Interi mban Kaçen nën vëzhgim

redaktor

Interesimi i Interit për Ergys Kaçen duket se nuk është thjesht një zë merkatoje, por një realitet që mund të zyrtarizohet verën e ardhshme.

Sikurse raporton FCInterNews, futbollisti i Kombëtares shqiptare mbetet në krye të listës së lojtarëve që po vëzhgohen me kujdes nga specialistët e klubit zikaltër.

Mesfushori korçar i lindur në vitin 1993, është në pronësi të PAOK-ut të Selanikut, por me kontratën që i skadon në vitin 2017.

Për Interin, Kaçe ka një profil interesant, që mund të përshtatet në mekanizmat e formacionit të Mancinit, aq më tepër që vlera e kartonit të tij është rreth 3 milionë euro.

Futbollisti kuqezi nuk ka pranuar rinovimin e kontratës me klubin grek, çka lë të kuptohet se e ardhmja e tij do të jetë larg PAOK-ut.

Gjatë këtij sezoni, ndoshta edhe për shkak të refuzimit të zgjatjes së bashkëpunimit, Kaçe është aktivizuar në vetëm 12 ndeshje të kampionatit grek, madje në tre raste si zëvendësues.

Ndryshe paraqitet situata në Europa League, ku Kaçe është hedhur në fushë në 10 ndeshje. PAOK- do të jetë i detyruar ta pranojë ofertën e mundshme të Interit, për të mos e humbur pas një viti me parametër zero.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *