Konstitucionalisti i njohur Niazi Jaho përfshihet në debatin që po zhvillohet për reformën në sistemin e drejtësisë.
Në këtë intervistë ai sqaron se sa mundësi ka gjejë zbatim alternativa e diskutuar ditët e fundit se, në rast të mos pranimit të një drafti më konsensus, ky draft mund të kalojë për miratim me referendum popullor.
Çfarë sanksionon neni 177 i Kushtetutës dhe pse Gjykata Kushtetuese rrëzoi një kërkesë të një grupi nismëtar për referendum në vitin 2009.
– Z. Jaho, gjatë shqyrtimit të draftit për ndryshime kushtetuese, lidhur me reformën në sistemin e drejtësisë, individë të veçantë, ndonjë politikan apo deputet, kanë shfaqur mendimin se në rast se drafti nuk arrin të marrë në Kuvend dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve, ai mund të dërgohet me referendum që vetë sovrani (populli) të shprehet me votën e tij. Sa janë të bazuara këto mendime?
– Të them të drejtën, diçka kam dëgjuar edhe unë, por nuk kam mundur të kuptoj (sepse nuk janë dhënë sqarime të hollësishme) në çfarë konteksti është thënë kjo, pa përjashtuar këtu edhe ndonjë nxitim apo lapsus. E them këtë sepse neni 177 i Kushtetutës (që sipas draftit të mësipërm nuk ka pësuar ndonjë ndryshim) mendoj se është i qartë dhe nuk lë ndonjë hapësirë ose shtigje për interpretime. Prandaj më duket e tepërt ta komentoj dhe interpretoj nenin 177 të Kushtetutës.
– Çfarë thotë konkretisht neni 177 i Kushtetutës?
– Në pjesën e shtatëmbëdhjetë të titulluar “Rishikimi i Kushtetutës” në nenin 177, pikën 3 thuhet: “Projekti miratohet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit”.

– Po në qoftë se ai miratohet me dy të tretat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, a mund të dërgohet edhe në referendum?
– Në nenin 177 të Kushtetutës (pika 4) thuhet: “Kuvendi mund të vendosë me dy të tretat e anëtarëve të tij që projekt-amendamentet kushtetuese të votohen me referendum”.
– Atëherë, a nënkupton pika 4 e nenit 177 të Kushtetutës se dy të tretat e deputetëve para se ta dërgojnë projekt-amendamentin me referendum, duhet ta kenë miratuar atë?
– Sigurisht që po. Kështu p.sh u veprua edhe për Kushtetutën e vitit 1998. Fillimisht ajo u miratua në Kuvend më datë 21.10.1998, u vendos t’i nënshtrohej edhe referendumit popullor që u miratua më datë 22.11.1998.
– Po një e pesta e deputetëve a mund ta çojë atë në referendum?
– Po, mund ta çojë në kushtet e parashikuara nga ndeni 177 pika 5 e Kushtetutës ku thuhet se: “Amendamenti kushtetues i miratuar i nënshtrohet referendumit, kur këtë e kërkon një e pesta e të gjithë anëtarëve të Kuvendit”.
– Thuhet se për këtë është shprehur edhe Gjykata Kushtetuese. Nëse po, a mund të sqaroni shkurtimisht se cili ka qenë përfundimi i saj?
– Kjo është e vërtetë dhe tashmë mund të themi se kemi dhe një përvojë së cilës ia vlen t’i referohemi. Në 21 Prill 2008, Kuvendi i Shqipërisë siç dihet vendosi të ndryshojë disa nene të Kushtetutës. Në atë kohë kishte persona, ndonjë shoqatë dhe parti të vogla, që nuk u pajtuan me këto ndryshime. Në atë kohë një grup nismëtarësh për zhvillimin e referendumit iu drejtuan Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për t’u pajisur me formularë me qëllim që të grumbullonin firmat nga shtetasit votues që nuk ishin dakord me ndryshimet që iu bënë Kushtetutës dhe kërkonin që ato t’i nënshtroheshin një referendumi.
Në kërkesën që grupi i mësipërm nismëtar i drejtonte Gjykatës Kushtetuese, kërkohej shfuqizimi i vendimit të KQZ-së dhe interpretimi i nenit 150 pika 1 dhe nenit 177 të Kushtetutës.
– Dhe si veproi në këtë rast Gjykata Kushtetuese?
– Me sa më kujtohet, para se të jepte vendimin lidhur me këtë çështje, Gjykata Kushtetuese kërkoi edhe opinionin e Komisionit të Venecias. Mbas marrjes së këtij opinioni ajo vendosi rrëzimin e kërkesës së grupit të nismëtarëve për zhvillimin e referendumit (vendimi Nr. 25 datë 24.07.2009). Në këtë vendim midis të tjerave thuhet se: “Kushtetuta ka rregulluar në një pjesë të veçantë procedurat për rishikimin e Kushtetutës (pjesa e shtatëmbëdhjetë, neni 177)” dhe më poshtë: “Sipas këtij neni (është fjala për nenin 177) një amendament kushtetues i miratuar mund t’i nënshtrohet referendumit në dy raste, 1) kur vendosin dy të tretat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit (neni 177/4); 2) kur kërkohet nga një e pesta e anëtarëve të Kuvendit (neni 177/5) dhe në vazhdim: “Duke qenë se neni 177 i Kushtetutës është dispozitë e veçantë për ndryshimin e Kushtetutës, duhet prezumuar se, ky nen, trajton në mënyrë të hollësishme mundësinë e organizimit të një referendumi kushtetues për një ndryshim kushtetues. Nga kuptimi i nenit 177 del se, një amendament kushtetues nuk i nënshtrohet referendumit në mënyrë të detyrueshme, por vetëm kur e kërkojnë subjektet e përmendura më sipër. Kjo do të thotë se përfshirja e drejtpërdrejtë e popullit në procesin kushtetutëbërës mundësohet vetëm nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në Kuvend”.
Në përfundim të analizës së këtij vendimi, Gjykata Kushtetuese ka konkluduar se: “Bazuar në analizën e mësipërme, Gjykata arrin në përfundimin se Kushtetuta e Shqipërisë lejon thirrjen e një referendumi për amendamentet kushtetuese, vetëm brenda kufijve të parashikuara nga neni 177”.
– Po neni 177 a mund të ndryshohet?
– Kjo është në kompetencat e Kuvendit. Siç janë ndryshuar edhe më parë disa nene të Kushtetutës, siç po përgatitet edhe drafti për disa ndryshime dhe shtesa në Kushtetutë, ashtu mund të paraqitet amendament për ndryshime apo shtesa në nenin 177 të Kushtetutës. Por kuptohet që edhe për këtë kërkohet vota e dy të tretave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
Deri më sot nuk di të jetë bërë ndonjë propozim ose të jetë përgatitur ndonjë projekt për ndryshimin e nenit 177 të Kushtetutës./Xh.Sh

BznesMonet e politiQise kerkojne te mopolizojne edhe ‘TRURIN’ ku idjotit ti tuhet i mençur e te mençurit idjot.Nje kushtetute e nJe vendi pa shtet eshte thjesht–LETER HIGJENIKE