Entela Resuli
Sami Xhema, është specialist i çështjeve të pronave. Ai sot në gazetën Dita i përgjigjet disa pyetjeve të shpeshta që kanë interes për qytetarët.

-Ç’kuptojmë me rivlerësim të pasurisë dhe kush mund ta kryejë atë?
Në bazë të ligjit Nr. 90/2019 për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, në mbështetje të nenit 78, 81, pika 1 83 dhe 155 të Kushtetutës, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, Vendosi:
1 -Të gjithë individët, të cilët kanë në pronësi pasuri të paluajtshme, kanë të drejtë që nga koha e hyrjes në fuqi të këtij ligji deri në datën 30 shtator 2020, tani është shtyrë deri në 30 shtator 2021. Kjo shtyrje afati u krye si pasojë e pengesave nga pandemia.
2 – Ky rivlerësim mund të kryhet nga një Ekspert i Licencuar për rivlerësimin e pronave ose nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës.
3 -Në rast se individi zgjedh që pasurinë e tij ta kryejë me ekspert të licencuar, atëherë aplikimi duhet të shoqërohet me akt vlerësimi të pasurisë. I firmosur dhe vulosur nga eksperti.
Kur individi e kryen Rivlerësimin e Pasurisë së Paluajtshme nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës përllogaritja bëhet me çmimin minimal fiskal në fuqi, atëherë ky fakt shprehet në formularin që i bashkëlidhet aplikimit për rivlerësim.
Në rastin e parashikuar në pikën Nr.5 të këtij Neni, Agjencia Shtetërore e Kadastrës përllogarit tatimin që duhet të paguajë individi për rivlerësimin e pasurisë në masën 3 për qind.
Në këto raste, qytetari, depoziton aplikimin së bashku me formularin e paraqitur nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës. Bën arkëtimin e lekëve dhe kopjen me dokumentet përkatës që janë, kartela e pronësisë, harta e pronësie dhe pagesat, të gjitha këto i dërgohen ASHK-së, drejtorisë përkatëse. Sepse Tirana është e ndarë në pesë drejtori, sipas zonave kadastrale.
-Në rast se prona nuk është e regjistruar, si veprohet?
Në rastin konkret kur një pasuri e paluajtshme rezulton e regjistruar pa një kontratë shitje, atëherë vlera e regjistrimit konsiderohet vlera e çmimeve minimale fiskale në çastin e regjistrimit të Aktit të fitimit të pronësisë.
-Kur objekti i pasurisë së paluajtshme është në proces, si veprohet?
Objektet në proces konsiderohen Pasuri të Paluajtshme që janë në proces regjistrimi, këtu përfshihen pasuritë e paluajtshme që janë në proces legalizimi. Edhe në këto raste pasuria vlerësohet sipas dëshirës së individit me ekspertë vlerësues të pasurisë dhe Rivlerësimit që kryhet nga ana e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Në rastin e Rivlerësimit nga ASHK, Rivlerësimi shoqërohet nga Formulari përkatës i llogaritjes ku përcaktohet vlefta e pagesës.
Me arkëtimin e shumave të përcaktuara nga eksperti dhe ASHK, Qytetari pajiset me kartelën e pronësisë ku shënohet shuma e paguar.
-Vlen ky rivlerësim për pronën që tjetërsohet (shitet)?
Ky rivlerësim shërben vetëm njëherë ndaj atij që e ka përfituar. Në rastet kur pronari i mëparshëm e shet këtë pasuri rivlerësimi shërben, ndërsa kur pasuria ka kaluar tek poseduesi tjetër i pasurisë ky rivlerësim nuk ka vlerë.
-Kush ka të drejtë të bëjë kontratë dhurimi?
Në bazë të ligjit Nr.8438 datë 28.12.1998 “Për tatimi mbi të ardhurat” bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme:
Neni Nr. 1
Në Nenin 8/1, pas pikës 11 shtohet pika 11.1 me këtë përmbajtje:
Sipas Nenit 11.1 Kalimi i të drejtës së Pronësisë për banesën dhe truallin bëhet brenda lidhjes gjinore në familje, bashkëshort, bashkëshorte, fëmijë bëhet vetëm një herë ndaj një përfituesi nëpërmjet dhurimit dhe ose heqjes dorë nga pasuria.
Pra kontrata e dhurimit duhet të ketë si rregull dokumentet e pronësisë, certifikatën, kartelën dhe hartën e pronësisë dhe babai mund t’ia dhurojë djalit, vajzës apo nëna ja dhuron fëmijëve, ose burri gruas. Përfituesit nga kjo kontratë dhurimi, nuk kanë të drejtë të bëjnë kontratë dhurimi tjetër . Është mbyllur veprimi, deri këtu.
