M.I është një 42 vjeçar nga Fieri të cilin DITA e intervistoi dy ditë pas ngecjes së avionit panoramik në Divjakë. E kush më tepër se një narkotrafikant profesionist mund të analizojë ‘teknikisht’ atë që ndodhi në Divjakë. Kurth e quan M.I të gjithë ngjarjen e inskenuar në Divjakë ndërsa ofron dhe një detaj që sipas tij e dekonspiron skemën e kurthit dhe që lidhet me të arrestuarin Saimir Bajrami.
Në botën gri të narko-trafikut i intervistuari M.I ai njihet me disa nofka, si “Specialisti”, “Veterani”, “Kimiku” etj. Karakteristikat e tij, janë gjerësisht të njohura mes lojtarëve kryesorë të narko-trafikut. E thënë ndryshe, është një nga ‘autoritetet e sektorit’, ndaj dhe përtej çdo paragjykimi, konsulta me një të tillë, për ngjarjen e Divjakës, ka një rëndësi të padiskutueshme, në përpjekjen për të shpjeguar situatën e stuhishme që shkaktoi kapja e avionit dhe dy arrestimet.
Më poshtë renditen dhe piketat kryesore që M.I ka renditur për rastin e Divjakës:
-Detaji parë është vetë Divjaka, sepse sipas M.I është e pakonceptueshme që trafikantët të shkojnë e të përzgjedhin si vend për uljen e një avioni që do ngarkohet me drogë, pikërisht vendin më të përfolur të ditës për trafik droge.
“Nga televizori e mësova ngjarjen dhe gjëja e parë që mendova ishte: “Jo s’ka mundësi, këta tipat do jenë të çmendur!”. Nuk mund të bësh një punë kur aty është e gjithë vëmendja e opinionit publik prej disa javësh. Është marrëzi. Ulja në Divjakë për punë në një kohë që gjithë vëmendja është drejtuar në Divjakë. Në një kohë kur Divjaka, avionët panoramikë dhe kanabisi janë diskutuar dhe në parlament. Ata shkojnë pikërisht në Divjakë, me një avion panoramik dhe me një ngarkesë kanabisi”, – shprehet M.I.
-Detaji i dytë është vendi me rërë. Ky është një detaj tejet i rëndësishëm, por pak i rrahur nga media. Dihet gjerësisht dhe mes pilotëve se pistat me rërë, krijojnë ‘dumpa’ dhe disnivele për shkak të bimësisë dhe vetisë së bimëve për të mbledhur dhe përqendruar shumë rërë pranë tyre. Këto përqendrime krijojnë dumpat të cilat kthehen në pengesa, madje pengesa të rrezikshme për avionët. Në lidhje me këtë pikë M.I shprehet se:
“Po të marrësh një hartë do gjesh mbi 10 lugina të humbura të përshtatura në kohën e Xhaxhit (në kohën e Enver Hoxhës; shënim redaksional) që janë shumë të përshtatshme për uljen dhe ngritjen e këtyre avionëve. Janë fusha me bar. Këto harta ekzistojnë dhe në Ministrinë e Mbrojtjes. Dhe nga pikëpamja logjistike që ju thoni nuk ka sens. Ai lloj avioni mund të ulet në çdo luginë tjetër. Pse pikërisht aty?”, – është shprehur narkotrafikanti
-E treta janë të dhënat e korrierit. Sipas narkotrafikantit të intervistuar nga DITA, korrieri Saimir Bajrami duke qenë emigrant prej vitesh ishte njohësi më i keq i zonës së Divjakës dhe sipas të intervistuarit, asnjë profesionist nuk do bënte gabimin që të dërgonte si korrier me kanabis për ta ngarkuar në avion, dikë që nuk dinte as rrugët e Divjakës. Sipas M.I ky është një detaj që zbulon qartësisht skenarin e kurthit:

“Kurth dhe vetëm kurth. Nuk janë aspak idiotë. Sepse ka një detaj pikant aty që e nxjerr zbuluar kurthin. Si mendoni, një narkotrafikant që ka mundësi të gjejë një avion nga Italia, personin që do caktojë për të çuar kanabisin deri tek vendi ku e pret avioni ku do ta gjejë? Ai shqiptari i arrestuar (Saimir Bajrami), si transportues me Mitsubishin, ishte i sapo mbërritur në Shqipëri. Kishte vite në emigracion. Atë gjetën ata të fusnin nëpër xhadetë e Divjakës? Mbaruan argatët që njohin territorin dhe vendin ku pret avioni? Pse u zgjodh pikërisht personi më i papërshtatshëm në vendin dhe kohën më të papërshtatshme? Këtu fle lepuri”, është shprehur M.I.
Por ai shton dhe një element tjetër, nëse ishte rruga e parë siç Saimir Bajrami ka deklaruar fillimisht përpara hetuesve, kjo rrugë s’mund të organizohej asnjëherë me sasi të mëdha kanabisi por me sasi provë:
“Me kaq të dhëna sa unë kam, unë dyshoj fort që kjo punë në Divjakë është nxitur nga dikush që ka qenë i interesuar që e gjithë situata të krijohet pikërisht aty. Kur nis një punë të re e mendon mirë. Në rrugën e parë, sasia nuk duhet të jetë e madhe por sasi e vogël, sa për testim, dhe vendi nuk mund të ishte kurrë Divjaka”, – shprehet M.I.
Gjatë intervistës për DITA narkotrafikanti i intervistuar M.I ka bërë dhe një hesap të kostove dhe fitimit që vjen nga transportimi i kanabisit me aviona panoramikë. Ai përllogariti një transport nga Shqipëria drejt Italisë së Veriut për një sasi prej 400 kg:

“Kemi në total ngarkesë prej 400 kg me një kosto që është në fshat(Lazarat) 250 euro/kg. Pra blerja e jeshiles në fshat na shkon direkt 100 mijë euro. Është për tu paguar dhe transporti për ta nxjerrë nga fshati dhe për ta çuar tek vendi ku na pret avioni panoramik. Ky transport brenda Shqipërisë ka një kosto mesatare 50 euro/kg, që për 400 kg shkon 20 mijë euro. Pra blerja dhe transporti deri tek avioni na kushton 120 mijë euro për 400 kg. Llogarit që në Italinë e Veriut e ke të shitur menjëherë me 1200 euro/ kg. Llogarite 1200 euro shumëzim 400 kg bëjnë 480 mijë euro. Nga 480 mijë euro të arkëtuara zbresim koston 120 mijë dhe na gjenden në xhep 360 mijë euro. Por kemi dhe pilotin që nuk është likuiduar ende.
80 deri në 100 shkon haka e pilotit. Pasi kam paguar dhe pilotin i bie të më kenë mbetur fitim në xhep 280 mijë euro. Pra ne rrezikuam 120 mijë euro për 280 mijë euro fitim neto. Ja kjo është e gjitha.”,- është shprehur narkotrafikanti i intervistuar.
Një analizë e dëshmisë së parë të dhënë nga Saimir Bajrami
Pajtimi i pilotit dhe vendi i uljes në Divjakë
Bajrami: “Unë në Itali kam punuar në fushën e ndërtimit, ku kam pasur një firmë ndërtimi, ku aktualisht e kam mbyllur aktivitetin e saj për shkak të krizës financiare që na ka zënë. Gjatë qëndrimit në Itali, për shkakë të krizës, në biseda që kam bërë me shtetasin Giusepe, mbiemrin e të cilit nuk e kujtoj, kemi biseduar të dy që të merreshim me trafikim të lëndës narkotike nga Shqipëria për në Itali, ku aty Giuzepe mori përsipër që të siguronte shitjen e saj. Ndërsa unë mora përsipër që të bëja sigurimin e lëndës narkotike, cannabis sativa, transportin e së cilës do ta bëja nëpërmjet një piloti, me të cilin do t’më ndërmjetësonte Giuzepe”.
Hetimi: Bajrami ka punuar vërtetë në Itali me sipërmarrje në fushën e ndërtimit por ai më parë nën identitetin e tij të origjinës me emrin Saimir Gega ka rezultuar person i dënuar për trafik ndërkombëtar droge. Nga ana tjetër Bajrami e lidh pajtimin e pilotit në Itali nëpërmjet ndërhyrjes së një shtetasi italian të quajtur Xhuzepe, për të cilin thotë se nuk ia mban mend mbiemrin. Hetuesit dyshojnë se në këtë pikë Bajrami nuk tregon të vërtetën dhe kërkon të fshehë personat që e lidhën me pilotin italian Gorgio Riformatto ndërsa Bajrami fillimisht nuk ka treguar as personat në Shqipëri ku ai shkoi të blinte kanabisin. Në dëshminë e tij të parë korrieri Bajrami mbajti të gjitha përgjegjësitë e organizimit të kësaj skeme mbi shpatullat e tij, duke synuar fshehjen e padronëve të tij, njerëzit që e përdorën dhe që i caktuan detyrë të vetme thjesht shoqërimin e pilotit italian për t’i treguar vendin ku do ulej dhe dorëzimin me makinë të kanabisit deri tek avioni. Bajrami nuk thotë ende se kush i dha garanci pilotit italian se rëra e Divjakës do të funksiononte si pistë për uljen. Bajrami vetë s’mund të ishte në gjendje t’i jepte këto garanci, ato ose i jep një narkotrafikant që e ka provuar dhe më parë të njëjtën gjë në të njëjtin vend ose në rast se është prova e parë, pajtohet një ekspert i aviacionit që të orientojë pilotin dhe grupin e narkotrafikantëve mbi vendin e duhur.
Nga dëshmia e Bajramit këto detaje nuk dalin gjëkundi.
Alibia për Gjadrin dhe automjeti misterioz
Bajrami: “Në datën 09.05.2014, rreth orës 11:00 kam shkuar përsëri tek hoteli ku ndodhej piloti dhe aty së bashku me të kemi biseduar se ku do të gjenim vendin e përshtatshëm për ngarkesë. Sipas televizorit, dëgjova se vend i përshtatshëm për këto punë ishte Divjaka. Prej tij mësova se nga GPS-ja kishte mësuar se në fushën e Gjadrit ai nuk mund të ulej sepse në pistë ishin vendosur betona dhe më tregoi se e vetmja mundësi ishte që të ulej në zonën e Divjakës. Gjithashtu, për në zonën e Gjadrit unë kisha parë se atje nuk mund të bëhej ngarkesa sepse ishin vendosur betona, si dhe për faktin që po ziheshin politikanët ndërmjet tyre në Parlament. Më kërkoi që të dy të shkonim dhe të shikonim vendin konkretisht. Jemi nisur të dy nga Tirana, me makinën fuoristradë që më është kapur, makinë të cilën unë ia mora kushëririt. “Kur kam mbërritur në Divjakë pashë se në të njëjtin pozicion që kishim lënë me pilotin, pranë meje ndodhej edhe një makinë tjetër e tipit “Volksëagen Passat” me ngjyrë gri, në të cilën ndodheshin dy persona. Menjëherë kuptova se edhe ata kishin bërë marrëveshje me pilotin sikurse edhe unë dhe ishin në pritje të arrdhjes së avionit”.
Hetimi: Bajrami ia ka dedikuar këtë operacion ‘frymëzimit’ të tij pasi ka parë në TV debatet në parlament për Gjadrin dhe trafikun e drogës me avion. Ai është shprehur se po nga TV u informua se Gjadri ishte betonuar dhe se ai po shikonte të tjera opsione. Këtë variant prokurorët dhe hetuesit e kanë dyshuar që në fillim, pasi dukej tejet e çuditshme që narkotrafikant të zgjidhte pikërisht ato vende për të cilat ishte ngritur e gjithë qeveria dhe parlamenti në këmbë duke i denoncuar publikisht. Por Bajrami ka ngecur në dëshminë e tij të parë edhe në lidhje me një automjet tjetër tip “Ëolksvagen” i cili priste përkrahë makinës së vetë Bajramit në Divjakë, mbërritjen e avionit. Për këtë makinë Bajrami ka thënë se e ka parë aty afër dhe i kishte konsideruar personat brenda makinës si njerëz që kishin bërë Pazar me pilotin italian Riformatto për hesap të tyre. Por hetuesit kanë dyshuar që në fillim se në automjetin tjetër në fakt kanë qenë ‘shefat” e Saimir Bajramit, njerëzit që kontrollonin operacionin. I vetmi problem i pazgjidhur deri më tani është nis ekëta persona brenda automjetit tjetër ishin duke realizuar një operacion narkotrafiku apo një operacion me qëllim rrëzimin e avionit në Divjakë dhe zhdukjen me shpejtësi pasi kjo të ndodhte. E vërteta është që personat në automjetin tjetër arritën të zhduken me shpejtësi, por dëshmitë e tjera që i janë marrë Bajramit mund të nxjerrin më tepër detaje për identitetin dhe rolin e tyre.
* * *
REDAKSIONAL
Çfarë po na fsheh Saimir Bajrami?
Në fakt të pathënat fillojnë që në mbiemrin e zotit Bajrami, i njohur dhe si korrieri shqiptar i kanabisit të shumëpërfolur të Divjakës. Nëse i drejtohesh me “zoti Bajrami” je korrekt por nuk je duke rrahur të vërtetën e tij. Bajrami është një mbiemër i dytë i Saimirit, më parë ai quhej Saimir Bega. Vëllai i tij, prindërit e tij, në regjistrin e shtetasve figurojnë me këtë mbiemër. Mbiemri i origjinës së korrierit është Bega, por ai e ka ndryshuar atë. Flitet se arsyeja lidhet me një dënim të tij në Itali për narkotrafik, rreth 12 vite më parë. Por ky variant nuk është i konfirmuar zyrtarisht ende. E megjithatë mbiemri nuk është i vetmi tregues me ‘stil fshehje’ i korrierit Saimir Bajrami. Disa të dhëna hetimore të siguruara nga prokuroria sugjerojnë se ai mund të fshehë të dhëna disa fish më të rëndësishme se kaq. Të dhëna që japin indicie se në Divjakë ka pasur gjurmë blu. (nuk bëhet fjalë për blu-në e detit).
“Si pjesë e procesit hetimor, ndaj Saimir Bajramit(Begës), ka disa lidhje që hetuesit janë duke i parë me shumë vëmendje. E para është lidhja e tij e krushqisë dhe e afërt me një ish-zyrtar të lartë dhe të rëndësishëm drejtues i një strukture kontrolli në Ministrisë e Brendshme gjatë 7 viteve të qeverisjes së Berishës. Zyrtari është nga Tropoja dhe nomenklaturë e rëndësishme jo vetëm e ministrisë por dhe e rrethit familjar të Berishës”, – u shpreh dje për DITA një burim nga grupi hetimor.
Por hetimi ka shfaqur dhe një tjetër zhvillim të rëndësishëm që vjen nga tablatet telefonike të dy kartave që Bajrami i hodhi në pyll për të humbur gjurmët. Kartën mund ta hedhësh por numrat që ke përdorur, sidomos kur kartën e blen me emrin tënd janë të regjistruara në sistem. Disa tabulate telefonike të siguruara nga hetuesit sugjerojnë komunikime intensive të Bajramit me një personazh të njohur pranë Partisë Demokratike, një nga protagonistët e 14 shtatorit 1998 por jo vetëm. Këto komunikime janë duke u krahasuar imtësisht.
Nga ana tjetër hetuesit janë duke mbledhur të dhëna domethënëse dhe në lidhje me një tjetër automjet që “priste” pranë automjetit “Mitsubishi” me të cilin u kap Bajrami. Dyshohet se këta persona kanë qenë së bashku me korrierin e arrestuar dhe mund të jenë personat që ‘drejtonin operacionin’ në të cilin Bajrami kishte thjesht rolin e korrierit.
A po jep Edi Rama ‘mesazhe’ se korrieri është penduar?
Zërat se një nga të arrestuarit ka dhënë indicie të qarta se bëhet fjalë për një inskenim janë shtuar ditët e fundit në qarqe të ngushta të politikës dhe medias në Tiranë. Por brenda 24 orëve të fundit ka qenë edhe vetë kryeministri Edi Rama ka përmendur dy herë ‘rastin Divjaka” dhe në të dyja rastet fjala dhe mesazhi i tij ka pasur doza të forta nënkuptimesh.
Pak minuta pas përfundimit të një proteste të mbajtur dje nga Partia Demokratike, kryeministri Edi Rama postoi në profilin e tij një status: “Rrota e avionit të ish-qeverisë ngeci në bulevard, piloti nuk foli, shoferi bërtiti, pasagjerët morën furgonët për të ikur nga vendngjarja”,- shkruante Rama.
Ndërkohë ditën e enjte, gjatë replikave në Kuvend, Rama iu drejtua ndër të tjera ish-ministrit Noka me fjalët: “Mos e ço deri tek unë atë punën e drogës, se do të dalë keq, kur të dalë. Mesa duket, këtë punën e avionëve nuk e keni pasur nga sms, por nga eksperienca. Koha do tregojë plot gjëra… Meqë ke qenë në krye të MB, ka shumë mundësi të dish diçka më shumë…”

“E para është lidhja e tij e krushqisë dhe e afërt me një ish-zyrtar të lartë dhe të rëndësishëm drejtues i një strukture kontrolli në Ministrisë e Brendshme gjatë 7 viteve të qeverisjes së Berishës. Zyrtari është nga Tropoja dhe nomenklaturë e rëndësishme jo vetëm e ministrisë por dhe e rrethit familjar të Berishës”-shkruhet ne kete artikull.
Kush mund te jete “krushku”???
Kete autori na e ka lene ta gjejme ne lexuesit,duke na krijuar mundesine te behemi nga pak “analist” e “reporter”.Me kete rast do te shikohet se sa objektiv jemi ne lexuesit…
*********************************************************************************************************
E ku eshte “zgjuarsia” e kriminelit Sali Bisha ?
Pra qenka nje “koqe maloku” qe vetem cirret me kerrcenim per t’e treguar force ?
Ja pra kush na qenka Presidenti, Kryeministri, Skenderbeu i vete shpallur me force dhe mashtrime si Satrapi-Zog.
*********************************************************************************************************
Cdo hère,kur ka nje ngarkese ma me pesh narkotrafikantet sakrifikojne nje mushke te vogel,qe kali i madhe te kaloj rahat edhe publiku te merret me mizat!
Eshte folur dikur per nje Xhevdet Mustafa qe erdhi si diversant ne Divjake per te vrare Enverin dhe hengri koken e tij dhe te Kadri Hazbiut. Nuk ka nxjerre mesime Saliu nga kjo histori. Thua po i mblidhet litari ?
Shume gjetur historia me narkotrafikantin,bravo ,keni fantazi dhe nsese nuk eshte keshtu, kush mund ti besoje denglat tuaja .Nse e dini qe ky zoteriu qenka trfikant pse nuk e denonconi ne polici ???Histori te improvizuara nga kulishet e kuq !! “Funderrina” , eshte e vetmja fjale qe mund te thuhet per njerez pa moral si ju