAOK-ut të Selanikut, pëlqehet nga emisarët e klubit italian për shkak të karakteristikave të tij si një lojtar mjaft i vlefshëm për mesfushën, ku vlerësohet nga njerëzit e merkatos së Inter si një regjisor që mund të orientojë lojën e skuadrës në qarkullimin e topit.
Gjithsesi “Fc Inter News” sqaron se për momentin nuk bëhet fjalë për një tratativë të hapur me PAOK-un, duke garantuar se 22-vjeçari nga Korça do ta mbyllë këtë sezon te klubi grek, ku ka si trajner ish-juventinin Igor Tudor, por është fiksuar në axhendën e merkatos së Interit për verën e ardhshme kur dhe ky operacion mund të kryhet me qetësinë e duhur.
Përsa i përket çmimit të Kaçes, bëhet e ditur se presidenti i PAOK-ut, Iakovos Angelides, kërkon rreth 4 milionë euro për kartonin e tij, por nënvizohet gjithashtu dhe fakti se Kaçe nuk ka ndër mend për të rinovuar kontratën e tij që skadon në 2017. Një fakt i tillë në fakt duket se ka penalizuar Kaçen edhe në mundësitë e pakta që po gjen për t’u aktivizuar me klubin grek që po ushtron presion në këtë mënyrë ndaj 22-vjeçarit që të pranojë rinovimin e kontratës. Inter ndërkohë vëzhgon i gatshëm për të përfituar.
