INTERVISTA / “Si të shpëtoni martesën dhe të jeni të lumtur…”

redaktor

I zhytur në një kolltuk, i mbuluar me çarçaf të bardhë, aktori Romir Zalla bënë provat për shfaqjen e tij të fundit, ndërsa regjisorja Inis Gjoni, ndjek moment pas momenti monologun, që e ka zgjedhur me aq shumë dashuri.

Në sallën e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, çdo ditë bëhen prova për të sjell këtë mes dhjetori veprën “Mbroni shpellarin” të Bob Bejkerit.

Nëse e mendoni Inis Gjonin gjithmonë të kuruar, në majë të takave dhe me fustane elegante, gaboni, në momentet e punës ajo nuk është kështu. E shkujdesur, me atlete dhe e fokusuar tërësisht te provat, regjisorja Gjoni edhe këtë herë vjen me një vepër, që sipas saj, është aktuale dhe të bënë të reflektosh.

Kjo shfaqje është më e mirë se çdo marrëdhënie këshillimi, është një terapi në çift. Në këtë shfaqje mund të qeshësh dhe të qash njëkohësisht. Trajton gjithçka të rëndomtë dhe të parëndësishme që ne bëjmë çdo ditë, nga punët e zakonshme e deri te bisedat për shtrat dhe vetë shtratin” – tregon Inisi teksa bënë një pushim nga provat e gjata.

Mbasi është luajtur në Broduej për 700 netë me radhë, e në më shumë se 50 shtete, mono-komedia vjen në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në datat 17, 18, 19 dhe 20 dhjetor, nën interpretimin e Romir Zallës.

Në këtë intervistë për Dita-n regjisorja na tregon më shumë për veprën. Çfarë ka në të përditshmen e gjithsecilit në këtë shfaqje dhe çfarë ndryshon në fund, për këdo. Sipas regjisores, pjesa duhet parë dhe perceptuar si një thirrje për bashkëpunim, e cila do të na ndihmojë të shpëtojmë martesën.

Inis, vitet e fundit pjesët që keni vendosur në Teatër, si regjisore, kanë qenë me temë familjare, edhe kjo për të cilën po punoni këto ditë është e tillë. Pse kjo qasje ndaj këtyre temave?

Nuk është qëllim në vetvete fokusimi të çështjet familjare, por në të vërtetë, më pëlqejnë veprat të cilat analizojnë boshtin njerëzor edhe kjo vepër, “Mbroni shpellarin”, është nga ato që e bënë më së miri analizën e njeriut. Sipas saj, sa më mirë të njohësh vetveten, aq më i realizuar je në raport me të dhe me të tjerët, sepse jeta nuk jetohet vetëm, por jetohet në komunitet. Këto janë vepra që mua më pëlqejnë, pasi janë shumë aktuale. Në jetën tonë të përditshme, shpesh duke u marrë me punët që i konsiderojmë të rëndësishme, harrojmë se, nëse nuk jemi mirë me veten dhe nuk e njohim atë, çdo gjë tjetër që kemi në plan vështirë të realizohet. Në përgjithësi, qëllimet dhe objektivat e jetës realizohen kur ti je mirë me veten. Këto duket sikur nuk janë gjëra të cilat në shqetësohemi çdo ditë, por në të vërtetë, janë thelbësore për jetën tonë. Nga ana tjetër, një arsye shumë e rëndësishme për mua, është që në skenë, duhet të vendosësh vepra të cilat i flasin aktualitetit, të përditshmes sonë, të jenë të prekshme nga çdokush, ndaj jam e bindur që do të jenë të shumtë ata që do të gjejnë veten në këtë shfaqje.

Regjisorja Inis Gjoni dhe aktori Romir Zalla
Regjisorja Inis Gjoni dhe aktori Romir Zalla

Vepra ka një histori shfaqjesh edhe në botë, apo jo?

Patjetër, Bob Bejker është aktor dhe regjisor, e autori i mono-komedisë “Mbroni shpellarin”. Për ta shkruar këtë vepër atij i janë dashur 3 vite dhe disa kërkime në antropologji, mitologji, parahistori e psikologji. Për herë të parë e pa skenën më 1991-shin, e prej asaj kohe ka njohur një sukses të jashtëzakonshëm në botë. Madje është më jetëgjata në historinë e Broduejit, pasi vetë Bejker e ka luajtur për 700 net me radhë, përkthyer në disa gjuhë dhe luajtur në më shumë se 50 shtete. “Mbroni shpellarin” është bërë tashmë një hit botëror, e përkthyer në shqip nga Artur Lenja, që përkthen vetëm vepra të mira.

Keni thënë që është një terapi për çiftet, sipas jush duhet ta shohin më shumë femrat apo meshkujt?

Jo, duhet ta shohin të dy palët. Ajo që është shumë interesante, të pakën ajo që më ka rënë mua në sy, ka të bëjë me faktin që, është nga ato vepra që do ta bëjë spektatorin të dalë nga salla i qartë, i kthjellët dhe të jep një ndjenjë të injektuar për bashkëpunim. Rrallë ta japin veprat këtë.

Që në momentet e para të monologut, autori e drejton spektatorin në një udhëtim rreth jetës së një çifti modern; si gruaja në thelb ka bërë gjithçka në historinë e saj për të pasur vëmendje dhe bashkëpunim absolut me bashkëshortin. Sot bën gjithçka që mundet të mos e “mbysë” burrin që ka në krah, mbasi në këndvështrimin e grave sjellja e tyre portretizohet si krijesa me mendje të vogël, me një lidhje shumë të afërt me njeriun e shpellave. Gjuha që autori ka zgjedhur është arma e fundit e meshkujve ndaj lëvizjes feministe. Kjo shfaqje është më e mirë se çdo marrëdhënie këshillimi, është një terapi në çift. Në këtë shfaqje mund të qeshësh dhe të qash njëkohësisht. Trajton gjithçka të rëndomtë dhe të parëndësishme që ne bëjmë çdo ditë, nga punët e zakonshme e deri te bisedat për shtrat dhe vetë shtratin.

Mendoni se spektatori kur të shkojë në shtëpi do të bëjë diçka ndryshe…?

Absolutisht po. Gjëja e parë që kam marr unë nga leximi i kësaj vepre është se kam thënë që, është një mundësi për reflektim.

Keni zgjedhur aktorin Romir Zalla për të interpretuar këtë monolog, pse?

Me Romirin kam punuar edhe te “Klani i të divorcuarave”, e njoh si aktor dhe ia di ritmin. Kjo është një shfaqje që ka nevojë për shumë ritëm, për një ritëm të brendshëm, që unë personalisht e kërkoj shumë në punët e mia.

Ke frikë nga monologu, shfaqjet me një aktor rrezikojnë ta lodhin spektatorin, apo jo?

Ka shfaqje monolog, ku rreziku i spektatorit për të mos u kënaqur, pas truri i njeriut ka nevojë për momente vizive të ndryshme, të ndodh; por janë disa vepra botërore, siç është kjo, që përveçse autori ka ditur ta shkruajë me mjeshtëri artistike të përditshmen tonë, por nga ana tjetër ka shumë humor dhe situata. Të gjithë këto elemente do e bëjnë të vëmendshëm shikuesin. Unë kam eksperienca shumë të mira me monokomedinë e monodramën dhe kam arritur të gjej çelësin se si spektatori të mos ndihet bosh.

Inis Gjoni me vajzën
Inis Gjoni me vajzën

Në muajin dhjetor, ndodh që njerëzit bëhen më të dashur, janë më afër me njeri-tjetrin dhe familjet bëhen bashkë, vendosja e shfaqjes në këtë muaj, është strategji nga ana juaj?

Kjo është shumë interesante sepse janë vërtet më afër me familjen. Nuk është çështje strategjie, mua më qëllon gjithmonë që shfaqjet e mia t’i vendos në pjesën më të madhe, në dhjetor. Nuk është se e kam menduar si çështje strategjike, por më pëlqen kjo atmosferë. Punoj shumë më mirë teksa shoh festë dhe drita të ndezura.

Ju thatë se shfaqjet duhet të jenë aktuale, sipas jush, duke u nisur nga kjo e fundit, a ka probleme familja shqiptare ose a është ajo në krizë?

Në të përditshmen tonë, na ndodh shpesh që ne i dimë shumë gjëra, por ndoshta njerëzit kanë nevojë ta dëgjojnë diçka, t’ua thuash, t’ua kujtosh… Ne i dimë të gjitha këto probleme, ne jetojmë me të gjitha ato, thjeshtë nuk bëhemi të ndërgjegjshëm, jetojmë me problemin, por nuk gjejmë zgjidhje dhe nuk reflektojmë. Edhe unë pata reflektimin tim në momentin që e lexova. Përveç është shfaqje shumë argëtues është edhe medituese, edukues… Këto tema, janë sa aktuale dhe të rëndomta në një moment aq edhe thelbësore dhe qenësore, pasi njeriu në raport me vetveten, nuk e gënjen dot veten.

Mban kah shfaqja, që do të thotë, trajton më mirë burrin apo gruan?

Jo, nuk është parë në këtë prizëm, ndryshimi mes dy gjinive është i vogël, por bën diferencë të madhe. Këto ndryshime që gjenden midis gjinive, prirja e meshkujve për të qenë “gjahtarë”, është e prekshme edhe sot, në punë, në biznes, në familje e në shoqëri, pra në të gjitha aspektet e jetës. Të gjitha këto dallime të brendshme na tregojnë se sa të ndryshme janë botët tona emocionale midis gjinive, ku si femra parahistorike, edhe ajo moderne vazhdojnë të kenë etje për siguri. Jam shumë e qartë që kjo shfaqje do të jetë si të shpëtojmë martesat.

 

Inis Gjoni
Inis Gjoni

************

JETA

“Në jetë lum ai që ka fat, të bëjë gjërat që do!|

Inis Gjoni është nënë e një vajze 4-vjeçare, e cila ditën e djeshme ka festuar ditëlindjen. Kjo ishte një ditë feste për bukuroshet që kanë festuar me miq të vegjël e të rritur. Në lidhje me jetën e saj të momentit dhe marrëdhënien me vajzën, Gjoni rrëfehet në këtë pjesë të intervistës.

Inis, cila është e përditshmja jote?

E përditshmja ime vërtitet rreth teatrit dhe sigurisht që vajza merr kohë të mjaftueshme.

Të ngjan vajza, do ta orientosh dhe atë drejt artit?

Absolutisht që më ngjan shumë. Por është herët për ta orientuar pasi është vetëm 4 vjeçe. Deri tani ia lexoj në heshtje dhe në distancë lëvizjet, dëshirat pa e imponuar.

Inis, cila është sot gjysma jote dhe që të bën të ndihesh e plotësuar?

Në jetë janë gjërat që duhet dhe ato që duam. Lum ai që ka fat në jetë, të bëjë gjërat që do! Duke bërë gjërat që do, ushqehesh brenda vetes e nuk kthehesh në zvarranik, pavarësisht çfarë ndodh në jetë, pasi ndihesh e plotësuar. Ndaj unë gjysmën time e kam me vete gjithë kohës në konceptin filozofik.

Çfarë të plotëson tani në jetë?

Gjithmonë më kanë plotësuar dashuritë e vërteta, të cilat gjenden në gjëra që janë të tuat, që burojnë nga ty. Është një dashuri pa kushte ajo në raport edhe me familjen, edhe me vajzën time, edhe dashuria për profesionin.

Kalimi i viteve i step të gjithë, ty të tremb plakja?

Po, është një proces i pashmangshëm që femrat s’duhet ta përjetojnë si diçka të frikshme. Thjesht duhet ta kuptojmë si diçka që do të ndodhë. Siç jam unë e re sot, ka qenë Sofia Loren shumë vite më parë, po unë s’mund ta paragjykoj pasi ajo e ka kryer ciklin e saj. Unë e shijoj si një proces jete shumë organike. Nuk më shqetëson aspak.

Jeta për ty është luftë, apo si një film i bukur?

E di si është puna, kam përshtypjen që jeta është një proces dhe lum ai që di ta jetojë në të mirë apo në të keq, pra të përjetojë momente magjike, pavarësisht se kjo mund të ketë kosto. E rëndësishme është të jemi në paqe me veten.

Bukuria është vrasëse, apo shpëtuese? Ti si e ke ndjerë?

I ka të dyja anët e medaljes. Njëherë e një kohë ishte vrasëse dhe paragjykuese, dhe kjo vinte për shumë arsye: nga nivelin i ulët, mënyra e të menduarit, xhelozia, etj. Unë për veten time nuk e kam vlerësuar bukurinë time, sepse të hysh në një shkollë profesionale nuk ke kohë të merresh më bukurinë, pasi ke një qëllim që do ta arrish, pavarësisht se të tjerët ta evidentojnë. Aq më tepër në kohën kur kam jetuar, raporti me profesionin ishte shumë i shenjtë, dhe gjërat nuk vinin nga bukuria, por nga puna, talenti e puna. Pas hapjes së sistemit, bukuria binte në sy, në disa raste ishte privilegj, por në disa punë të miat ishte minus. Më është dashur të punoj dyfishin për të merituar fjalën “e bukur”, pasi kishte gjithmonë skonto vlerësimi me 50 për qind. Shpejt e kuptova që nuk është diçka për të mos u vënë re, pasi të gjithë njerëzit mundohemi të dukemi bukur.

inisi

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *