Interesi i Kinës në Europën Qendrore dhe Lindore

anazapta

Kina është një magnet për kompanitë europiane. Me një volum tregtie prej rreth 600 miliardë dollarësh, dhe deficit prej 150 miliardë dollarë, Bashkimi Europian është partneri më i madh tregtar për Kinën.

Bashkimi Europian (BE) dhe Kina synojnë të rrisin shkëmbimin tregtar deri në 1 trilion dollarë në fund të kësaj dekade, kjo edhe në linjë me axhendën për bashkëpunim strategjik BE-Kinë 2020. Megjithatë, përfitimet e kësaj marrëdhenie tregtie janë të shpërndara në mënyrë jo të barabartë në Europë, me më shumë avantazhe për vendet veriore të kontinentit.

Kina duket se po kërkon të përdorë Europën si mburojë në tregtinë botërore, sidomos ndaj SHBA. Kjo është arsyeja pse Kina është angazhuar në blerjen e eurobondeve. Kompanitë kineze po investojnë gjithashtu në të gjitha industritë strategjike në Europë, dhe kanë injektuar kapital të lartë në tregjet e pronave të patundshme.

Po për sa i përket Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore? Megjithëse interesat e Kinës në këtë rajon janë të shumëfishta, sasia aktuale e investimeve të kompanive kineze në këtë rajon  është akoma vetëm pak miliardë dollarë.

Me synim rritjen e bashkëpunimit, një linjë krediti prej 10 miliardë dollarësh ishte një nga propozimet e samitit të bashkëpunimit të Liderëve të Kinës dhe Europës Qendrore dhe Lindore, që u zhvillua vitin e shkuar. Kjo do të rriste bashkëpunimin financiar, duke lejuar edhe hapjen e degëve të instituteve financiare kineze në Europen Lindore.

 

Kina është në kërkim të tregjeve të reja

Kina i shikon vendet e Europës Qendrore dhe Lindore kryesisht si një treg të rëndësishëm për industritë e saj strategjike, eksportet e saj dhe si një dritare të madhe per tregjet e Europës perëndimore.

Pekini, që është në kërkim të vazhdueshëm të tregjeve të reja, është zotuar të dyfishojë shkëmbimet tregtare me këtë rajon, megjithese rritja e importeve të produkteve të Europës Lindore drejt Kinës duket një sfidë relativisht e madhe. Produktet e prodhuara në këtë rajon nuk mund të konkurojnë dot me kostot e ulëta të produkteve kineze, dhe nga ana tjetër, kompanitë e rajonit nuk janë inovative mjaftueshëm për të konkurruar në tregun kinez me produkte të cilesë së lartë.

Kina gjithashtu është ofruar të plotësojë nevojat urgjente për infrastrukturë në Europën Lindore dhe Juglindore, si përshembull me projekte në linja hekurudhore të shpejtësisë së lartë, energji nukleare dhe të formave të tjera, rrugë, portë e telekomunikacion.

Përmes investimeve në infrastrukturën e Europës Qendrore, Kina kërkon të përshpejtojë krijimin e rrjetit ndërlidhës të porteve, hekurudhave dhe qendrave logjistike për të shpëndarë produktet kineze në Europë dhe për të nxitur më tej tregtinë Lindje-Perëndim.

 

Gjetja e burimeve të energjisë jashtë Kinës

Një tjetër shtyllë e politikave ekspansionale të Kinës në Europën Lindore, lidhet me nevojën për të garantuar kërkesën e saj aktuale dhe të ardhshme për lëndë të para, duke investuar kështu sidomos në vendet e pasura në burime natyrore.

Sidomos, sektori i energjisë në Ballkan është veçanërisht atraktiv. Kompanitë e rëndësishme perëndimore nuk janë të interesuara të ndërmarrin investime me risk në këtë rajon, duke i ofruar kështu Kinës mundesi të mëdha. Vendet si Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina janë atraktive për kapacitetet e larta hidrike. Maqedonia, Serbia dhe Kroacia i tërheqin investitorët me potencialet e tyre të energjisë së erës.

Në përgjithësi Kina është e interesuar të avancojë me investimet në projektet në fushën nukleare, energjinë e erës, telekomunikacion dhe hekurudha të shpejtësisë së lartë. Është rënë dakord të ndërtohet një linjë hekurudhore që do të lidh Serbinë me Hungarinë dhe është premtuar që të ndihmohet edhe Rumania për t’u lidhur me Hungarinë.

 

Po prej këtej për ku?

Për Kinën, marrëdhëniet tregtare me Europën Juglindore, janë të përqendruara kryesisht në shkëmbimet me vendet më të mëdha në rajon, njëkohësisht anëtare të reja të BE-së. Tregjet ende tranzitore të rajonit, e lejojnë Kinën të anashkalojë disa nga rregullat anti-dumping të BE-së dhe të eksportojë direkt në një treg prej 800 milionë banorësh falë marrëveshjeve të tregtisë së lirë që këto vende kanë me Bashkimin Europian.

Në nëntor të vitit 2013, gjatë takimeve në Bukuresht me 16 kryeministra të vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore, kryeministri kinez, Li Kegiang bëri thirrje për një bashkëpunim të gjerë e të gjithanshëm, duke synuar promovimin dhe dyfishimin e tregtisë dhe investimeve në pesë vitet e ardhshme.

Gjithsesi, Kina jo gjithmonë ka qenë një partner i lehtë për Bashkimin Europian. Mosmarrëveshjet kryesore lidhen me të drejtat e pronësisë intelektuale, shtrembërimet e çmimeve për shkak të subvensioneve, kushteve jo të barabarta të hyrjes në tregje dhe diskriminimit të kompanive europiane në tenderat publike kineze.

Edhe në perspektivën brenda Europës, megjithëse Kina dhe BE kanë nënshkruar një marrëveshje partneriteti strategjik në vitin 2004, ekziston mungesa e një mirëkuptimi të përbashkët të vendeve të ndryshme në lidhje me politikat e përbashkëta strategjike ndaj Kinës.

 

Ndërthurja e industrisë kineze dhe teknologjisë Europiane

Një nga objektivat më të rëndësishëm strategjikë të investimeve të shumta kineze në Europë është për t’u angazhuar sa më afër rrjeteve të kërkimit dhe zhvillimit.

Në një farë mënyre, Kina vazhdon të varet në aspektin teknologjik nga Europa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kina nuk është ende një fuqi inovuese. Europa Perëndimore e SHBA janë burimet kryesore të teknologjisë për Kinën, megjithëse shpenzimet për kërkim e zhvillim po rriten shumë shpejt.

Kina ende shpenzon më pak se gjysma e BE-së dhe një e treta e SHBA-së për sektorin e kërkimit dhe zhvillimit teknologjik. Kompanitë kineze janë shumë të afta për sa i takon inovacionit të shtuar (incremental), por janë ende mbrapa vendeve të zhvilluara për sa i përket inovacioneve krejtësisht të reja (disruptive innovation).

Vetëm 6% e patentave inovative kineze janë të mbrojtura nga patentat botërore, në krahasim me 49% të patentave amerikane. 50% e eksporteve totale të Kinës dhe 90% e eksporteve të produkteve të teknologjisë së lartë prodhohen nga kompanitë e huaja që operojnë atje.

Për Europën, Kina përfaqëson një mundësi ekonomike të jashtëzakonshme. Kapitali dhe krahu i punës kinez sëbashku me  rregullat dhe teknologjinë europiane, të menaxhuara kujdes, mund të krijojnë mundësi të mëdha zhvillimi në të ardhmen për të dyja rajonet ekonomike.

________________________________________________________

Autorja është Profesore në Qendrën Europiane të Studimeve të Sigurisë “George C. Marshall”

Ky artikull reflekton pikëpamjet e autorit dhe jo domosdoshmërisht politikën zyrtare të qeverisë së SHBA apo qeverisë Gjermane.

Publikuar në “The Globalist”  

 

Share This Article
1 Comment
  • Ky artikull reflekton pikëpamjet e autorit dhe jo domosdoshmërisht politikën zyrtare të qeverisë së SHBA apo qeverisë Gjermane. [artikulli]

    Megjithese artikulli ka nivel, ky lloj shpjegimi s’eshte aspak normal. Askush s’guxon te mendoje se nje profesore “perfaqson politiken zyrtare te nje shteti” apo nje “burre shteti” te perfaqesoje dy shtete; SHBA/Gjermani. Ngelet Disclaimer-i me i cuditshem qe kam lexuar ndonjehere, “jo domosdoshmerisht” ne shtypin Shqip. [eshte nota e editorit origjinal- jo e DITA, http://www.theglobalist.com/chinas-interest-in-central-and-eastern-europe%5D

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *