Interneti, teknologjia e pakontrolluar që po rrezikon fëmijët

anazapta

Strukturat ndërkombëtare u bëjnë thirrje dikastereve dhe familjeve shqiptare që të ndërhyjnë, pasi faqet e internetit gjithnjë e më shumë po përdoret për të abuzuar me të miturit, të cilët rrezikojnë të bien pre e rrjeteve pornografike dhe të grupeve kriminale të shfrytëzimit të të rinjve

Përdorimi i internetit në ditët e sotme është kthyer në një mani. Rrjetet sociale si “Facebook”, “MySpace”, apo “Twitter”  si dhe lundrimi në “You Tube” po përdoren pa kufij edhe në vendin tonë, ku numërohen më shumë se 1 milion përdorues të internetit. Krahas mundësive pozitive për marrjen e informacione, lundrimi në internet po mbart rreziqe të mëdha, pasi në radhët e përdoruesve të përditshëm masivisht janë fëmijët dhe adoleshentët.

Përdorimi i pakontrolluar i këtyre rrjeteve, sipas ekspertëve, kanos rreziqe të shumta për gjithë shoqërinë, pasi fëmijët mund të njihen me njerëz të rrezikshëm dhe mund të lënë takim me ta, mund të hapin faqe me përmbajtje të dëmshme, mund t’u vidhen të dhënat, abuzohen e ngacmohen seksualisht. Këto veprime lënë gjurmë të rënda në rritjen e tyre të shëndetshme.

Fatkeqësisht rrjetet dhe blogjet sociale gjithnjë e më shumë po përdoren edhe nga persona që abuzojnë me fëmijët. Konstatimi është bërë nga ekspertë ndërkombëtarë, të cilët u bënë pjesë e konferencës së zhvilluar dje për sigurinë e fëmijëve në përdorimin e internetit. Kjo pasi në vendin tonë nuk ekziston mentaliteti i kontrollimit apo vendosjes së filtrave mbrojtjes që pengojnë hyrjen e fëmijëve në faqet që mund të jenë të dëmshme.

Përfaqësuesi i ‘Word Vizion’ tha se shumë fëmijëve u janë kërkuar përmes internetit takime në vende të fshehta, me të panjohur, ndaj kontrolli i tyre dhe i përdorimit të internetit është shumë i rëndësishëm. Përballë këtij realiteti shqetësues, edhe ambasadori i UNICEF-it në Shqipëri, Detlef Palm, konfirmon se kohët e fundit interneti po përdoret gjithnjë e më shumë për të abuzuar me të miturit, duke shtuar më tej se përdorimi i shpeshtë i tij cenon edhe privatësinë.

Duke qenë se interneti përdoret më shumë nga fëmijët, Palm thotë se duhet të tregohet shumë kujdes me faqet e paligjshme të abuzimeve seksuale. “Një pjesë e fëmijëve kanë gjetur forma të reja komunikimi në internet. Është e domosdoshme të kontrollohet përmbajtja e papërshtatshme dhe kriminale e faqeve të internetit që instalohen aty.

“Shkolla, mësuesit dhe autoritetet lokale duhet t’i kontrollojnë dhe parandalojnë futjen në këto faqe pornografike të fëmijëve, pasi nuk duhet të ketë asnjë tolerancë, për shfrytëzimin pornografik të fëmijëve. Edhe qeveria shqiptare është pjesë e deklaratës së nënshkruar për dënimin dhe çuarjen para drejtësisë së personave që përdorin këto rrjete dhe kanë në dorë pornografinë e fëmijëve”, deklaron Palm.

Në aktivitetin e zhvilluar dje nga Ministria e Arsimit dhe ajo e Teknologjisë e Novacionit u diskutua mbi masat që duhet të merren për të pakësuar efektet negative të përdorimit të pakontrolluar të internetit nga fëmijët. I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe ambasadori  SHBA në Shqipëri, Aleksandër Arvizu, i cili deklaroi se “avancimi i teknologjisë nënkupton sfida, pasi fëmijët dhe të rinjtë kanë akses në internet. Fëmijët duhet t’i ndihmojmë t’i  mbajmë larg përmbajtjeve të paligjshme dhe të dëmshme për ta”.

 

Studimi, fëmijët ftohen në vende të panjohura

Studimi i bërë gjatë trajnimit “Siguria e fëmijëve në internet” raporton të dhëna shqetësuese ku fëmijët pohojnë se janë ftuar prej të panjohurve t’i takonin në vende të fshehta. Ndërsa një vajzë nga Korça kishte treguar për një të panjohur që i kishte vjedhur të dhënat dhe e kërcënonte për t’u takuar. Kur ajo nuk pranoi, ai postonte në këtë faqe materiale me përmbajtje jo të përshtatshme.

“Ky njeri ngeli mister dhe nuk është zbuluar”, tha ndër të tjera Rein Deker, drejtori i organizatës ndërkombëtare “Ëorld Vision Albania”. Gjatë  konferencës, Rein Deker bëri të ditur se ata kishin pyetur fëmijë në Bregun e Lumit në Tiranë, gjithashtu në studim janë përfshirë edhe fëmijë nga qytete të tjera si Shkodra, Korça dhe Lezha, të cilët kishin treguar se ishin shumë aktiv në përdorimin e internetit.

Në Shqipëri, një në dy njerëz qëndrojnë në internet. Ndërsa në një sondazh të bërë në shkollat shqiptare në 100 fëmijë, 97 prej tyre kanë një faqe në rrjetet sociale.

 

Por çfarë ndodh me prindërit shqiptarë?

Shumë prej prindërve që kishin internet në shtëpi, të pyetur nga gazeta “Dita”, deklaruan se nuk ishin të informuar aq sa duhet për mënyrën sesi ta përdorin internetin apo rrjetet sociale. Madje, prindërit ndihen krenarë se fëmijët e tyre përdorin internetin, një mjet që ata vetë s’dinë ta përdorin.

Prindërit që punojnë nuk kanë kohën e mjaftueshme për t’i kontrolluar fëmijët. Ndërsa ata që kanë fëmijë adoleshentë ka raste që nuk i lejojnë prindërit t’i kontrollojnë dhe nuk u japin llogari për këtë pjesë të jetës të tyre.

Ata na tregojnë se fëmijët e tyre kanë një profil në “facebook” apo rrjete të tjera por ata nuk arrijnë t’i kontrollojnë, sepse fëmijët dinë ta përdorin më mirë internetin se vetë prindërit. Këta të fundit duke mos e pasur idenë për rrezikun që iu kanoset fëmijëve, i lejojnë të rrinë me orë të tëra para internetit.

“Unë kam një djalë 16 vjeç dhe një vajzë 12 vjeçe. Që të dy kanë “facebook”. Unë nuk kam një adresë. Im shoq e ka një adresë dhe mundohet të kontrollojë ndonjëherë fëmijët. Mendoj se ata e përdorin internetin për të komunikuar me miqtë , për të marrë informacione për detyrat e shkollës, nuk e besoj se ka ndonjë rrezik që ata rrinë me orë të tëra aty, përveçse iu bënë keq për sytë”, thotë një prej prindërve.

 

Rreziku nga rrjetet pornografike

Një tjetër studim për internetin në Shqipëri bërë prej Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU), tregon se përdorimi i tij ka arritur në shkallën 48.1 %. Studimi tregon një rritje trefish krahasuar me vitin 2007, ndërkohë që nga viti 2009 përdoruesit e internetit në Shqipëri janë rritur me 2.5 herë. Nga një sondazh i zhvilluar prej gazetarit Edian Gjoni, titulluar “Pornografia te fëmijët”, ku ishin marrë në pyetje rreth 1000 fëmijë të moshave 9 deri në 14 vjeç u konstatua se shumica prej fëmijëve tregonin “se ata vetë apo shokët dhe shoqet e tyre kishin parë filma pornografikë. Fëmijët tregonin se i gënjenin prindërit se po luanin play station, kur edhe këto lojëra kishin përmbajtje pornografike të cilat gjendeshin lehtësisht në faqe të caktuara interneti”. Vajzat adoleshente për të rritur shkallën e popullaritetit apo numrin e miqve në faqen “facebook” postojnë foto provokuese, me dekolte të ekzagjeruara, me buzë të fryra apo me të brendshme etj.

Share This Article
12 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *