Interesat e kredive, në rënie sidomos për individët

Dita

Normat e interesit të kredisë kanë shënuar rënie edhe në tremujorin e dytë të vitit, duke reflektuar kushtet monetare lehtësuese dhe reduktimin e normave të tregut me të cilat ato indeksohen, interesat e bonove të thesarit.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, rënia e interesave për kreditë e reja është e përgjithshme, por mbetet më e dukshme në segmentin e individëve, për të cilët bankat kanë aplikuar kushte kreditimi gjithnjë e më të lehtësuara. Interesat e kredisë së re në lekë kanë rezultuar më të ulëta në muajt prill dhe maj, në përkatësisht 7.56% dhe 7.29%.

Norma mesatare e interesit është rreth 0.2 pikë përqindje më e ulët se në tremujorin e parë të vitit dhe rreth 1 pikë përqindje më e ulët se një vit më parë. Tendenca rënëse e normave të interesit është më e pranishme në kreditë afatmesme dhe ato afatgjata, ndërkohë që normat e interesit për kreditë afatshkurtra shfaqen të qëndrueshme. Individët janë segmenti që ka përfituar më shumë nga normat e ulëta të interesit, si për financimin e konsumit, ashtu edhe për kreditë hipotekare.

Norma mesatare e kredisë për individë është 0.64 pikë përqindje më e ulët se në tremujorin e parë të vitit dhe 1.78 pikë përqindje më e ulët se një vit më parë. Ndërkohë, bankat vazhdojnë përqasjen e tyre të kujdesshme në kreditimin e bizneseve, çka është reflektuar në norma më të ngurta interesi dhe standarde të shtrënguara të financimit.

Norma mesatare e kredisë për biznese në muajt prill dhe maj ka rezultuar pranë asaj të tremujorit të parë të vitit, duke faktorizuar norma më të ulëta për kredinë për investime dhe norma më të larta për kredinë për likuiditet. Sidoqoftë, në krahasim me një vit më parë, norma e interesit për kreditë për biznese është më e ulët, me rreth 0.74 pikë përqindje.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *